Kryeprokurori Adriatik Llalla: Grupet kriminale në zyrat e shtetit
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla deklaroi sot se grupet kriminale me mbështetje politike nuk janë vetëm një fenomen shqiptar. I pranishëm në analizën vjetore të Policisë së Shtetit, Lalla kërkoi nga strukturat e policisë që të bashkëpunojnë me Prokurorinë për goditjen e këtyre grupeve kriminale.
“Grupet kriminale kanë aftësinë që të penetrojnë edhe në zyrat e shtetit. Nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Por ne kemi detyrën të zbulojmë rastet kur elementët kriminale gjejnë mbështetjen e personave me pushtet. Në nivel titullarësh është diskutuar nevoja e rritjes së hetimeve për korrupsionin në nivele të larta. I nderuar z. Ministër i Brendshëm”,- u shpreh Llalla.
Prokurori i Përgjithshëm vlerësoi punën e bërë kundër korrupsionit, po ka shtuar se nuk ka referenca nga ana e policisë dhe institucioneve të tjera për korrupsionin në nivelet e larta.
”Gjatë vitit 2015, nga hetimet e Prokurorisë, në disa raste edhe me bashkëpunimin e Policisë, janë arrestuar zyrtarë të niveleve të ndryshme përfshirë dhe punonjës të policisë së shtetit, gjyqtarë dhe prokurorë. Por, nga ana tjetër, rezulton se nuk ka referime nga institucionet ligjzbatuese për zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë. Unë e kam ndarë këtë shqetësim edhe me Ministrin e Brendshëm, me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, me Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe kemi vlerësuar se duhet një impenjim shumë më i madh i strukturave përkatëse në institucionet e tjera ligjzbatuese. Antikorrupsioni është sfida jonë më e madhe për integrimin në Bashkimin Europian dhe duhet ta përballojmë bashkë”,- tha Kryeprokurori.
Ai foli dhe për ngjarjet e pa hetuara të cilat duhet të zbardhen. “Kanë ndodhur disa ngjarje të rënda kriminale, të cilat shtojnë pasigurinë në opinionin publik dhe është shumë e rëndësishme që të hetohen në mënyrë të shpejtë. Kjo është e nevojshme për të dëshmuar se institucionet janë të vendosur për zbatimin e ligjit”,- u shpreh Adratik Llalla.