Akuzë apo paralajmërim i Fatmir Mediut kundrejt Lulzim Bashës: Kreu i PD akoma nuk na ka mbledhur si do dalim në fushatë!

Fatmir Mediu te emisioni i Sokol Ballës i pyetur nga gazetarët se si do dilni në fushatë; me një sigël të re koalicioni të përbashkët apo me dy koalicione, tha se Lulzim Basha akoma nuk na ka mbledhur për formulën e përballjes me PS dhe Edi Ramën.

Madje, Mediu shtoi se PS-ja e ka filluar fushatën, ndërsa PR-ja dhe partitë e tjera akoma nuk janë të qarta se çdo bëjmë. “Nëse fillojmë fushatën edhe ne, atëherë nëse kandidatët tanë do fillojnë fushatën në rrethe për vete dhe kur Basha të kujtohet se nuk duhet të kandidojmë veçmas, por në një listë, ata që kanë filluar fushatën do na kthehen kundër!”,- tha Mediu.

“Prandaj,- shtoi Mediu,- duhet që Lulzim Basha të vendosë se çdo bëjë me përballjen me Edi Ramën, pasi jemi shumë vonë. Ndërkohë pala kundërshtare ka filluar fushatën dhe po mobilizon krejt administratën shtetërore për vota”.

Fatmir Mediu është i pari lider nga partitë opozitare që foli kaq hapur ndaj Lulzim Bashës. “Duhet të përcaktohet urgjent formula e koalicionit të madh ose nëse do dilet në dy koalicione duhet të dimë se ku jemi”!- nënvizoi Fatmir Mediu.

Nga ana e saj PD-ja akoma vazhdon në përzgjedhjen e kandidatëve për deputet në rrethe, çka do të thotë se deri nga Viti i Ri opozita nuk do jetë e qartë se si do futet përballë Edi Ramës. Dy partitë e mëdha të opozitës, PD dhe LSI, realisht e kanë filluar fushatën elektorale. Basha dhe Kryemadhi vazhdojnë me siglat e tyre.

Ndërsa Fatmir Mediu pret nga Lulzim Basha që ti mbledhë se si do jetë koalicioni…

Herion Mesi

SHKARKO APP