A ndryshon Qeveria sot?

Socialistët mbledhin Asamblenë Kombëtare për “gjyqin” ndaj Qeverisë, panik mes ministrave të kabinetit “Rama”

Partia Socialiste do të mbledhë sot Asamblenë Kombëtare, i cili është dhe forumi më i lartë vendimmarrës. Axhenda zyrtare e Asamblesë do të vendosë për mbajtjen e kongresit më 30 mars, si dhe një sërë pikash që kanë të bëjnë me strukturat partiake. Pavarësisht se duket një mbledhje e zakonshme partie, axhenda jo zyrtare e këtij takimi shkon përtej halleve të socialistëve. Tema kryesore e Asamblesë dhe që nuk është futur në rendin zyrtar të punimeve janë ndryshimet në kabinetin qeveritar. Edhe pse kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë afat kohor për ndryshimet në qeveri, gjithë vëmendja dhe sinjalet që do të jap sot kryeministri do të përcaktojnë se kush ikën apo vjen në kabinetin e tij. Në Asamble do të bëhet një analizë e detajuar e punës së secilës ministri, e cila do të jetë dhe një lloj “gjyqi” publik për dështimet dhe problematikat që ka çdo dikaster.
Protestat e studentëve, si dhe protestat e tjera që pritet të rinisin në janar, si rrallë herë e kanë vënë në pozitë të vështirë kabinetin “Rama”. Reagimi i fortë i të rinjve dhe opozita që po bëhet gjithnjë e më kërcënuese për pushtetin e PS-së, kanë tronditur jo pak pozitat e mazhorancës që pretendonte se do të qeverise e qetë këtë mandat. Ndaj reagimit popullor që është rritur këtë fundvit, kryeministri Edi Rama ka vendosur t’i përgjigjet më ndryshime rrënjësore në kabinetin e tij. Ndryshimet u paralajmëruan nga Edi Rama dhe njerëz afër kreut të qeverisë që më datën 24 dhjetor, kur për herë të parë pas shumë kohësh mblodhi Kryesinë e Partisë Socialiste. Kreu i qeverisë shkoi në këtë takim me ide të qartë dhe emra konkret të ministrave që duhet tu hapin rrugën të tjerëve në qeveri. Por duket se reagimi një pjese të grupit parlamentar, si dhe ndikime të tjera të njerëzve të biznesit që kanë interesa të forta me qeverinë, kanë bërë presion të fortë që kjo të mos ndodhte. Një pjesë e ministrave të pushtetshëm në qeveri dhe në parti e kanë parë vendimin e Ramës si një sfidë personale dhe kanë deklaruar se largimi i tyre nuk do të jetë i lehtë. Gjatë këtyre ditëve ka pasur takime të shuma mes kryeministrit, ministrave si dhe emrave të ndryshëm në PS që diskutohen si anëtarët e ardhshëm të kabinetit qeveritar. Për të shmangur një luftë grupesh, ministrash dhe ish-ministrave në PS, kreu i qeverisë pritet që të paraqesë një strategji tjetër. Ministrave që ka vendosur të largohen qeveria, kryeministri duket se do t’u jap poste të rëndësishme drejtuese në Partinë Socialiste. Në këtë mënyrë jo vetëm u garanton mbrojtje politike nga akuzat që rëndojnë ndaj disa prej tyre, por edhe shmang reagimet e të pakënaqurve.
Skandalet korruptive që kanë dalë këto muaj dhe presoni i protestave duket se e detyrojnë kryeministrin dhe kupolën drejtuese të PS-së që këtë herë të mos bëje ndryshime kozmetike në kabinet, por një operacion thuajse total. Kreu i qeverisë është i detyruar të pranojë se në shumë nga postet kyçe të qeverisë, të zgjedhurit e tij kanë dështuar me reformat. I duhet të pranojë se një pjesë e ministrave janë bërë pjesë direkt dhe indirekt të aferave të mëdha korruptive që ka denoncuar opozita. Gjithashtu, i duhet të pranojë se në shumicën e rasteve ministrat që i zgjodhi vet duke mos marrë parasysh as kriter politik dhe as vlerësim publik, sot rezultojnë ende anonimë edhe për socialistët. Por nëse kryeministri do t’i pranonte të gjitha këto në mënyrë publike praktikisht do të thoshte se ka dështuar. Për të shmangur këtë dhe për të shpëtuar nderin e qeverisë, kryeministri ka zgjedhur një skemë tjetër. Do t’i largoj një pjesë të ministrave jo me justifikimin për korrupsion dhe paaftësi, por me argumentin se i duhen për fushatën elektorale. Do t’i heq nga Qeveria për punë të dobët, por do t’u jap vende në sekretariat dhe institucioneve të tjera të PS. Ndaj dhe në Asamblenë e sotme, kryeministri do të fokusohet te përgatitjet për zgjedhjet vendore, që mund të jenë edhe të përgjithshme. Duke u thënë se partia është më e rëndësishme se qeverisja, kryeministri do të bëjë pastrimet në kabinet, si dhe do shmang sherret brenda partisë, të paktën për momentin.
Zyrtarisht në PS askush nuk e di nëse sot Edi Rama do të largojë disa ministra. Dilemat dhe presionet e brendshme në PS kanë bërë që kryeministri të marrë vendimin në momentet e fundit. Por më shumë se çështje e zhvillimeve mes PS dhe një pjese të oligarkëve, ndryshimet në kabinet janë të domosdoshme. Pas studentëve, sot në sheshin para Kryeministrisë do të jenë emigrantët që kanë ardhur këto ditë në Shqipëri. Diaspora është organizuar si asnjëherë më parë dhe pavarësisht se thonë se nuk janë për tubime politike në shesh, fakti që protestojnë për një shtet më të mirë është protesta më e madhe politike që bëhet. Ndërkohë, studentët serinë e protestave të mëdha që nisën në dhjetor do ta vazhdojnë edhe më fuqishëm në muajin janar duke shkuar përtej kërkesave ekonomike, por në kushte dhe ultimatume për qeverinë.
Protestat që shtohen çdo ditë janë sinjali që i kujton kreut të qeverisë se duhet të ndryshojë sa më parë mënyrën se si dhe më kë po qeverisë. Nëse për shkaqe që lidhen me lobingjet politiko ekonomie të disa ministrave, kryeministri shtyn për shumë kohë ndryshimet, protestuesit nuk do të kërkojnë më vetëm përmirësimin e qeverisjes, por largimin e gjithë qeverisë.

SHKARKO APP