Al Jazeera reportazh për Shqipërinë: Mijëra njerëz në të ftohtë, qeveria nuk i ndihmon
Rrjeti gjigand televiziv Al Jazeera vazhdon reportazhet për situatën pas tërmetit në Shqipëri. Sërish në këto reportazhe vihet theksi te mungesa e ndihmës nga qeveria.
“Njerëzit e mbetur pa strehë nga tërmeti thonë se qeveria nuk po bën mjaftueshëm për t’i ndihmuar,” thotë gazetarja Laura Frykberg.
Ajo e nis reportazhin nga fshati Mazhë e Madhe, vendi ku tërmeti u ndje më shumë. Një banor i quajtur Zela thotë se nuk kishte kohë për të bërë asgjë, por vetëm për të vrapuar.
Kurse në qytetin e Durrësit, forca e tërmetit dëmtoi muret e një kulle të lartë, duke bllokuar dyert dhe njerëzit brenda.
“Vajza ishte poshtë karriges. Tërmeti ishte kaq i fortë sa lëvizi karrigen dhe atë. Një tullë ra nga muri dhe për pak e goditi”, thotë një banor.
“Pak ka mbetur nga hotelet në Durrës, një goditje e madhe për bizneset dhe një qytet që varet shumë nga turizmi. Mijëra shtëpi janë rrënoja. Komuniteti është bashkuar, duke ofruar ushqim dhe rroba për ata në nevojë. Kjo po ndodh me pak ndihmë nga qeveria shqiptare,” raporton gazetarja.
Aktivisti Aulon Kalaja shprehet: “Njerëzit vijnë këtu për problemet e tyre dhe flasin me ne. Askush tjetër nuk i ndihmon. Jemi vetëm”.
“Në Mazhe e Madhe, kjo çadrë e improvizuar është ajo ku do jetojë familja e Zelës. Do e kalojnë dimrin këtu duke pritur për ndihmë, ndihmë e cila druhen se nuk do të vijë,” e mbyll gazetarja reportazhin.