Ambasadori Lu kërcënon politikën

Ambasadori i SHBA-ve Donald Lu u bënë thirrje deputetëve të votojnë në mënyrë individuale reformën në drejtësi. Në një koment drejtuar të rinjve, ai ndalet në procesin që është ndjekur deri më sot. Ambasadori nuk e fsheh zhgënjimin nga klasa politike në vend lidhur me miratimin e reformës.

“Z. Rama dhe Z. Basha u përpoqën ta bënin këtë më 6 qershor. Ata dështuan në arritjen e një marrëveshjeje. Tre herë që prej 4 majit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ofruar propozime të arsyeshme kompromisi. Mazhoranca i ka pranuar këto propozime. Z. Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar”,- thotë Lu.

Ambasadori shton se shqiptarët janë të lodhur nga lojërat politike dhe u bënë thirrje personale deputetëve të votojnë reformën.

“Nga ana tjetër, ndoshta udhëheqësit e partive politike të Shqipërisë kanë frikë nga kjo reformë dhe nuk janë të gatshëm të bëjnë asnjë marrëveshje. Në këtë rast, u bëj thirrje anëtarëve individualë të Kuvendit që të marrin përgjegjësinë për të votuar në favor të kësaj reforme. Votimi është planifikuar për datën 21 korrik. Është koha për të vendosur’,- thotë Lu.

Komenti i plotë i Ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu:

Shqiptarët më pyesin shpesh se cilat janë anët më të mira dhe më të këqija të punës sime. Përgjigjja është e lehtë. Ana më e mirë e punës sime është të takohem me studentë të zgjuar. Ana më e keqe e punës sime është të përjetuarit e politikës shqiptare nga afër.

Ndoshta studentët mund t’u mësojnë politikanëve diçka. Shumë njerëz inteligjentë kanë punuar për reformën në drejtësi për gati dy vite. Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord për pothuajse gjithçka përveç një hollësie të fundit: kërkesën e opozitës për vendet e rezervuara. Çfarë do të na sugjeronte një nxënës për zgjidhjen e këtij problemi?

Është e thjeshtë. Çdo fëmijë do t’ju thoshte se të dy palët duhet të mos ofendojnë më njëri-tjetrin dhe të mos përdorin më epitete fyese ndaj njëri-tjetrit. Duhet të ulen si të rritur dhe t’i zgjidhin çështjet përmes kompromisit.

Është e vërtetë që Z. Rama dhe Z. Basha u përpoqën ta bënin këtë më 6 qershor. Ata dështuan në arritjen e një marrëveshjeje. Tre herë që prej 4 majit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ofruar propozime të arsyeshme kompromisi. Mazhoranca i ka pranuar këto propozime. Z. Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar.

Mendoj se populli shqiptar është i lodhur që politikanët e tij bëjnë lojëra. Nëse opozita dhe qeveria duan të realizojnë një marrëveshje, ne u kemi ofruar tre zgjidhje kompromisi që janë tërësisht në përputhje me paragrafët 61 dhe 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias. Politikanët nuk është e thënë të marrin idetë dhe sugjerimet tona, por ata duhet ta gjejnë kompromisin.

Nga ana tjetër, ndoshta udhëheqësit e partive politike të Shqipërisë kanë frikë nga kjo reformë dhe nuk janë të gatshëm të bëjnë asnjë marrëveshje. Në këtë rast, u bëj thirrje anëtarëve individualë të Kuvendit që të marrin përgjegjësinë për të votuar në favor të kësaj reforme. Votimi është planifikuar për datën 21 korrik. Është koha për të vendosur.

Çdo udhëheqës politik partiak, çdo deputet i Kuvendit dhe çdo i ri e di se populli i Shqipërisë e mbështet në shumicën dërrmuese reformën në drejtësi. Cilët janë këta udhëheqës partish politike që i thonë popullit shqiptar se nuk mund ta ketë këtë reformë?

Unë kam një kërkesë për brezin e ri të shqiptarëve. Ju bëj thirrje të gjithëve që t’u thoni udhëheqësve që ju keni votuar se e doni këtë reformë. Shkruajini një letër. Bëni postime në median sociale. Flisni me miqtë tuaj. Vota e 21 korrikut do të përcaktojë drejtimin e vendit. Bëjuni me dije udhëheqësve tuaj se doni të rriteni në një vend të lirë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Thuajuni atyre se doni që Shqipëria të jetë një demokraci ku zërat tuaj do dëgjohen dhe ku ju do të trajtoheni në mënyrë të drejtë dhe me respekt.

SHKARKO APP