“2A Group” e Valon Ademit i përgjigjet Pacollit: Pas aeroportit të Vlorës fshihen interesa financiare ruse!

Kompania 2A Group, në pronësi të biznesmenit Valon Ademi, ka reaguar ashpër pas postimit të fundit të Behgjet Pacollit, duke e cilësuar përplasjen mes tyre si një “luftë për dinjitet dhe identitet kombëtar”, e jo për përfitime ekonomike.

Në reagimin e publikuar nga kompania, theksohet se pas konfliktit që lidhet me projektin “Vlora International Airport”, fshihen interesa të errëta financiare që, sipas 2A Group, “kanë rrënjë në struktura që dikur përfaqësonin palën ruse”.

“Nuk jam në luftë me ata që flasin me metafora, as me ata që mbulojnë mashtrimin me buzëqeshje, e as me mashat. Lufta ime nuk ka emra, por ka kuptim. Lufta ime është me Compartment Berninën, jo si emër, por si simbol i asaj bote që kërkon të blejë flamurin tonë,” – thuhet në deklaratë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kompania përmend në mënyrë të drejtpërdrejtë Bart Turtelboom, të cilin e cilëson si “njeriun që dikur përfaqësonte palën ruse në negociatat me Paris Club”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas 2A Group, ky është një paralajmërim për rrezikun që mund të fshihet “pas formulave financiare që duken të qeta, por synojnë të zbehin rrënjët dhe sovranitetin kombëtar”.

Në vijim të reagimit, Ademi thekson se përplasja me Pacollin nuk ka natyrë materiale, por lidhet me “mbrojtjen e vlerave dhe emrit të Shqipërisë”.

“Unë nuk jam në luftë për para, sepse sistematikisht deri në gusht, Pacollit më ofruan ato. Jam në luftë për të mos humbur kuptimin e fjalës ‘Shqipëri’. Sepse për mua, Vlora International Airport nuk është një investim, është një pjesë e shpirtit të një kombi që ngrihet për të fluturuar mbi hijet që duan ta mbajnë poshtë,” – mbyllet deklarata e 2A Group.

Ky reagim vjen në kulmin e përplasjes publike mes dy biznesmenëve të njohur të rajonit, lidhur me projektin strategjik të aeroportit të Vlorës, që është shndërruar tashmë në një çështje me tone të forta kombëtare dhe ekonomike.

KRONIKA E SHERRIT:

Një përplasje mes dy aksionarëve që kanë në pronësi aeroportin e Vlorës, ka përfunduar tashmë në dyert e gjykatave, e cila nga ana e saj ka bllokuar çdo lëvizje me aksionet e kompanisë.

Aksioneri i minorancës në këtë koncesion, Valon Ademi ka akuzuar publikisht Behgjet Pacollin për mashtrim. Thelbi i konfliktit të dy ortakëve në ndërtimin e aeroportit ka qenë ndarja e aksioneve, ku Ademi zyrtarisht ka 2% të tyre, por pretendon 47%.

Mes palëve ekziston gjithashtu një kontratë noteriale, e firmosur menjëherë pas largimit të grupit turk YDA nga koncesioni i aeroportit. Ky grup kishte në pronësi 40 për qind të aksioneve të aeroportit të Vlorës, të cilat formalisht ia shiti kompanisë Mabco të Behgjet Pacollit për shumën simbolike prej 4200 eurosh. Po atë ditë, Mabco dhe 2A Group nënshkruan një marrëveshje të re për ndarjen e aksioneve, duke përcaktuar që Mabco të zotëronte 53 për qind dhe 2A Group 47 për qind të tyre. Megjithatë, këto kontrata nuk janë regjistruar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).

Ndërkohë, kompania 2A Group e Ademit kërkon të njihet zyrtarisht si pronare e 47 për qind të aksioneve, duke u mbështetur në kontratën noteriale dhe dokumentacionin e plotë të investimeve të realizuara gjatë dy viteve të fundit. Nga ana tjetër, Mabco e Pacollit kundërshton këtë pretendim dhe, si aksionere kryesore e konsorciumit, ka marrë vendim të mos lejojë ndryshimin e strukturës së aksioneve.

Përplasja mes tyre ka ccuar edhe në shkarkimin e administratorit të parë të kompanisë së aeroportit të Vlorës, ndërsa i dyti ka dhënë dorëheqjen pak ditë më parë.

Pas akuzave mes aksionarëve, Valon Ademi ka bërë kallëzim ndaj Pacollit dhe gjykata ka vendosur pak ditë më parë masën e sigurimit të padisë ndaj Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.

Gjithashtu është pezulluar edhe e drejta e votës e ortakut të shumicës, Shoqërisë “Mabco Constructions SA”, e Pacollit deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit të shoqërisë VIA sh.p.k., të transferuara më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k.

Prokuroria e Tiranës ndërkohë ka nisur një grup prokurorësh për hetimin e çështjes së aeroportit të Vlorës.

Hetimi është regjistruar për 3 individë: biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Shtetasi Nelson Çela u thirr në Prokurorinë e Tiranës, i cili dha një deponim, ndërsa fill më pas nënshkroi edhe dorëheqjen si administrator i kompanisë në pronësi të Pacollit. Të tre ata janë zyrtarisht nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?