7 deputetë të opozitës e kanë bërë “pazarin” në euro me Kryeministrin

Pas disa tentativave të dështuara për konsensus për reformën në drejtësi, Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë hedhur në qarkullim idenë e marrjes së disa votave nga Partia Demokratike. E thënë më thjeshtë: janë blërë 7 deputetëve opozitarë , të cilët do të thyejnë urdhrin politik të Lulzim Bashës për të votuar nëse nuk ka konsensus. Ka informacione se janë bërë pazaret dhe priten të vijnë në sallën e parlamentit për ta votuar. Por kjo gjë sjell djegie mandatesh të PD-së në mënyrë zyrtare, duke e futur vendin në një destabilitet të rrezikshëm politik ku dihet fillimi, por jo fundi i rrëmujës.  Selia blu e ka thënë qartë se “ do të shkrumboheni…”, por nuk dihet se deri ku shkon “shkrumbimi”! Por dihet se përherë digjet populli i thjeshtë nga përplasja PS-PD.

Çështja e blerjes së disa votave për të bërë numrin 94 në teori është e thjeshtë për t’u realizuar. Disa deputetë të djathtë që nuk do jenë në listat e ardhshme janë gati të votojnë për PS-në, natyrisht në këmbim të pazarëve që kanë mbyllur në euro e në tenderime të firmave apo të njërëzve pas tyre. Pra siç thotë ish-deputeti Kokëdhima pazari është mbyllur. I kanë marrë ato çka duhet në këmbim të votës. Por ka një problem parimor që nëse për një Reformë në Drejtësi blihen votat me padrejtësi për të bërë drejtësi, nuk ka asnjë europian që ta pranon, pasi me korrupsion do votohet. Nëse këta 7 deputetë të opozitës bashkohen në një formacion politik që tani dhe shpallin partinë e tyre politike kjo është një inisiativë e tyre ligjore dhe kanë gjithë të drejtën për të votuar si parti e re. Por nëse shkojnë një e nga një ditën e votimit, të blerë, atëhere kanë të drejtë eurodeputetët Kukan dhe Flekenshtajn. Ata thanë prerë se votojeni me konsensus, dhe pa blerje votash.

Nëse blihen bojkoti dhe konflikti që do të bëjë  PD-ja mund ta bëjnë të padobishme reformën. Aq më tepër që trafikimi i votës është një standard që është dënuar dikur nga vetë Kryeministri Rama gjatë kohës që ishte në opozitë. Për këtë shkak parimor deputeti Blushi dha dorëheqjen si kryetar grupi parlamentar i PS-së kur 6 deputetë shkuan dhe votuan në korrik 2007 Bamir Topin, jashtë vendimit politik të Ramës. Tani nuk mund të ketë dy parime për të njëjtin problem; ndryshe kur je në opozitë dhe ndryshe kur je në pushtet.

Kukan dhe Flekenshtajn, të cilët janë dhe reporterë për Shqipërinë në Bruksel theksuan dje për mediat se reforma në drejtësi duhet të kalojë me konsensus dhe jo me imponimin e njërës palë mbi tjetrën.“Miratimi i reformës në drejtësi pa opozitën nuk shtrohet si çështje. Çështja shtrohet nëse ata e kanë mazhorancën për çka kërkohet dhe në dijeninë time kjo bëhet me 2/3 e votave për të ndryshuar Kushtetutën. Nëse i kanë këto vota është në rregull, por pa i blerë ato, pasi nëse votat blihen kjo është e papranueshme për këdo”, u shpreh Knut Flekenshtajn.

Më i drejtpërdrejtë ka qenë Eduard Kukan, i cili ka pasur rol konkret në disa prej negociatave që janë zhvilluar mes palëve politike për reformën. Ai thotë se blerja e votave është diçka e paimagjinueshme në Parlamentin Europian. “Blerja e votës nuk është një praktikë europiane dhe ne e refuzojmë kategorikisht atë në çdo shoqëri demokratike. Çdo përpjekje e tillë e ngjashme për të zgjidhur çështjen e një projekti kaq të rëndësishëm sikurse është reforma në drejtësi, nëpërmjet blerjes së votës, është thjeshtë e paimagjinueshme në Parlamentin Europian. Asnjë blerje vote dhe asnjë imponim i një pale mbi një tjetër nuk është rruga e duhur, por procesi duhet të ketë mbështetjen e të gjitha forcave politike, sepse vetëm atëherë mund të sjellë progresin e qendrueshëm të një vendi”,- u shpreh Eduard Kukan.

Qëndrimi dy raportuesve për Shqipërinë tregon se varianti “B” i kryeministrit Rama për kalimin e reformës duke shpresuar të çarja e PD-së nuk do të kapërdihet lehtë në Bruksel. Bile mund të sjellë destabilitet në vend dhe shtyrje të negociatave nga BE.

Rruga e vetme është ajo e konsensusit. Pavarësisht se tashmë nuk ka shumë kohë për negociata mazhoranca nuk ka rrugë tjetër veçse të dialogojë. Reforma është e domosdoshme, por një reformë e njëanshme që e nxjerrë PD-në në rrugë e protesta do jetë vetëm sukses i përkohshëm, që do të sjellë një rrëmujë të madhe në shoqeri. PS-ja duhet ti ikë edhe faktit që PD-ja mezi pret për të nxjerrë njërëzit në protesta të mëdha, duke bllokuar rrugët, institucionet dhe ku destabiliteti do të mbizotërojë jetën tonë.

SHKARKO APP