Zhvarroset një kufomë, mund të jenë eshtrat e këngëtarit Reni. A ishte dëshmitar i një krimi?
Renato Hamza, është gjallë, apo i vdekur? Prej 8 vitesh familja nuk ka informacion. Policia e Elbasanit, ka zhvarrosur një kufomë në një fshat të Librazhdit. Ka dyshime se eshtrat mund të jetë të këngëtarit të muzikës tallava, i njohur si ”Reni i Elbasanit”. I shpallur i zhdukur që prej vitit 2014, por ende nuk ka asnjë detaj në lidhje me këtë.
Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës është bërë e mundur zhvarrosja e eshtrave në fjalë, të cilat do të dërgohen për të kryer analizat e ADN-së me krahasimin e atyre të nënës së Renato Hamzës, për t’i dhënë fund dyshimeve. Me zhvarrosjen rihapen hetimet për ngjarjen në fjalë, teksa tetë vite nga zhdukja, askush nuk di për fatin e të riut.
“Reni i Elbasanit” nuk ka pasur asnjë kontakt me familjen e tij, nga momenti kur një telefonatë misterioze e nxori nga shtëpia ku jeton me prindërit dhe bashkëshorten 9-muajshe shtatzënë.
Ka dyshime të forta se këngëtari mund të jetë ekzekutuar nga një grup kriminal që operon në zonën e Shqipërisë së Mesme, pasi për të riun kanë pasur dyshime se mund të ketë qenë dëshmitarë i një ngjarje kriminale që ky grup kishte kryer.
Ka dyshime se Renato Hamza rastësisht është bërë dëshmitar i ngjarjes kriminale të kryer nga ky grup dhe kjo dyshohet se ka qenë shkaku i rrëmbimit dhe më pas zhdukjes së tij.