Ambasadori italian thirrje kryeministrit Rama: Tërhiqu, bëj hapa pas!
Ambasadorët e huaj po fillojnë të kthjellohen nga kriza. Ambasadori italian Alberto Cutillo ka bërë një deklaratë të fortë për krizën politike në vend, teksa ka thënë se mazhoranca duhet të bëjë një hap pas nga pozicioni i saj.
Sipas Cutillos kriza politike po dëmton ekonominë e vendit, dhe po tremb investitorët e huaj, duke mos e zgjeruar biznesin në Shqipëri. “Kriza politike mund të ndikojë në vendimin e Brukselit për negociatat, prandaj duhet që të ketë një reagim të menjëhershëm. Zgjatja e pasigurisë politike nuk është në të mirë të vendit. Mazhoranca duhet të bëjë një hap pas dhe të arrijë një dialog politik, pasi është përgjegjësia e tyre për atë që ndodh në vend”, u shpreh Cutillo.
“Që të nisësh dialogun me opozitën nuk do të thotë që të plotësosh të gjitha kushtet e saj, po të diskutosh lidhur me problematikat që ajo ka ngritur siç është blerja e votave apo korrupsioni, diskutim që do të ishte në interes të vendit”, tha më tej ambasadori.