Kryeministri: Dua qeveri me Lulin! Përgjigjet LSI: Rama e ka vendin në burg!
Kryeministri Edi Rama ka nisur diversionet në ditët e fundit të fushatës. Në 48 orët e fundit ka përsëritur mbi 10 herë se është gati të bashkëqeverisë me PD dhe kreun e saj, Lulzim Basha. Në çdo qytet ku shkon e thotë këtë frazë, duke e mbështjellë me terma që lidhen sipas tij me “interesat e vendit”, “fundin e sherreve politike” dhe “stabilitetin”. Politikani që nuk ka respektuar asnjë marrëveshje politike në karrierën e tij, thotë se është gati të bashkëpunojë me të djathtën. Kjo ide nuk është e re në skenën politike shqiptare. Media dhe analistë që paguhen rregullisht nga qeveria “Rama” e hedhin dhe rihedhin për diskutim tezën e koalicionit të madh PS-PD si një mundësi për pas 25 prillit.
Me që teza nuk ngjiti me anë të medias dhe gazetarëve të pushtetit, Edi Rama e ka prezantuar vetë këtë ide në kulmin e fushatës duke synuar të bëjë diversion të pastër mes opozitës. Qëllimi është i qartë, duke deklaruar se do jetë në koalicion me PD, Edi Rama shpreson që opozita të përçahet fushata të marrë tjetër drejtim. Qëllimi tjetër është që të ulë numrin e mbështetësve të opozitës dhe kryesisht PD, duke u thënë se nuk kanë rëndësi fare rezultatet në zgjedhje, “do jemi bashkë pas 24 prillit”. Përvoja e marrëveshjes së vitit 2017 tregoi se në momentin që Edi Rama uli në bisedime Lulzim Bashën, të parët që braktisën fushatën ishin demokratët dhe elektorati gri. Ata që militonin prej vitesh në PD dhe ata që shihnin selinë blu si shpresë, panë se nuk kishte vlerë as logoja e partisë dhe as programi, pasi marrëveshja me Edi Ramën rrëzoi çdo skenar normal politik. Për këtë qëllim Edi Rama ka nisur diversionin duke dalë vetë si autor i saj, me shpresë se do të sabotojë opozitën dhe do të dëmtojë fushatën e tyre. Arsyeja tjetër kryesore se përse Edi Rama doli ditët e fundit me këtë tezë është se sondazhet e tregojnë humbës.
Kur një parti në pushtet, që thotë se fiton e vetme dhe nuk ka nevojë për aleatë, një javë para zgjedhjeve deklaron se do bashkëqeverisë me kundërshtarin, kjo nuk tregon shenja fitore. Përkundrazi, deklarata e Ramës për PD është shenja më e qartë se vetë socialistët dhe kryetari i saj e ndjenë humbjen e madhe. Lulzim Basha nuk ka komentuar në këtë fushatë asnjëherë deklaratat e Edi Ramës. Por për çështjen e koalicionit, i është përgjigjur disa herë me një JO të prerë. Dje nga takimet në Tiranë, u përgjigj me të njëjtën gjuhë të diplomacisë amerikane, duke u shprehur se nuk ka ndryshim pa larguar Edi Ramën. “E ke kuptuar se ke humbur, kërkon të bëhesh pjesë e qeverisjes me Aleancën për Ndryshim. Përgjigjia ime është JO! Socialistët janë vëllezërit dhe motrat tona. Votoni 9! Vendimi është në dorën tuaj! JO! Nuk ka ndryshim me Edi Ramën”,- deklaroi dje kreu i PD-së, Lulzim Basha. Deklarata e Edi Ramës është një diversion i pastër, por dhe një tentativë për tu kapur me çdo kusht pas karriges së pushtetit. Kur po ndjen humbjen që e pret pas një jave, kryeministri po shpreson në ndonjë mrekulli politike.Ndërkohë koalicioni opozitar ka një marrëveshje dhe një qëndrim të qartë kundër Rilindjes dhe kryeministrit Edi Rama. Lëvizja Socialiste për Integrim prej kohësh e ka prezantuar qëndrimin e saj lidhur. Sipas drejtuesve të kësaj force politike, vendi i Edi Ramës është vetëm në burg.
Qëllimi djallëzor i kryeministrit është i qartë, pasi duke deklaruar se do jetë në koalicion me PD, shpreson që opozita të përçahet. Qëllimi tjetër është që të ulë numrin e mbështetësve të opozitës dhe kryesisht PD, duke u thënë se nuk kanë rëndësi fare rezultatet në zgjedhje, sepse “do jemi bashkë pas 25 prillit”. Ndërkohë Monika Kryemadhi shprehet e prerë se me Edi Ramën nuk ka asnjë kompromis, pasi ai duhet rrëzuar me 25 prill dhe se qeveria e re do jetë ajo mes LSI e PD.
Mili Xhani