Llalla:Të akuzosh se ka një unazë apo një orë nuk tregon për korrupsion…

Ambasada amerikane në Tiranë sqaroi këto ditë se i mohoi vizën prokurorit të Durrësit sepse nuk “kishte dokumenta të plota”. Por Kryeprokurori  Llalla nga SHBA tha se Ambasada dyshonte se nuk do të kthehej në Shqiperi.

I ftuar tek Zëri Amerikës, Kryeprokurori Adriatik Llalla e ka cilësuar si një spekulim mediatik njoftimin dhe më pas përgënjeshtrimin se ai, së bashku me delegacionin e tij në SHBA, do të kishte takime në FBI dhe DEA. Llalla tha se në lidhje me lajmin për mohimin e vizës së kryeprokurorit të Durrësit Agron Gjana, diçka e tillë është e vërtetë, madje sipas tij SHBA nuk kishte besim se prokurori do të kthehej në Shqipëri.

“Duke ju falenderuar, unë ndodhem në SHBA për të marra pjesë në një konferencë ndërkombëtare. Lidhur me njoftimin që përmendët, mendoj se ky është një spekulim që është bërë pasi në zyrën time nuk ka dalë një njoftim i tillë. Kjo zyrë është transparente dhe nuk ka asnjë njoftim të tillë. Kryeprokurori i Durrësit ishte pjesë e delegacionit tim për në SHBA. Por viza e tij nuk u dha në kohën e duhur për shkak të dokumentacionit. Më pas ajo u anulua fare dhe përgjigja ishte nga ambasada se “nuk besonin se ai do të kthehej më në Shqipëri”, tha Llalla.

Llalla madje ka dhënë një gjykim të kundërt me atë të Ambasadorit Donald Lu në lidhje me pasuritë e gjyqtarëve. Kohë më parë Lu u thoshte gjyqtarëve dhe prokurorëve se po të shihnin orët e tyre dhe nëse ato do të ishin më të shtrenjta se makina e tij atëherë me shumë mundësi ata do të ishin të korruptuar. Duke ju referuar kësaj fjalie, Kryeprokurori Adriatik Llalla tha:“Në Shqipëri është një institucion i posaçëm që merret me verifikimin e pasurive. Nëse një zyrtar i caktuar zotëron pasuri, nuk do të thotë se është shkelës i ligjit. Nuk mbroj zyrtarë të caktuar, por të akuzosh për një unazë, apo një orë… Për të gjitha rastet për të cilat kemi patur informacion, ne kemi nisur hetimet”.

Duket se kryeprokurori Llalla nuk don t’ia dijë për asnjë ndërhyrje në punët e prokurorisë.

SHKARKO APP