Analistët: Erion Braçe nuk është Ben Blushi!

Analisti Mentor Kikia nuk i sheh Erion Braçen dhe Elisa Spiropalin si zëra realisht ndryshe brenda Partisë Socialiste. Sipas tij, ajo që shpesh perceptohet si kritikë e brendshme, në fakt mbetet në kufijtë e një debati të kontrolluar, që nuk prek thelbin e pushtetit dhe mënyrën si funksionon partia. Dhe nuk bëhet për interesa parimore të së majtës.

Kikia sjell në vëmendje një krahasim të drejtpërdrejtë me Ben Blushin, i cili në të kaluarën përfaqësonte një zë të fortë kritik brenda PS-së. Kur Blushi fliste, ai ngrinte çështje parimore, sfidonte hapur drejtimin e partisë dhe artikulonte me fakte problematika të thella, përfshirë mënyrën se si po ndërtohej pushteti. Sipas analistit, kjo është diferenca thelbësore me situatën e sotme: atëherë kishte debat për parime, sot ka vetëm kritika për detaje dhe karrike.
Kur fliste Ben Blushi, kryeministri Rama nuk flinte gjumë. Kur flet Braçe, Rama as nuk e lë të hyjë te asambleja e PS ku u zgjodh deputet!

Erion Braçe, sipas Kikisë, ka folur herë pas here në Kuvend për çështje si bujqësia, problemet urbane, gropat në rrugë apo menaxhimi i mbetjeve. Por këto, për analistin, nuk përbëjnë opozitë të vërtetë brenda partisë. Një zë ndryshe nuk matet me kritika për administrimin e përditshëm, por me sfidën ndaj mënyrës si ushtrohet pushteti. Dhe në këtë drejtim, Braçe nuk ka hapur asnjëherë një debat të thellë mbi drejtimin e PS-së apo përqendrimin e vendimmarrjes. Apo pse PS-ja nuk është më parti e majtë apo pse ajo mbron interesat e oligarkëve e jo shtresat e varfera.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas Kikisë, në Partinë Socialiste nuk zhvillohen primare dhe kandidatët nuk dalin nga gara e brendshme, por përcaktohen nga vullneti i kryetarit të partisë. Në këtë kuptim, çdo ambicie politike, përfshirë edhe atë të mundshme të Braçes për Bashkinë e Tiranës, varet nga një vendim i vetëm. Nëse Rama do, një kandidaturë mund të vendoset brenda 24 orësh; nëse nuk do, ajo nuk ndodh.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në këtë realitet, ajo që paraqitet si unitet brenda PS-së, sipas Kikisë, është në fakt mungesë e debatit të vërtetë. Ideja se diskutimet bëhen “brenda shtëpisë” siç flet Braçe, nuk përkthehet në pluralizëm, por në disiplinë politike. Dhe për këtë arsye, sipas tij, nuk mund të flitet për zëra ndryshe në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Në fund, dallimi mes Ben Blushit dhe Erion Braçes mbetet i qartë: i pari përfaqësonte një debat parimor dhe një sfidë të hapur ndaj lidershipit, ndërsa i dyti, sipas kësaj analize, mbetet brenda kufijve të një kritike që nuk cenon thelbin e pushtetit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?