Arvizu, ish-ambasadori i SHBA: Presidenti Meta ka ide të mira dhe të paktën duhet ta dëgjojnë
Alexander Arvizu, ish-ambasadori i SHBA në Tiranë në një intervistë me skype nga Washingtoni me gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu ndër të tjera ka thënë pas pyetjes se gazetarit :Të qëndrojmë edhe pak te çështja e krizës aktuale politike në Shqipëri. Ju keni shërbyer si Ambasador në Shqipëri për shumë vite, keni shumë miq këtu, dhe ndaj do doja një këshillë miqësore nga ana juaj për politikanët shqiptarë, se si ta përballojnë ose se si ta kalojnë situatën aktuale politike?
Arvizu: Specifikisht është e vështirë ta them, e keni parasysh, por duke u distancuar, mund të them se po shoh të njëjtat probleme sot si atëherë, që lidhen me politikanët, të cilët, mendoj se nuk po përpiqen aq sa duhet për të dëgjuar popullin, për t’i dëgjuar votuesit e tyre.
Mendoj se Qeveria Rama mund të bënte më shumë në aspektin e të dëgjuarit të popullit. E kuptoj se disa tregohen shumë të ashpër, dhe sidomos kur bëhet fjalë për median dhe është e kuptueshme që të humbet durimi. Por edhe në Shtetet e Bashkuara kemi një problem të madhe me presidentin aktual, i cili ka pikëpamje shumë armiqësore ndaj mediave, gjë që është e gabuar, dhe nuk ka asnjë justifikim për këtë lloj sjellje. Sigurisht (falë zotit), Kryeministri Rama nuk ka asnjë lidhje me Z. Trump. Sidoqoftë, mendoj se është e rëndësishme që Kryeministri, ministrat e tij dhe deputetët socialistë të kenë pak më shumë durim. Shpesh dëgjoj që i atribuohet epiteti arrogant. Kjo është e zakonshme, kur nuk të pëlqen një politikan, i vë epitetin arrogant. Por, ju duhet të siguroheni që çfarëdo që bëni apo çfarëdo që thoni të mos duket arrogante. E njëjta gjë vlen edhe për opozitën. Mendoj se PD ka nevojë të reflektojë, të përpiqet për të gjetur një vizion më të mirë për të ardhmen.
Sa për LSI, pozita e saj është pak më e vështirë, sepse edhe në zgjedhjet e vitit 2013, përgjithësisht mendohej se nuk do të fitonte asnjë mandat, por mesa di unë fitoi rreth njëzetë apo diçka e tillë. E njëjta gjë ndodhi edhe në zgjedhjet e vitit 2017. Pra, LSI është e vendosur që të qëndrojë dhe ndaj është e rëndësishme, dhe e kam diskutuar edhe me znj. Kryemadhi, që të gjejnë drejtimin e duhur për LSI, sepse mendoj se edhe LSI mund të luajë një rol të rëndësishëm. E përmenda edhe më pak më parë gjatë kësaj interviste rolin e Presidentit. Mendoj se Presidenti Meta ka ide të mira, dhe të paktën duhet të përpiqen që ta dëgjojnë. Në Shqipëri ka shumë njerëz që duan një zgjidhje pozitive. Por, është e rëndësishme që të mos i drejtohemi arrogancës, të heqim dorë nga mënyra e vjetër, nga mendësia e shkollës së vjetër, dhe kur kjo të ndodhë, vetëm atëherë Shqipëria do të shohë përmirësim.