25 maji, paralajmërimi i fundit para betejës së datës 30 qershor

Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë thirrur popullin në protestë me datë 25 maj. Ndërkohë Lulzim Basha ka lëshuar mesazhet se ndërkombëtarët duan të ndërhyjnë në gjetjen e një zgjidhje mes palëve. Opozita e ka kriter numër një, se me Edi Ramën nuk pranojnë qeveri as zgjedhore, as njëditore! Ai është kapur në krim elektoral dhe qeveria është ngritur mbi këtë masakër. Faktet janë në prokurori dhe nuk po hetohen, ndonëse para tre ditësh bënë sikur thirren në prokurorinë e krimeve të rënda, kryetarin aktual të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Nga ana e tij kryeministri Rama pohon prerë se nuk ka ndërmend për të dhënë dorëheqje dhe se me datë 30 qershor do të shkojë i vetëm në zgjedhjet vendore.

Edi Rama thotë ndër të tjera se me përgjime nuk shkohet në zgjedhje, por ia rrëzoi dje homologu austriak Kurz, i cili pas një video të zv/kryeministrit të tij, e çoi vendin në zgjedhje.

Duke parë se kryeministri Rama po përdor policinë, dhunën dhe arrestimet, atëhere opozitës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të përballet me Ramën duke nxjerrë popullin në arenë. Me datë 25 maj është thirr populli për ti treguar kryeministrit se nuk do ta lejojnë të shkojë në zgjedhje farsë me 30 qershor. Skenari për datën 25 maj duket paksa më i avancuar se sa i datës 11 maj, çka mund të sjellë përplasje të dyanshme. Me sa duket një grup personazh në PS dhe oligarkë janë të interesuar ta mbajnë me çdo kusht Edi Ramën si kryeministër, pavarësisht kostos politike dhe destabilitetit të vendit.

Nëse edhe pas datës 25 maj kryeministri nuk don t’ia dijë për opozitën dhe stabilitetin e vendit, atëhere data 30 qershor do jetë datë fatkeqe për vendin, sepse njerëzit mund edhe të vriten në mbrojtje të votës së lirë.

Lulzim Basha ia kujtoi kryeministrit Rama që nga Londaa ku ndodhet në vizitë të rëndësishme, se “për demokracinë dhe votën e lirë, kanë ikur edhe koka mbreterish“.

Edi Rama ka kohë që është kthyer në “mbret” në Shqipëri, duke uzurpuar të gjitha pushtetet.

Alban Marku

SHKARKO APP