Drejtori i CIA: “E ardhmja e Rusisë si një partner i vogël dhe koloni ekonomike e Kinës”
“Zëri i Amerikës” njofton se “Drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA, William Burns zhvilloi një vizitë të fshehtë në Ukrainë në qershor. Drejtori i CIA-s u takua me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe zyrtarët e zbulimit për të diskutuar mbi kundërofensivën që ka ndërmarrë Ukraina. Lajmi mbi takimet sekrete u bë i ditur të premten. Diskutimet e fshehta njoftohet të kenë ndodhur përpara rebelimit të dështuar të udhëheqësit mercenar rus Yevgeniy Prigozhin kundër Presidentit rus Vladimir Putin”- shkruan VOA.
Më vonë VOA pas lajmit të mësipërm ka botuar një analizë të plotë për vizitën e drejtorit të CIA.
Ja se çfarë shkruan VOA:
Drejtori i CIA-s, William Burns, tha të shtunën se rebelimi i armatosur nga udhëheqësi i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin ishte një sfidë për shtetin rus që nxori në pah efektin gërryes të luftës së Presidentit Vladimir Putin në Ukrainë.
Udhëheqësi rus falënderoi këtë javë ushtrinë dhe forcat e sigurisë për shmangien e asaj që ai tha se mund të kthehej në një luftë civile, duke e krahasuar rebelimin e grupit Wagner me kaosin që e çoi Rusinë në dy revolucione në vitin 1917.
Për muaj të tërë kryemercenari Prigozhin ofendoi hapur drejtuesit më të lartë ushtarakë të Moskës, duke përdorur një sërë fjalësh të ashpra dhe zhargone burgu, duke tronditur zyrtarët e lartë të Kievit. Presidenti Putin nuk ka reaguar publikisht ndaj akuzave dhe sharjeve të Prigozhinit për elitën e tij ushtarake.
“Është e habitshme që Prigozhini i parapriu veprimeve të tij me akuza të ashpra mbi arsyetimin e rremë të Kremlinit lidhur me agresionin në Ukrainë dhe për mënyrën e drejtimit të luftës nga udhëheqja ushtarake ruse”, tha zoti Burns gjatë një fjalimi në Fondacionin Ditchley, një organizatë me qendër në Oxfordshire të Anglisë që përqendrohet tek marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.
“Këto fjalë dhe veprime do të kenë ndikim për disa kohë, një kujtesë e gjallë e efektit gërryes të luftës së Putinit në shoqërinë dhe regjimin e tij”.
Zoti Burns, i cili shërbeu si ambasador i SHBA-së në Rusi nga viti 2005 deri në 2008 dhe u emërua drejtor i CIA-s në vitin 2021, e cilësoi rebelimin e Prigozhinit si një “sfidë të armatosur ndaj shtetit rus”.
Ai tha se rebelimi ishte një “çështje e brendshme e Rusisë në të cilën Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë asnjë rol”.
Që nga arritja e marrëveshjes një javë më parë për t’i dhënë fund rebelimit, Kremlini ka kërkuar të projektojë qetësi.
Presidenti 70-vjeçar Vladimir Putin është përpjekur të përqendrohet tek zhvillimi i turizmit në takimet e zhvilluara me popullin në Dagestan dhe duke diskutuar ide për zhvillimin ekonomik.
Rusia do të dalë më e fortë pas rebelimit të dështuar, kështu që Perëndimi nuk duhet të shqetësohet lidhur me stabilitetin e fuqisë më të madhe bërthamore në botë, tha të premten kryediplomati rus Sergei Lavrov.
Por nga ana tjetër, zoti Burns thotë se tashmë lufta kishte qenë një dështim strategjik për Rusinë, duke nxjerrë në pah dobësinë e saj ushtarake dhe dëmtuar ekonominë ruse për vitet që vinë, ndërsa aleanca ushtarake e NATO-s po bëhet më e madhe dhe më e fortë.
Zoti Burns tha se “e ardhmja e Rusisë si një partner i vogël dhe koloni ekonomike e Kinës” po formësohej “nga gabimet e Putinit”, siç u shpreh ai.
Ai tha se pakënaqësitë brenda Rusisë lidhur me luftën në Ukrainë po krijonin një mundësi të rrallë për të rekrutuar spiunë dhe se CIA do ta shfrytëzonte këtë situatë.
“Pakënaqësia ndaj luftës do të vazhdojë ta gërryejë udhëheqjen ruse nën petkun e propagandës shtetërore dhe represionit”, tha zoti Burns.
Kremlini tha në muajin maj se agjencitë ruse të zbulimit po gjurmonin aktivitetet e spiunazhit perëndimor pasi CIA publikoi një video që inkurajonte rusët të bënin kontakte përmes një kanali të sigurt në internet.
Videoja e shkurtër në rusisht u shoqërua me një tekst që thoshte se agjencia donte të dëgjonte nga oficerë ushtarakë, specialistë të zbulimit, diplomatë, shkencëtarë dhe njerëz me informacione për ekonominë e Rusisë dhe udhëheqjen e saj.