24-vjetori i Masakrës së Srebrenicës. Presidenti Meta: Tragjedi që duhet t’i përkasin vetëm të kaluarës

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot 24-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës. Në një postim në Facebook, kreu i shtetit ka publikuar një foto nga qyteti i Sarajevës duke bërë apel që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në Ballkan.

Sot në 24-vjetorin e masakrës më të madhe në zemër të Europës, është koha jo vetëm të lutemi për shpirtrat e viktimave dhe dhimbjen e patreguar që përjetuan popujt e rajonit tonë, por njëkohësisht të kërkojmë drejtësi deri në fund për shkaktarët e këtij gjenocidi të pamëshirshëm. Duhet të ndërgjegjësohemi e përgjegjësohemi që bashkëjetesën etnike-fetare dhe kulturore ta ruajmë e ta forcojmë, pa lejuar askënd të helmojë dhe të përçajë popujt dhe kombet tona, në mënyrë që tragjedi të tilla t’i përkasin vetëm të kaluarës së hidhur të historisë së rajonit tonë”,- shkruan Presidenti Meta.

Fotoja e publikuar nga presidenti është bërë pak ditë më parë gjatë vizitës në Sarajevë. Në pamje duket xhamia, kisha dhe sinagoga, të cilat ndodhen thuajse në të njëjtin vend, si simbol i bashkëjetesës fetare.

Kreu i shtetit shton se “kjo foto e qytetit të bukur të Sarajevës, ku harmonizon natyrshëm objektet e besimeve të ndryshme fetare, të shërbejë për të ecur përpara drejt të ardhmes se përbashkët në Bashkimin Europian, duke evidentuar edhe trashëgiminë historike të bashkëjetesës mes kombeve dhe popujve të rajonit tonë”.

Sot shënohet 24-vjetori i Masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë. Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Europë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.

SHKARKO APP