5 Maji, apeli i Presidentit Ilir Meta: Drejt së ardhmes, përmes dialogut
Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, Presidenti Ilir Meta ka bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”.
Në një prononcim për mediat, Presidenti i Republikës, vuri në dukje se: “Sot është një ditë e veçantë për të gjithë popullin shqiptar, sepse është Dita e Dëshmorëve të lirisë, të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në radhë të parë. Është dita e Qemal Stafës dhe të gjithë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, që bënë sakrificat më sublime për t’i rikthyer lirinë dhe pavarësinë vendit, por njëkohësisht edhe për ta vendosur Shqipërinë në anën e duhur të historisë, në atë anë ku për fat të mirë ndodhemi edhe sot.
Pikërisht sot është një ditë nderimi për sakrificat e dëshmorëve, për flijimin e tyre, për ëndrrat e tyre, por është edhe ditë reflektimi për të vendosur në plan të parë interesat e vendit, të së ardhmes së tij europiane, të stabilitetit përmes dialogut dhe bashkëpunimit, në mënyrë që ëndrrat e tyre të realizohen plotësisht dhe që të nderojmë vërtet ashtu siç duhet kujtimin e të gjithë atyre, të cilët kanë bërë sakrificat më të mëdha, më sublime, për të ardhmen e Shqipërisë.”
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Presidenti Meta ka shpërdarë një mesazh urimi dhe përkujtimi për ditën e atyre që dhanë jetën për Atdheun.
Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës, Meta:
Nderova sot kujtimin dhe u përula me respekt të thellë para veprës së pavdekshme të Dëshmorëve të Atdheut!
Gjaku i derdhur për çlirimin e Shqipërisë nuk mund të bëhet ujë!
Të vazhdojmë traditën në përkujtim të luftës së drejtë, ngjarjeve e momenteve kulmore të saj, sakrificave sublime dhe kontributeve të jashtëzakonshme të popullit tonë, që na reshtuan me koalicionin botëror antifashist në anën e duhur të historisë, me qëllim që ato të mos zbehen, por të transmetohen ndër breza!
Ky 5 maj, që përkon me 75-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë na fton, jo vetëm të bashkohemi rreth vlerave më të mira antifashiste të popullit tonë, por dhe të reflektojmë mbi domosdoshmërinë për të qenë më bashkëpunues e të përgjegjshëm, për të vendosur në plan të parë interesat e vendit dhe të ardhmen e tij europiane.
https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/657460741342125/