Al Xhazira:Sirianët drejt Shqipërisë. Kazermat ushtarake si strehime
Kryesore E Martë, 20 Prill 2021 09:38
Përfaqësuesja e agjencisë së refugjatëve të kombeve të bashkuara në Tiranë, në një prononcim për televizionin ndërkombëtar Al Xhazira thotë se refugjatët do të kalojnë shumë shpejt në vendin tonë. Por sipas saj, Shqipëria nuk i ka kushtet e duhura për pritjen e tyre.
Televizioni ndërkombëtar Al Xhazira i ka kushtuar një material të gjatë Shqipërisë dhe kapaciteteve pritëse për refugjatët të vendit tonë. “A është Shqipëria ndalesa tjetër për refugjatët e bllokuar? Një vend me historinë e vet të emigracionit shumë shpejt mund ta gjejë vetën në qendër të krizës Europiane të refugjatëve”. Kështu titullohet shkrimi i Al Xhazirës që e cilëson Shqipërinë si vendin e radhës ku do të përqëndrohet kriza e emigrantëve pas mbylljes së itenerarit ballkanik.
Por çështja kryesore që ngre televizioni ndërkombëtar është se a e ka infrastrukturën e duhur Shqipëria që t’i presë refugjatët. Sipas Marie-Helene Verney e agjensisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, përgjigja ndaj kësaj pyetje është jo.
“Shqipëria ka kazerma ushtarake në kufirin jugor, të cilat cilësohen nga autoritetet si të gatshme për tu përdorur në akomodimin e refugjatëve, por nuk është ashtu. Ato janë të pasigurta dhe të pamjaftueshme. Imagjino, në Greqi janë mijëra persona që shumë shpejt mund të vijnë në Shqipëri, pas disa qindrave kapaciteti do të tejmbushet. Më pas çdo të ndodhë? Qeveria shqiptare është treguar ekstremisht e fshehtë duke mos bërë publik asnjë plan pasi ata thonë se “nëse flasin rreth kësaj çështje në media, refugjatët do të fillojnë të vijnë”. Por ne i tregojmë atyre, refugjatët do të vijnë edhe nëse ju po e planifikoni apo jo”, u shpreh Marie-Helene Verney për Al Xhazirën.
Sipas televizionit ndërkombëtar, në Shqipëri fillimisht është humaniteti pastaj ligji, ndërsa tregon dhe shembuj të mikëpritjes së familjeve shqiptare për kosovarët që u larguan nga vendi i tyre si shkak i luftës në vitin 1999.
Al Xhazira përmend edhe faktin që Shqipëria renditej e dyta për vitin 2015 në Gjermani si shkak i kërkesave për azil. Agjencia e lajmeve arabe citon edhe një refugjatë sirian nga Damasku, i cili thotë se mund ta provojë rrugën nga shqipëria për të arritur në Itali. “Kam frikë nga deti, por jam i dëshpëruar. Do të provoja çdo gjë. Edhe një tjetër udhëtim vdekje në detin Mesdhe”, thotë siriani. Ndërkohë, shumë refugjatë të pyetur nga Al Xhazira, e cilësojnë vendin tonë si një opsion i rrezikshëm që kërkon përdorimin e kontrabandistëve të pamëshirshëm.