A do pranojë Edi Rama kthimin e Elvis Rroshit si kryebashkiak Kavajës?
Ka zgjatur vetëm 3 ditë dorëheqja e kreut të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi. Ashtu siç deklaroi me 31 maj largimin e tij me një status në Facebook, edhe dje po me një shënim në rrjetet sociale njoftoi se do t’i rikthehej detyrës së tij si drejtues i zgjedhor vendor, pra u pendua dhe do jetë të henën në zyrën e tij të kryebashkiakut.
Në 31 Maj deklaroi se avokatët e tij kishin zbuluar se nuk kishte deklaruar një dënim që kishte marrë në Itali për dhunë seksuale në grup. Ndërsa pasditen e djeshme, tha se ishte gabuar me dokumentin e avokatëve. Pasi udhëtoi drejt vendit fqinj ka zbuluar dokumentet origjinale që verifikonin se nuk ishte i dënuar në Itali për këtë vepër penale.
Dy dokumentet e publikuara nga Elvir Rroshi mbajnë vulën e Ministrisë së Drejtësisë së Italisë. Në to nuk figuron të jetë shënuar asnjë e dhënë që flet për dënime të kryebashkiakut të Kavajës. Dëshmitë janë marrë edhe në emrin Elvis Rroshi edhe në emrin Ervin Rroshi.
“Duke qene se jetojmë dhe punojmë me një shtet ligjor, kam vendosur që mos ju besoj letrave të bakallit, por çdo letër e cila ka vlerë ligjore dhe çdo element që e bën atë të vlefshme. Ndaj, nisur edhe nga mijëra mesazhe që kam marrë nga votuesit dhe nga situata që më nxjerr te pafajshëm, kam vendosur të vazhdoj detyrën time me përulje kundrejt qytetareve të mi deri në momentin që çdo gjë do sqarohet nga drejtësia. Mandatin dhe detyrën e mrekullueshme të shërbimit ndaj qytetarëve nuk ma ka dhënë as Lulja, as Saliu dhe as Shqupi. Ma kanë dhënë bashkëqytetarët dhe atyre do t’ju bindem dhe shërbej deri në sekondën e fundit”,- deklaron Elvis Rroshi. Këtë ka postuar kryebashkiaku kavajas. Për pasoj, largimi nuk vlen më dhe shprehja “jap dorëheqje nga dorëheqja”, merr kuptim më shumë se kurrë në këtë rast.
Kur Rroshi deklaroi dorëheqjen pati vetëm një reagim nga Kryeministri Edi Rama. Në qëndrimin e Kryeministri ra në sy fakti se nuk flitej për shkarkim dhe as largim nga detyra. Kryeministri shkroi vetëm se “gjithkush që ka një dënim gjykate me heqje lirie, nuk e ka dot mbështetjen e Partisë Socialiste për të kandiduar për çfarëdoqoftë apo qëndruar në një detyrë publike që ka”. Kjo nënkupton se dorëheqja parimisht ishte pranuar nga Kryeministri. Por në njoftimet e Kryeministrisë së tre ditëve të fundit nuk ka asnjë qëndrim për pranimin e dorëheqjes së Rroshit. Po ashtu edhe në vendimet e Këshillit të Ministrave nuk ka as vendim për shkarkimin nga detyra. Ligjërisht Rroshi nuk është larguar asnjë orë nga drejtimi i Bashkisë së Kavajës. Përveç deklaratave në Facebook nuk ka asnjë dokument që fakton pranimin e dorëheqjes apo shkarkimin nga Qeveria.
Letrat e paraqitura nga Rroshi një herë shkruajnë se është dënuar dhe një herë rezulton se është i pafajshëm. Realisht ai mund të mos ketë kryer asnjë dënim në Itali. Një ngatërresë protokollare në institucionet italiane mund të ketë sjellë gjithë gjullurdinë në Kavajë dhe Shqipëri. Në fund të fundit, nëse është i pafajshëm është një kryebashkiak i zgjedhur dhe meriton të qëndrojë në detyrë. Me dyshime dhe aludime nuk mund të ndëshkohet dhe ti thotë lamtumirë karrierës politike, askush. Në të gjitha rastet, Rroshi vetë i ka ngritur dyshimet për probleme e tij serioze me ligjin dhe po vetë ka rrëzuar dyshimet. Rroshi është në të drejtën e tij ti tregojë opinionit se është i pastër, madje edhe të dyshoj për veten. Këtu merr fund debati personal i tij.
Por ajo që lë një shije të hidhur, të një shakaje pa kripë është serioziteti i institucioneve tona. Të paktën shteti, nuk mund të reagoj sipas humorit të një individi, apo edhe një prej partive politike. Sepse në këtë rast del që bllofin më të madh nuk e ka bërë Rroshi dhe as PD-ja, por Kryeministri dhe Partia Socialiste. Kryeministri Rama i bëri “dalje” nga Bashkia me një deklaratë për mediat. Deputeti Alfred Peza e përjashtoi nga Partia Socialiste, Roshin, brenda pak orëve. E gjithë mazhoranca u vu në lëvizje me nga një status në Facebook. Askush nuk mori informacione nga Italia dhe as verifikoi të dhënat. Kryeministri mund të kërkonte Informacione në rrugë zyrtare nga Ministria e Brendshme, SHISH, Ambasada Shqiptare në Itali etj. Dhe këtë mund ta bënte para se Rroshi të dyshonte tek vetja dhe para se ti jepte “lamtumirën” PS-ja. Po tani që ai thotë se është i pastër, çfarë duhet të bëjë PS-ja dhe Kryeministri? Sigurisht, nëse ai është i pastër do rikthehet në PS. Po a nuk ngjan kjo si një telenovelë bajate dhe pa pikë serioziteti. Shteti nuk është kafeneja e lagjes , por funksinon me dokumente dhe jo me llogje Kavaje.
Interesant mbetet të shikojmë reagimin e kryeministrit Rama pas “dorëheqjes se dorëheqjes” apo mund të jetë dhe lojë fine e Prokurorisë së Përgjithshme e cila thuhet se ka një dokument tjetër kundra tij dhe mezi pret ta arrestojë sapo të kthehet në Shqipëri, Elvis Rroshi.
Edhe nëse Prokuroria e Rama nuk kanë asnjë mendje të keqe, kjo histori prodhon jo seriozitet dhe krijon jo besim në institucionet e vendit.