Afrim Krasniqi: Pritshmëritë 2024!
Nga Afrim Krasniqi-
Shtetet, ashtu si familjet dhe individët, bëjnë projeksione për vitin e ri në çdo fundviti. Në disa modele qeverisëse (vendet e mëdha) projeksionet shprehen përmes fjalimeve të udhëheqësve kryesorë përpara kombit, mesazhet e vitit të ri apo rezolutave të kongreseve. Në vende si Shqipëria dhe shumica e fqinjëve rajonalë, nuk ka tradita të tilla. Shqipëria nuk aplikon fjalim mbi gjendjen e kombit dhe as projeksion zyrtar për vitin pasues, përshëndetjet e fundvitit janë kryesisht protokollare dhe nuk ekziston një mekanizëm që projekton dhe ndjek prioritetet vjetore shtetërore. Parlamenti është në pozita pritëse jo udhëheqëse, qeveria menaxhon përditshmërinë, partitë mendojnë për zgjedhjet e radhës, Presidenti dhe Këshilli i Sigurimit i largohen një roli kujdestar, strukturat e tjera mungojnë. Duke mos pasur projeksion, nuk ka as premtime dhe për pasojë, as bilanc të matshëm dhe llogaridhënie. Paradoksalisht, përfaqësitë kryesore diplomatike në Tiranë hartojnë projeksione për 2024, me kërkesë të MPJ/qeverive përkatëse dhe shpesh ato janë shumë më realiste sesa e gjithë retorika ditore në gjuhën shqipe në Tiranë.
Çfarë mund të jetë viti 2024 për Shqipërinë? Nuk është vit zgjedhor dhe ky është lajm i mirë. Kur ka zgjedhje paralizohet jeta institucionale dhe gjithçka ndodh në funksion apo pasojë të tyre. Jemi në vitin e tretë të mandatit të tretë të PS & Rama në pushtet dhe qeveria ka vetëm një prioritet: si të ruajë unitetin e strukturës patronazhiste të 700 mijë mbështetësve, e mjaftueshme për të fituar çdo proces zgjedhor. PS nuk ka ndonjë ide për reforma dhe as nuk funksionon si parti politike. Ajo shijon pushtetin pa shqetësim dhe ndodhet në fazën e arrogancës absolute, në të cilën individët me pushtet mendojnë se janë zgjedhur të jenë të përjetshëm. Shqipëria e tyre është e ndryshme nga Shqipëria e qytetarëve të thjeshtë dhe kultura e tyre “demokratike” në parti e institucione ngjason gjithnjë e më shumë me Byronë Politike të vitit 1990. PS ndodhet në sfidën të rikthehet në parti dhe të ndajë shtetin nga partia, të përballet me hetimet e zyrtarëve të saj dhe të mendojë për ditët në opozitë, kur pasojat mund të jenë në mos të njëjta, më të thella sesa kriza aktuale e opozitës.
Kriza e opozitës e nisur në shtator 2021 jo vetëm nuk ka gjetur zgjidhje, por është thelluar, tashmë në tri fraksione që pretendojnë trashëgiminë politike. Katër nga pesë kryetarët e partive politike opozitare janë nën hetim, një çmim që vjen nga refuzimi i vitit 2013 për reformë dhe riciklimi i ish ministrave / zyrtarëve të lartë në parti. Vendimi ligjor i SPAK dhe GJKO kundër ish Presidentit & ish kryeministrit Berisha, de facto përbën nisjen e largimit të tij përfundimtar nga politika, por edhe rënien e lirë të PD në krizë shumë më të thellë. Asnjëra palë në PD nuk përfaqëson shumicën, të gjitha kanë përjashtuar njëra tjetrën dhe të gjithë ende nuk kanë një ide të qartë, maturi dhe as ndonjë propozim për daljen nga kriza, ringritjen e opozitës dhe rikthimit të balancës pluraliste të përfaqësimit. Strategjia e incidenteve në parlament rezultoi e gabuar, fushata denigruese midis palëve ishte dyfish e gabuar dhe tek asnjëra palë nuk ka mbetur asgjë nga ajo mbi të cilën dhe për të cilën u krijua PD në dhjetor 1990. Opozita ka vetëm një rrugëzgjidhje: dialog dhe trupë kolegjiale dhe konsensuale drejtimi 1 vjeçar, pa përfshirë në drejtim 2B, ribashkim në shtator-tetor, reformim në program e qasje perëndimore dhe përgatitja për një listë të përbashkët kandidatësh, me mbi një të tretën prurje të reja në politikë, si shans i vetëm për të tërhequr votën abstenuese, refuzuese dhe liberale në vend.
Kalendari politik 2024 pritet të përcaktohet nga prokurorët e SPAK. Dosjet hetimore përfshijnë një numër të lartë zyrtarësh tek dy palët, përfshirë tre nga katër drejtuesit kryesor në mazhorancë dhe katër nga pesë drejtuesit kryesorë në opozitë. Një demokraci që varet nga aktet e prokurorisë nuk mund të jetë solide, por një demokraci pa llogaridhënie nuk mund të jetë gjithashtu funksionale. SPAK ka besim maksimal tek qytetarët për një arsye të vetme: shqiptarët kanë parë sesi politikanë të korruptuar kanë ricikluar veten në tri dekada, pa dhënë llogari dhe duke e keqpërdorur shtetin dhe institucionet në interes të vetes, miqve, familjes dhe militantëve ndjekës. Mbështetja ndaj SPAK nuk është akt i maturisë politike, është akt rebelimi dhe revolte dhe Shqipëria ka nevojë për revoltë.
Shqipëria 2024? Ne kemi një “fat”, – partitë tona nuk mund ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, por nuk kanë më forcë për ta bërë më të keqe. Sfida e rrugëtimi ynë ndërvaret më shumë nga gjeopolitika. Shqipëria pret që brenda marsit të zhvillojë konferencën e dytë me BE, të nisë negociatat reale dhe të kthehet në normalitet. Fundi i luftës në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme do të ishin lajm i mirë me pasoja pozitive, vijimi i konfliktit përbën investim për stabilitetin, jo demokracinë edhe në vende si Shqipëria. Ndikim të madh pritet të ketë tek ne ecuria e gjendjes së Kosovë dhe fqinjët veriorë, ndërsa brenda vendit, nuk pritet të ketë as reformë zgjedhore, as reformë ekonomike, as amnisti financiare dhe as ndonjë reformë serioze. Arnime ligjesh, akte në funksion të oligarkisë, administrim klientele dhe “kap çfarë të kapësh”, – mbeten pritshmëritë e atyre që shtetin e shohin si pronë, politikën si imunitet, parlamentin si formalitet dhe vendimmarrjen si e drejtë familjare. Të pasurit do të bëhen edhe më të pasur, të varfrit edhe më të varfër, ata të shtresës së mesme do vijojnë të mbeten në dilemë, mbijetesë apo emigrim.
2024 nuk pritet të jetë vit reformash as ndryshimesh. I ngjan viteve 1995, 2004, 2012, 2023. Vite për tu harruar. Me dallimin se këtë vit Shqipëria do të jetë pjesë e kampionatit europian dhe me siguroi tre muaj do të ushqehemi me show patriotik, – një traditë që na kujton vitin 1986 kur duke mundur Belgjikën harruam radhët e gjata të qumështit.
Për të gjitha këto motive 2024 mbetet një vit i pritshëm tranzicioni. Nuk duhej të ishte i tillë. Në çdo këndvështrim, pas 3 dekadash Shqipëria meriton më shumë, duhet të kishte pritshmëri më të mëdha, reagim qytetar më të madh, transparencë më të madhe, llogaridhënie më të madhe, projeksion më të qartë, qeverisje më efektive, politikë më të maturuar, kalendar reformash dhe reflektimi më konkret, institucione më të forta e më të pavarura, qytetarë më të lexuar dhe demokraci shumë më funksionale.