Albin Kurti gjithçka në interes të zgjedhjeve parlamentare, edhe stabilitetin e Kosovës!

Synimi i qeverisë së Kosovës pas hapjen e urës mbi lumin Ibër, mbyllja e zyrave të Postës së Serbisë dhe protestat e serbëve të veriut, bënë që të ketë reagime të shumta ndërkombëtare duke e akuzuar qeverinë e Kosovës për veprime të njëanshme dhe të pa pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin rajonal.

Por me sa duket po vijnë zgjedhjet parlamentare në muajin shkurt të vitit të ardhshëm dhe kryeministri po luan gjithçka për gjithçka, synon se si të shtojë votat, edhe duke u përplasur me BE dhe SHBA. Mjafton të marrë vota popullore edhe nëse te Ura e Ibrit do të ketë përleshje apo fatkeqësisht, të vrarë!

Data e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për mbajtjen e zgjedhjeve është 2 shkurti. Lëvizja Vetëvendosje e ka mbajtur të fshehtë propozimin e saj për datën e zgjedhjeve, teksa partitë e tjera politike kishin dhënë nga një datë.

Tri partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, patën deklaruar si datë 26 janarin. E, shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, që është edhe kryetare e Alternativës, si më të favorshme i pati dhënë 9 dhe 16 shkurtin.

Ndërkohë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po shikon datën e zgjedhjeve e cila sidos të jetë, plus-minus, do të jetë brenda muajit shkurt 2025.

Albin Kurti ndonëse mbetet parti kryesore me Lëvizja Vetëvendosje, përsëri ka humbje të kuotave publike, çka e bën atë të krijojë përplasje të dhunshme që të krijojë në popullin kosovar figurën e heroit të Kosovës.

Realisht Ura e Ibrit po sjell konflikt mes Kosovës dhe aleatëve si në Europë, por edhe aleatin e madh, siç është Amerika.  Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për mediet amerikane,”se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë”.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori Hovenier. Ai shton se “shpresa jonë është që qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime.

Nga ana tjetër zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano thotë se Kosova rrezikon të mbetet e vetme dhe mbrapa, nëse nuk i dëgjon miqtë dhe aleatët e saj. Stano shton se ky qëndrim është bërë i qartë nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe.

”Dua t’i rikujtoj të gjithë ata të cilët kanë problem të dëgjojnë dhe kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës [BE, SHBA, NATO dhe Britania e Madhe] kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se është në interes të Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, ndryshe rrezikohet që të mbetet e vetmuar dhe të mbetet prapa”, tha Stano.

Ka reaguar dhe Vjosa Osmani. Ajo tha: “Ne duhet të sigurohemi që kur të hapet (ura) të mbetet e hapur dhe jo që kur të hapet të nxisë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. A është në interes të Kosovës që ne të shohim konflikt mes policisë sonë dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptar që pajtohet me një gjë të tillë. Pra të sigurohemi që gjëra të tilla të mos ndodhin, sepse ne nuk kemi arsye të kemi konflikt me aleatët tanë”, saktësoi presidentja Osmani.

Por Albin Kurti është i vendosur që të hap Urën, me të gjitha format e forcat, pavarësisht se mund të krijojë përplasje të dhunshme.

BE dhe SHBA i frikësohen  një konflikti të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë.

Në të vertetë Ura duhet hapur, por momenti i gjetur nga Kurti është në funksion të zgjedhjeve politike të shkurtit 2025./S.P./

SHKARKO APP