Ambasadorja BE, Vlahutin: Lufta ndaj kanabisit, kusht i fortë për negociatat

Qeveria shpreson që në muajt në vijim të ketë qëndrim pozitiv nga Brukseli për hapjen e negociatave. Por përveç kushteve që janë bërë të njohura prej vitesh për Shqipërinë, duket se qeveria “Rama II” do të ketë një tjetër problem madhor në raportet me Bashkimin Europian.

Rritja e ndjeshme e kultivimit dhe trafikut të kanabisit gjatë viteve të fundit ka bërë që autoritetet e BE ta përcaktojnë luftën kundër drogës si kusht të veçantë për Shqipërinë, brenda kushteve të njohura tashmë.

Për herë të parë, çështja e kanabisit është përmendur në mënyrë të qartë sot nga Ambasadorja e BE-së, Romana Vllahutin. Në takimin për Shkollën Verore Europiane, diplomatja e BE vuri theksin në luftën kundër drogës, si pjesë e procesit të integrimit.

“Është e qartë për të gjithë çfarë lipset që të ndodhë sa i takon 5 prioriteteve kyçe, por në veçanti lidhur me të gjithë aspektet e ligjit dhe me luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë asgjësimin e kultivimit dhe tregtisë së kanabisit”,- tha Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së në Tiranë.

Në terma të përgjithshëm BE ka vendosur 5 kushte për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Ato janë: Reforma në administratën publike, Pavarësia e sistemit të drejtësisë, Lufta kundër korrupsionit, Lufta kundër krimit të organizuar dhe Mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Për herë të parë nga një diplomat i BE-së theksohet në mënyrë të veçantë lufta kundër drogës. Fenomeni i drogës ka ekzistuar dhe më parë në vendin tonë, por kjo përmblidhej në togfjalëshin “krimi i organizuar”. Ndërsa tashmë droga është një çështje që përmendet në mënyrë specifike në rastin e Shqipërisë.

Ky qëndrimin i diplomates së BE bie në kundërshtim dhe me deklaratat e qeverisë “Rama”. Që në vitin e dytë të mandatit qeverisës, kur kultivimi i hashashit u bë masiv, qeveria dhe ministrat e Edi Ramës fajësuan mediat për “fryrje” të problemit. Vetë Kryeministri Edi Rama akuzoi jo pak herë mediat se nuk raportonin shifrat të sakta.

Por pavarësisht qëndrimeve të qeverisë shqiptare, disa vizita të prokurorëve italianë në Shqipëri nxorën në dritë shqetësimin real të vendeve fqinjë për drogën. Kapja e tonelatave me drogë në brigjet e Italisë kthehu edhe një herë vëmendjen e autoriteteve të huaja ndaj Shqipërisë, si vend prodhimi masiv i kanabisit.

Çështja e kanabist tashmë nuk është më vetëm për debat publik në Shqipëri, por ka kaluar në institucionet e BE. Qeveria e re duhet të bind Brukselin në luftën kundër drogës.

Për mbjelljen dhe trafikun masiv të hashashit në Shqipëri tani nuk flasin më vetëm “mediat e kazanit”, siç i quan shpesh Kryeministri, por vet Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë.

SHKARKO APP