Ambasada e SHBA: Takimet me grupet parlamentare zhvillohen javën tjetër
Ambasada e Shteteve të bashkuara të Amerikës në Tiranë, ka reaguar për shtyrjen e mbledhjeve me grupet parlamentar të PD, PS e LSI. Takimet e veçanta me grupet parlamentare ishin parashikuar të zhvilloheshin ditën e sotme. Por edhe pse grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka refuzuar gjatë ditës së sotme takimet me diplomatët, ambasada e SHBA ka deklaruar se po punohet që takimet të zhvillohen.
Në njoftim thuhet se ambasadori i SHBA dhe BE kanë rënë dakord që të takohen me të treja grupet parlamentare.
Përmes një deklarate për mediat, Ambasada amerikane thekson se po punohet që takimet e Lu e Vlahutin të zhvillohen javën e ardhshme.
Zëdhënësi i ambasadës së SHBA, Rayan Roberts, tha se ambasadorët do të takojnë të tre grupet parlamentare. “Ne po punojmë që mbledhjet të zhvillohen javën e ardhshme. Ambasadorët Lu e Vlahutin kanë rënë dakord që të takohen me secilin prej grupeve parlamentare në radhë sipas numrit të deputetëve. Lu e Vlahutin do të takojnë grupet parlamentare të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.
http://www.kohajone.com/2016/05/05/ps-dhe-pd-shtyjne-mbledhjet-kane-frike-pranine-e-ambasadoreve/