Akuzat ndaj LSI. Rama i përgjigjet Edi Ramës: Të paskan lënë mëntë more beu ynë
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar raportin mes PS dhe LSI si një pengmarrje. Kreu i Grupit Parlamentar të LSI, Luan Rama i është përgjigjur ashër sot kryeministrit për këtë deklaratë, duke i kujtuar një shprehje të poetit, Andon Zako Çajupi.
Luan Rama shkruan në Facebook se nëse vërtetë aleanca me LSI paska qenë problem për Edi Ramën, atëherë përse gjatë gjashtë muajve të fundit kërkonte të vijonte koalicionin. “Apo ngaqë i lezetoi “pengmarrja?””,- shprehet Luan Rama.
Kreu i deputetëve të LSI-së shton se nuk mund ta besojë që diçka të tillë e ka thënë vet Edi Rama.
“Nuk dua ta besoj si të thënë nga Edi Rama që “…koalicioni me Metën ishte pengmarrje!” Sepse, nëse paska qenë kështu, d.m.th i pengmarrë nga LSI-ja, përse kërkoi edhe këto gjashtë muajt e fundit të bënte sërish koalicion me LSI-në?…
Apo ngaqë i lezetoi “pengmarrja?”. Çfarë thotë Çajupi tek “Klubi i Selanikut?”:
“- Të paskan lënë mëntë more beu ynë!”. Dhe kush mund të thotë që nuk ka të drejtë Çajupi!..”,- shkruan në Facebook, Luan Rama.
Ditët e fundit Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të lartë të PS-së janë hedhur në sulm ndaj aleatit që mbajti në këmbë qeverisjen e PS-së, Lëvizjen Socialiste për Integrim. Mazhoranca qeverisëse arriti të bëj disa reforma të rëndësishme vetëm falë votave dhe mbështetjes që ju dha nga deputetët e LSI-së. Nëse ka disa gjëra që PS sot mburret në fushatë, ato janë ligje dhe reforma që janë marrë bashkarish. Por të deklarosh sot se kjo ka qenë “pengmarrje” duket një non-sens politike dhe gabim elektoral.
Nga ana tjetër, LSI ka kundërshtuar disa projekte të qeverisë dhe nuk ka dhënë votën për koncesionet dhe projektligje që dëmtojnë shtetin dhe qytetarët. Të tilla janë koncesionet e pafundme, ligji i mbetjeve, apo tentativa për të kapur institucionet. Pengesat që i ka sjellë LSI nuk janë pengmarrje, por qëndrimet të duhura për të mos lejuar që Rilindja të merrte peng shtetin.