105-vjet shtet shqiptar. Meta, Thaçi dhe Rama, në Vlorë për Ditën e Flamurit

105-vjetori i shpalljes së Pavarësisë është festuar me ceremoni të shumta në qytetin e Vlorë.

Në aktivitetet kryesore shtetore marrin pjesë presidenti Ilir Meta, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. Në orën 12:00 u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit kombëtar dhe homazheve në monumentin e Atit të Pavarësisë, Ismail Qemalit.

VIDEO/Ceremonia e shpalljes së logos zyrtare të Vitit të Skënderbeut

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155348693541523/

“Skënderbeu, dielli që do të ndriçojë çdo shqiptar dhe mbarë kombin tonë”.

Fjala e Presidenti Meta në ceremonitë shtetërore kushtuar 105-vjetorit të Pavarësisë dhe “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit”:

Sot kjo është një datë më e ndritur në historinë e kombit tonë, sepse është data që përbashkon dy ngjarjet më të madha të kombit tonë, me të njëjtën dimension dhe rëndësi historike.

Jo rastësisht, burri i mençur Ismail Qemali dhe të gjithë patriotët shqiptarë vendosën të shpallnin Pavarësinë më 28 nëntor 1912.

Ata rikthyen në kujtesën dhe ndërgjegjen e kombit tonë, të copëtuar për më shumë se pesëqind vjet, arsyen e madhe të përbashkimit dhe modelin frymëzues historik, fillimin e epokës së lavdishme të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, datën e ndritur të çlirimit të Krujës, 28 nëntorin e viti 1443.

Epoka e ndritur filloi pikërisht atë ditë në Krujë për t’u përjetësuar në shekujt që pasuan, jo vetëm nga shqiptarët, por nga e gjithë bota.

Figura e heroit tonë kombëtar dhe vepra e tij frymëzoi burra shteti, patriotë, politikanë, diplomatë, ushtarakë, historianë, kompozitorë, piktorë, artistë, shkrimtarë e poetë të talentuar, rapsodë, të të gjitha kohërave, të kombeve dhe vendeve, duke bërë kështu të njohur ndërkombëtarisht kombin shqiptar përmes emblemës së tij më të vyer historike.

Në të gjitha gjuhët e botës është folur, shkruar e debatuar për heroin kombëtar duke provuar dimensionin, vlerat e rolin e tij të pazëvendësueshëm, jo vetëm në ruajtjen dhe përbashkimin e kombit tonë po veçanërisht në mbrojtjen e civilizimit evropian, identitetit dhe përkatësisë së tij të vyer.

Ky simbol kombëtar i përbashkimit ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve, në luftërat e tyre çlirimtare për progres dhe në rritjen e vetëdijes së tyre kombëtare, por edhe evropiane.

Intelektualë të shquar shqiptarë u frymëzuan prej tij, e pasqyruan dhe e përjetësuan Heroin tonë kombëtar në vepra historike monumentale.

Skënderbeun e Marin Barletit si personifikim i shpirtit heroik të popullit dhe si burim frymëzimi për heroizmat e tij e ndoqën edhe shumë poetë të tjerë të Rilindjes, si Naim Frashëri, A. Z. Çajupi, Mjeda, Asdreni, Siliqi, të cilët u pasuan nga poetët arbëreshë, si Gavril Dara i Riu, Zef Serembe, Bernard Bilota, etj.

Gjergj Kastriot Skënderbeu u bë flamur kombëtar në momentet më të rëndësishme historike të kombit tonë.

Të dashur pjesëmarrës, motra e vëllezër,

Ne shqiptarët jemi krenarë për këtë figurë historike, simbol i bashkimit tonë në luftërat për liri dhe mbi të gjitha simbol i rëndësishëm i lidhjes historike së Shqipërisë me Evropën dhe mbarë botën.

Duke kujtuar dhe vendosur në piedestalin e merituar të historisë sonë figurat e mëdha të Gjergj Kastriotit dhe Ismail Qemalit, ne mbajmë gjallë e përcjellin në brezat që vijnë mesazhin e madh për rëndësinë e krijimit dhe të fuqizimit të unitetit mbarëshqiptar përkundër ndasive përçarëse, si një pengesë ndaj realizimit të qëllimit dhe objektivave të përbashkëta.

Në këtë mënyrë ne, jo vetëm i qëndrojmë besnikë mesazhit të përbashkimit për të cilën Skënderbeu u përkushtua dhe luftoi, por përmbushim një detyrim madhor mirënjohës për veprën dhe epokën më të ndritur të historisë së kombit shqiptar.

Viti 2018, “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut”, do të jetë një reflektim mbarëkombëtar në memorien tonë historike, për trashëgiminë dhe identitetin tonë kombëtar.

Ai do të jetë viti i ndërgjegjësimit tonë të mëtejshëm për të parë të ardhmen tonë në dritën e kontributit të heroit tonë legjendar e për të qenë së bashku në përballimin e sfidave të shoqërisë sonë.

Viti që vjen do të na shërbejë të gjithëve për një reflektim të thellë në ndërgjegjen tonë kombëtare dhe qytetare, për të përbashkuar energjitë tona, për të lartësuar vlerat e identitetit tonë kombëtar ndaj figurave më të ndritura të popullit tonë si dhe për të kontribuar të gjithë së bashku për lartësimin e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë.

Në mënyrë të veçantë, ky vit të jetë promemorie e gjallë historike dhe perspektive për brezin e ri mbarëshqiptar, që të rritet me një frymë atdhetare, demokratike dhe evropiane.

Vit 2018 do të na përbashkojë më fort të gjithëve, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në të gjitha trojet etnike si dhe në diasporë anë e mbanë botës, për të krijuar një energji të re dhe më të fuqishme, ashtu si kundër na e la trashëgim heroi ynë kombëtar ne shqiptarëve.

Meqenëse Kryeministri e nisi fjalën duke iu referuar një poeti anglez, unë po e mbyll në anglisht, duke iu referuar një poeti amerikan, shumë i dashur për mua, por jam i bindur edhe për shumë të tjerë, Longfellou, i cili përshkruan hyrjen fitimtare të Skënderbeut në Krujë me këto vargje: “The city Croia called, The city moated and walled, The city where he was born, – And above it the morning star”.

Me bindjen se Skënderbeu do të jetë gjithmonë ylli i mëngjesit dhe dielli që do të ndriçojë çdo shqiptar dhe mbarë kombin tonë në përpjekjet tona për prosperitet për paqe dhe për një të ardhme plotësisht evropiane, ju uroj edhe një herë gëzuar këtë ditë të bekuar!”

Rama: Shqipëri dhe Kosovë, diasporën ta adresojmë si një

Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e organizuar në Vlorë për Pavarësinë e vendit tha se Shqipëria dhe Kosova kanë një diasporë dhe do e trajtojnë si të tillë.  Duke folur për mbledhjen e dy qeverive në Korçë një ditë më parë, ai tha se për herë të parë po i kushtohet vëmendje e veçantë diasporës. “Diaspora shqiptare është një nga historitë më të mëdha të suksesit të vendit tonë për rolin kryesor që ka luajtur. Për herë të parë për diasporën një vëmendje e posaçme, duke i dhënë kësaj pjese vitale dhe vëmendjen e strukturave të dy qeverive tona për t’i adresuar specifikisht së bashku çështjet dhe shqetësimet e saj. Besoj se ia vlen të theksohet se së bashku dje në Korçë kemi vendosur që çështjen e diasporës ta shohim si një, dhe ta adresojmë si një. Duke nisur që nga nevoja për regjistrimin e plotë të Diasporës dhe realizimin e të drejtës së shqiptarëve jashtë atdheut për të votuar këtu në Shqipëri . Patjetër që ky proces nuk mund të realizohet pa mbështetjen e partnerëve të tretë e në këtë rast kemi eksperiencën e çmuar dhe të qeverisë së Kosovës që ka bërë hapa më parë dhe më përpara nesh në këtë drejtim. Krijimi i platformave të përbashkëta është një domosdoshmëri për të përfituar më mirë në funksion të rritjes së mëtejshme të mirëqënies së njerëzve tanë”, tha Rama.

Në këtë ceremoni u shpall dhe logoja zyrtare e vitit të Skënderbeut. “Shqiptarët e patën Skënderbeun një figurë që gjithnjë shënjoi ardhmërinë e tyre si komb. Ky vit mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut është një vit ardhmërie i fokusuar te konslodimi i institucioneve dhe bashkëveprimi me shqiptarët kudo që ndodhen, duke bërë më të mirën që përmes bashkëpunimit të ngushtë mes dy shteteve tona ne t’ia dalim së bashku që duke reflektuar mbi historinë e lavdishme që Skënderbeu shkroi me shpatën e një krenarie të madhe, të vazhdojmë rrugën pa kthim të proceseve demokratizuese, konsolidimin e shtetit ligjor, sigurisë reformave transformuese në një rrugëtim europian të diktuar që kur ky shtet u diktua në hartën e Europës pikërisht këtu në Vlorë 105-vjet më parë”, tha ai.

VIDEO/HOMAZHET NË VLORË

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155348549416523/

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në Vlorë

Opozita homazhe në Varrezat e Dëshmorëve

Përfaqësues të opozitës zhvilluan paraditen e sotme homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në nderim të të gjithë atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e Shqipërisë. Ndërkohë, kryetari i Lulzim Basha ka uruar në “Facebook” 28 nëntorin, duke u shprehur se beteja për Shqipëri demokratike është nderimi më i madh për sakrificat e heronjve të lirisë.

“Ju uroj të gjithë shqiptarëve kudo ku janë GËZUAR 28 NËNTORIN! Sot përkulemi me respekt dhe mirënjohje të thellë kombëtare para heronjve të lirisë dhe pavarësisë, të bindur se beteja për Shqipërinë demokratike dhe europiane është nderimi më i madh për sakrificat e tyre, thirrja më e lartë për çdo shqiptar. Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, thotë Basha.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1704198046298036/

Dita e Pavarësisë, Tirana ngre Flamurin Kombëtar në Sheshin Skënderbej

Tirana festoi sot 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, datë kur Ismail Qemali dhe patriotë të tjerë nga të gjitha viset shqiptare, ngritën flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. Në sheshin e ri “Skënderbej”, i shtruar e rrethuar simbolikisht me gurë dhe pemë nga të gjitha trevat shqiptare, nën tingujt e Himnit Kombëtar të ekzekutuar për herë të parë nga rreth 60 kitaristë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari, kreu i Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi, deputetë, ministra, përfaqësues të komuniteteve fetare, veteranë lufte dhe qytetarë të Tiranës, morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit Kombëtar.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se kjo është padyshim dita më e bukur për të gjithë shqiptarët. “Kjo është padyshim dita më e bukur për të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë. Është një ditë e shenjtë për të gjithë ne, një moment për të kujtuar sesa shumë rrugë kemi bërë që nga ajo ditë e largët 105 vjet më parë, kur baballarët e kombit shpallën Pavarësinë e Shqipërisë tonë. 28 nëntori 1912 ishte kurorëzimi i një lufte dhe i një përpjekje të gjatë për të themeluar shtetin tonë shqiptar. Por në fakt nuk ishte fundi i rrugës. Baballarët e kombit që ngritën atë ditë flamurin në Vlorë, patriotët që ngritën flamurin e Shqipërisë në të gjithë qytetet kryesore e dinin këtë shumë mirë. 28 Nëntori ishte vetëm fillimi i një sfide akoma të vështirë për ta marrë atë vend të shkatërruar nga lufta, pushtimet e për të ndërtuar një shtet modern europian”, tha ai.

Veliaj theksoi se ditë të tilla kaq të rëndësishme për historinë e Shqipërisë duhet t’i shërbejnë brezit të sotëm për të kuptuar se guximi dhe sakrifica e të parëve tanë ishte për një Shqipëri më të mirë dhe një të ardhme të sigurt. “Unë besoj që 28 Nëntori është një ditë për të kujtuar dhe respektuar të gjithë ata që luftuan për pavarësinë e që bënë pjesën e tyre për ta çuar përpara projektin Shqipëria. Por jam i sigurt që nëse do të kishim sot mundësinë të pyesnim cilindo nga ato burra e gra që patën fatin të bëhen pjesë e asaj dite, mesazhi që do të na jepnin është që 28 Nëntori është mbi të gjitha një ditë për të parë përpara, për të qenë të bashkuar dhe për të punuar fort drejt të ardhmes teksa ëndërrojmë dhe planifikojmë 105 vitet e tjera të shtetit tonë”, shtoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Ndaj, theksoi ai, mesazhi që na përcjell kjo ditë është se çdo brez, në çdo kohë, duhet të japë kontributin e tij për projektin e Shqipërisë. “Shqipëria nuk është vetëm atdheu, nuk është vetëm shteti ynë. Shqipëria është projekti ynë i përbashkët. Dhe besoj se ky është mesazhi  më i rëndësishëm i kësaj dite. Shqipëria është projekti i përbashkët për çdo brez për të bërë pjesën e vet, detyrën e vet, misionin e vet dhe për ta çuar vendin më përpara. Ju besoj e dini dhe historinë e sheshit “Skënderbej”. E dini që ky shesh ka qenë projekti më jetëgjatë infrastrukturor i shqiptarëve, që filloi në vitin 1913 dhe mbaroi vetëm pak muaj më parë në 2017, 104 vjet punë.  Është një projekt që në shumë forma në fakt na kujton edhe historinë e Shqipërisë, mënyrën sesi një brez një shekull më parë i dha jetë një projekti, i cili më pas u trashëgua brez pas brezi, deri sa u kurorëzua më në fund me sukses në 2017 për t’u kthyer në kilometrin 0 të gjithë shqiptarëve, në një hapësirë që në mënyrë simbolike përfaqëson unitetin tonë si komb, por edhe rrugën e gjatë për të arritur ambiciet tona”, theksoi Veliaj.

Gjithashtu, ai shtoi se, ndërsa të parët tanë, ata që punuan dhe luftuan për ngritjen e flamurit apo edhe për çlirimin e vendit nga të gjithë pushtuesit, sakrifikuan deri edhe jetën e tyre, për ekzistencën e Shqipërisë, brezit të sotëm i lind detyrimi për ndërtimin dhe prosperitetin e saj. “Kur mendojmë sot për të ardhmen, na duhet ta kuptojmë që jemi ne, të gjithë ne që jemi këtu e ata që na ndjekin, njerëz të thjeshtë të këtij vendi që do ta ndërtojmë  së bashku projektin Shqipëria. Siç e kemi treguar këtu në Tiranë me ato dhjetëra e dhjetëra projekte ku biznese, komunitete fetare, organizata të shoqërisë civile, fëmijë, të rinj, burra e gra e të moshuar kanë kontribuar secili brenda mundësive të tij apo të saj, për ta bërë qytetin pak më të mirë sot seç ishte dje e pak më të mirë nesër se ç’ishte sot. Falë Zotit ne jetojmë në një kohë krejt të ndryshme nga ajo e 1912, kur nuk na duhet të përballemi me sfida e vështirësi të nivelit të atyre që u përballën ata burra e gra 105 vjet më parë. Por kjo nuk e bën punën që na pret, për të hedhur hapin tjetër në projektin e ndërtimit të Shqipërisë, më pak të rëndësishme”, u shpreh Veliaj.

Ndërkohë, më parë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, i shoqëruar nga prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari, kreu i Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi, anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, përfaqësues të komuniteteve fetare, dhe qytetarë të Tiranës, vendosën kurora me lule në Monumentin e Pavarësisë në parkun “Rinia”. Me rastin e Ditës së Pavarësisë, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh festive të cilat kanë nisur që gjatë mëngjesit të sotëm dhe do të mbyllen në mbrëmje me operan “Skenderbeu” në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

SHKARKO APP