19 Marsi dhe 1 prilli në sfondin e zgjedhjeve të parakohshme

Zgjedhje të parakohshme!- refreni socialist. Zgjedhje të parakohshme!-presioni demokrat. Ndërsa LSI nuk i ka përmendur deri tani. Ilir Meta ka kërkuar konsensus për reformën në drejtësi dhe uljen në bisedime për t’i miratuar siç kërkon ambasadori amerikan Lu dhe ambasadorja e BE Vllahutin. Por togfjaleshi “zgjedhje të parakohshme” po zë vend gjithnjë e më shumë sa më afër vjen kongresi i PS, ditën e shtunë e ku Ben Blushi duket më i vendosur se kurrë që të shqyejë deriçkat që i kanë vënë përpara në udhën e bashkëdrejtimit të PS-së, parti e cila gjithnjë është drejtuar në mënyrë kolegjiale. Pandeli Majko doli në fillim, më pas Erjon Braçe e sot Taulant Balla, pa harruar që edhe Edi Rama në një emision televiziv kur e pyetën që nëse nuk miratohet reforma në drejtësi tha prerë se ka edhe një plan “B”. Duket se plani “B” janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare mënjëherë sapo të mbaroj punë me kongresin e PS-së. Shpeshtimi nga ana e PS-së se nëse nuk kalon reforma në drejtësi do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme duket se bëhet që atmosfera para kongresit të jetë inkadeshente ku më shumë të mendohet se po u ikin vendet e punës nëse bëjnë llafe apo nëse kanë ndërmend të përkrahin Blushin, ndërsa deputetëve që mendohet se mund të kenë fjalime antiRama iu çohet mesazhi se ” ky është fjalimi i fundit i juaji në PS!”. Nuk besoj se personalisht Edi Rama ka interes të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërkohë që akoma nuk ka mbyllur hesapet me Blushin si dhe nuk e ka të sigurtë nëse e merr më pushtetin me zgjedhje të cilat dihet se  shkohet, por nuk ka garanci si dalin. Nëse PS-ja e ka këtë presion ndaj PD-së e cila vendosi të braktisë parlamentin dhe votimet e tjera pa votuar Byronë Kombëtare të Hetimit duhet të ketë marrë edhe një leje nga “arbitri” që në këtë rast është LSI. Nëse gjithçka po bëhet nën dirigjimin e Ramës për parapërgatitjen për zgjedhje të parakohshme pa dakortësi me Ilir Metën atëhere është e sigurtë që skema “C” do të jetë rraskapitëse për PS-në. Përveç 19 marsit ditës së kongresit atëhere PS-ja e Ramës ka probleme edhe me 1 prillin. Dhe 1 prilli mbahet si ditë rrenash, por edhe si dita e marrëveshjes 2013 kur Rama dhe Meta firmosën koalicionin për të rrëzuar Berishën. Pra 1 prilli po vjen dhe nëse pas kongresit 19 mars selia rozë e rrit presionin në publik se po shkojmë në zgjedhje të parakohshme skema “C” do ketë një datë 1 maj e cila është data e “proletariatit” e ku mund të mblidhen socialistë blushistë, LSI-stë, demokratë, çamë patriotë, agrarët e Dukës, republikanët historikë, etj të cilët nxjerrin një qeveri me shumicë parlamentare e cila e çon vendin drejt zgjedhjeve, por pasi ka miratuar fillimisht Byronë Kombëtare të Hetimit si aktin e parë dhe më pas reformën në drejtësi.

Kjo skemë “C” sjell tkurrjen e 1 milionë shuplakave, të cilat kthehen në grushte për PS-në,aq me tepër që shigjetat e Blushit ua kanë vërbuar paksa shikimin.

Ndaj togfjaleshi “zgjedhje të parakohshme” nëse artikulohet edhe në gojën e kryeministrit Rama këto ditë dhe para 1 prillit atëhere duhet marr seriozisht skema “B” e tij si dhe skema “C” e të tjerëve në parlament.

Në të dyja rastet shkohet në zgjedhje !

SHKARKO APP