Alarmi i Gjermanisë: Luftoni krimin. Situata e drogës, shqetësuese

Mesazhet e Berlinit për qeverinë Shqiptarë sa vijnë dhe bëhen më të forta. Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schutz e cilësi sot situatën e trafikut të drogës në Shqipëri si shqetësuese për qeverinë gjermane.

Në mënyrë të qartë, diplomatja Gjermane deklaroi se Berlini pret që jo vetëm të luftohen organizuarat kriminale, por edhe të kapen kokat e krimit të organizuar.  “Sigurisht edhe situata e krimit të organizuar është shqetësuese për Gjermaninë. Presim të luftohen jo vetëm strukturat e organizuara kriminale, por edhe drejtuesit e tyre”,- tha ambasadorja në një prononcim për “Ora News” gjatë inaugurimit të disa investimeve në Qarkun e Kukësit.

Reagimi i ambasadores vjen pak kohë pasi klasa politike shqiptare është përfshirë në debatet për kanalizimin e vendit dhe mungesën e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar. Disa javë më parë, në përgjigje të shqetësimit të ndërkombëtareve qeverie nisi operacionit “Forca e Ligjit”,  i cili synon goditjen e grupeve të strukturave.

Pjesë e operacionit “Forca e Ligjit” janë dhe ekspertë gjermanë të vendosur pranë strukturave ligjzbatuese shqiptare.  “E përshëndesim faktin që pranë Ministrisë së Brendshme, është ndërmarrë hapi konkret lidhur me luftën kundër krimit të organizuar dhe në veçanti ndaj kanabisit. Për këtë angazhim ne do të kemi edhe një konsulencë afatgjatë. E rëndësishme është të arrihen rezultate konkrete në reduktimin e sasisë të kultivim të drogës por edhe në luftën kundër strukturave të krimit të organizuar”,- tha diplomatja Gjermane. Për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Gemania shpreson për hapa të mëtejshme në kohën kur edhe procesi i vettingut ka hyrë në fazën e tij operative.

Ky është mesazhi i dytë i Berlinit brenda pak ditësh për situatën në Shqipëri. Një javë më parë, Christian Hellbach, Drejtor për Europën Jug-Lindore në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë kritikoi qeverinë për mënyrën sesi reagoi ndaj çështjes “Tahiri”.

Diplomati gjerman deklaroi se asnjë person nuk mund të gëzojë mbështetje politike. “Një nga detyrat thelbësore të Shqipërisë në kuadër të përafrimit me BE-në është lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për këtë arsye do të nevojitej konsolidimi i organeve ligjzbatuese në aktivitetin e tyre si edhe procese të ndjekjes penale pavarësisht personit. Po kështu nuk duhet të abuzohet me imunitetin parlamentar për të mbrojtur të mandatuarit prej aksesit të drejtësisë, nëse ka mjaftueshëm momente konkrete dyshimi. Ky është një imperativ i shtetit ligjor”- deklaroi Hellbach duke vënë theksin në rëndësinë e zbatimit të ligjit.

SHKARKO APP