Aleati i Ramës nuk njeh 30 qershorin, Paskal Milo: Zgjedhjet e njëanshme nuk i shërbejnë integrimit

Edhe aleatët e Kryeministrit Edi Rama janë kundër zhvillimit të zgjedhjeve më 30 qershor. Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo ka zhvilluar sot një takim me Presidentin Ilir Meta për diskutimin e datës së re të zgjedhjeve.

Në një prononcim për mediat, pas takimit me Presidentin, Paskal Milo tha se zgjedhjet e njëanshme nuk i shërbejnë integrimit të vendit. “Nuk është e rëndësishme data, por stabiliteti i vendit. Zgjedhjet e njëanshme nuk i shërbejnë integrimit. Zgjedhjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse”,- tha Milo.

PDS bëhet kështu partia e parë aleate e Ramës që pranon shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale. Kjo parti është regjistruar gjithashtu në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhje në datën e parë të përcaktuar nga Meta, por Milo tha të hënën në emisionin ‘Open’ se ndihet i shqetësuar se kriza e rëndë politike mund të shkaktojë një shpërthim social të pakontrolluar.
Më herët në Presidencë ishin partitë aleate të Partisë Demokratike për të diskutuar me Metën mbi datën e re të zgjedhjeve. Dashamir Shehi theksoi se në takim nuk pati një propozim konkret, por data e re do të përcaktohet pas një marrëvesheje politike, nëse PS dhe PD do i përgjigjen pozitivisht ftesës së presidentit.

SHKARKO APP