Akuzë e fortë/ Basha: Të arrestohet Tahiri. Ish-ministri shkon në prokurori
Sot herët në mëngjez, Lulzim Basha ka dalë në konferencë shtypi. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, direkt nga selia blu, foli për arrestimin në Itali të Moisi Habilajt, njërit prej krerëve të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt vendit fqinj.
“Moisi Habilaj njihet si kushëriri i Saimir Tahirit, ish-ministër i Brendshëm i Shqipërisë për 4 vjet. Për 4 vjet, PD-ja ka denoncuar lidhjet e Habilajt me Tahirin. Mbi 1400 herë, Rama e ka marrë në mbrojtje, Saimir Tahirin dhe ka refuzuar të marrë hapat ligjorë ndaj tij edhe pas denoncimit të Dritan Zaganit, ish-shefit të Antidrogës në Fier, që tha se banda përdorte Audin personal të Tahirit për trafik.
Por Rama hesht prej 24 orësh që kur Moisi Habilajt është në pranga. Partnerët strategjikë prej vitesh dhe prej muajsh i kanë vënë Ramës në dispozicion, materiale të padiskutueshme ndaj Tahirit, rolin e tij si ministër në trafikun e drogës Shqiëpri – Itali. Rama ka refuzuar të ndërmarrë hetim, por e ka mbrojtur dhe në mandatin e tij të ri e ka emëruar si koordinator të PS me qytetarët. Ne e dimë se është çështje orësh që informacionet e vëna në dispozicion nga partnerët e huaj për lidhjet e Ramës me Ramës do të bëhen publike dhe janë në dispozicion të Ramës.
Çfarë pret Edi Rama?! T’i vërë prangat dhe ta ekstradojë, si një nga kapitenët e drogës?! Nuk pres përgjigje nga Rama. Rama e ka mbrojtur edhe pse e di që ai është mbrojtës dhe përfitues direkt i Habilajve. Erdhi ora e vendimeve të mëdha që Tahiri të arrestohet dhe procesi të nisë pa vonesë,” deklaroi Basha.
Diçka po përgatitet për arrestime të niveleve të larta
Shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika ka zhvilluar paraditen e sotme një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Lika është parë të ngjisë shkallët e Prokurorisë së Përgjithshme ku ka qëndruar për rreth 60 minuta. Ende nuk ka asnjë komunikim zyrtar nga të dyja institucionet dhe nuk dihet nëse ky takim ka qenë i planifikuar më parë apo është vendosur në minutën e fundit. Por si për koicidencë takimi vjen një ditë pasi në Itali u arrestua Moisi Habilaj, një i afërm i ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Akuza për Habilajn është drejtimi i një organizate kriminale që dërgonte drogë në Itali.
Pas akuzave nga PD, Tahiri takon Llallën
Pas akuzave të rënda të Partisë Demokratike dhe kërkesës për arrestim të tij, ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka kërkuar takim kryeprokurorit Adriatik Llalla. Takimi mes tyre do të mbahet në Prokurorinë e Përgjithshme.
Burime nga Prokuroria thanë për “KJ” se ish-ministri ka kërkuar vet të sqarojë pozicionin e tij, pas akuzave që i janë bërë këto ditë.
Një ditë pas arrestimit të Moisi Habilajt nga autoritetet italiane, kreu i PD-së Lulzim Basha në një konferencë të pazakontë në orët e para të mëngjesit, tha se Shqipëria ndodhet para shpërthimit të një skandali me përmasa historike për lidhjet e krimit të organizuar me qeverinë, ndërsa i kërkoi Kryeministrit arrestimin e ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Basha tha se provat qe e implikojnë Tahirin si kreun e trafikut të drogës në vend janë në tavolinë, të siguruara sipas tij nga partnerët ndërkombëtarë. Moisi Habilaj, u arrestua si kreu i bandës italo-shqiptare e cila merrej me trafikimin e marijuanës dhe të armëve nga Shqipëria drejt Italisë, ndërsa Partia Demokratike e akuzon si kushëri të ish-Ministrit Tahiri.
Shkrim nga gazeta italiane Meridionews
Mes të arrestuarve të opreacionit “Rosa dei venti” është edhe i afërmi i socialistit Saimir Tahiri, prej vitesh i dyshuar që mbulonte aferat e klanit që trafikonte marijuanë nga Ballkani. Grupi ka përdorur edhe një makinë në pronësi të politikanit për të shkuar në Siçili. “30 mijë duhet t’ia çoj atij” thonin.
Një i afërm do të thotë shumë. Sidomos kur je i afërm me një ish –ministër – jo më në detyrë prej marsit – i shumëpërfolur pasi është akuzuar në vendin e tij se mbronte një klan të trafikantëve të drogës. Në Shqipëri lajmi i arrestimit të Moisi Habilajt ka shkaktuar një tërmet të vërtetë politik. 39 –vjeçari i arrestuar dje nga Guardia di Finanza të Catania-s në operacionin “Rosa dei venti” është kushëri i ish –titullarit të Ministrisë së Brendshme, Saimir Tahiri.
I përfshirë në vitin 2015 në syrin e ciklonit pas dëshmive të shefit të policisë kufitare të Vlorës, Dritan Zagani, që e ka akuzuar publikisht se ishte i lidhur me krimin e organizuar në vend që merrej me trafikun e marjuanës së Ballkanit.
Sipas dëshmive të policit – më pas i detyruar të kërkonte azil në Zvicër, sepse dyshohej se u shiste informacione autoriteteve italiane – kushërinjë e ministrit kisihin transportuar drogë edhe duke përdorur makinën private të politikanit. Një Audi A8 që kishte dalë disa herë nga kufiri grek, po jo vetëm.
I interesuari direkt për këtë çështje, nga ana e tij, ka mohuar gjithnjë, duke shpjeguar se e kishte shituar makinën te kushërinjtë, por në të zezë (pa bërë dokumenta), që prej vitit 2013. Por verifikimet e detektivëve italianë, në të kundërt, tregojnë një histori të ndryshme, në të cilat del edhe emri i politikanit.
Moisi Habilaj in Siçili kishte urën e tij kryesore për aferat e tij, falë një rrjeti grosistësh të aftë për të blerë qindar kilogramë marijuanë dhe për ta shpërndarë tek të gjithë klanet mafioze aktive në shpërndarjen në sasi të vogla. Jo vetëm në Catania, por edhe në Siracusa e Ragusa. Në Shqipëri, mbi kushëririn e ministrit ka pasur vetëm dyshime të shumta. Nuk është hetuar kurrë, asnjëherë i arrestuar, por shumë herë i fotografuar, për shembull, me shefin e policisë kufitare të Dhërmiut.
Një rezultat i arritur falë udhëtimeve të shumta nga Shqipëria në Siçili, duke kaluar nga Puglia, për të rakorduar shitjen e drogës, për të bonifikuar vendet e transportit dhe destinacionit të drogës.
Të dhëna që çojnë në emra dhe mbiemra. Si ai i Antonino Riela, i dyshuar si blerës i drogës që vinte nga Shqipëria.
Guardia di Financa, në nëntor të vitit 2013 monitorojnë një takim mes tij dhe Florian Habilajt, vëllait të Moisiut, kushëririt të ministrit Tahirit. Takimi vjen në lagjen San Giorgio, dhe sipas akuzave, Riela i kishte dhënë 30 mijë euro kesh për një ngarkesë marijuana.
Objektivi ishte që të merrnin veten sa më shpejt nga një sekuestrim prej 1650 kilogramësh që kishte ndodhur në tetor në brigjet e “Baia del silenzio” të Catelluccio, afër Augustas.
“Po të kisha pasur një kallashnikov, do t’i kisha shfrosur të gjithë. Bam, bam, bam” thoshte Moisi Habilaj, i përgjuar teksa ishte i irrituar për drogën e humbur dhe për vështirësit për t’u shpëtuar “të zinjve”, siç i quante ai policët.
Shqipëria për kushëririn e ministrit ka qenë për vite të tëra një zonë e lirë biznesi. Në një përgjim ambiental të regjistruar nga oficerët e Guardia Di Finanza të Catania-s është pikërisht Moisu që i zbulon disa detaje bashkëbiseduesit të tij, një siciliani pronar të një pike karburanti ku furnizonte makinën në karburantin Q8.
“Nëse vjen në Shqipëri do ta vësh re se policia shqiptare është e korruptuar dhe që në shumë raste arrin direkt te shefat e policisë që ndihmojnë në ngarkimin e thasëve”.
Në Itali ndërkohë ky grup pëson sekuestrime të vazhdueshme si ai i 289 kilogramëve kanabis në Palagonia. Furnizimet me drogë të kartelit italo-shqiptar bllokoheshin edhe në portin tregtar të Catania-s. Aty hetuesit gjetën një kamper të mbushur me drogë. Nisën pas kësaj biseda të gjata mes trafikantëve që planifikonin dërgesa të reja. Në këto biseda është sërish Moisiu që flet për kushëririn e tij politikan madje në disa përgjime ai flet edhe për shifra.
“30 mijë duhet t’ja çoj Saimirit” – thoshte ai.
Politikani “u fut në valle” pas çështjes së makinës së tij të famshme. Kushëriri i tij së bashku me bashkëpunëtorin Sabi Çelaj kishte mbërritur në Siçili me makinën Audi që zotërohej ende formalisht nga ministri.
“Ari jeshil” i Ballkanit nisi t’i dërgohej italianit Sebastiano Sardo, i njohur për syzet e tij të veçanta që pas pak kohësh u bë bashkëpunëtor me drejtësinë, por me një të kaluar si anëtar i klanit Cappello të Catania-s. Për shqiptarët ai ishte “ai me syze” që do t’ju mundësonte shtrirjen e biznesit të tij edhe te armët.
“Nëse i çojmë diçka atij i fusim edhe disa kallashnikovë” – thuhet në përgjime – le të vriten mes tyre. S’na bëhet vonë nëse i duan për njëri – tjetrin”. /Catania.Meridionews –