Analisti Mërtiri: “Nuk ka mosbindje civile, është lojë, gjithçka është teatër”
Para pak muajsh u tha nga selia e PD se mosbindja civile do të rrëzojë Edi Ramën, se do të kemi qeveri teknike, por asgjë nuk u bë. Kryeministri vazhdon i qetë, deputetët e PD dhe ithtarët e Berishës, po luajnë të jenë te lista e sigurtë, paçka se pushteti duket larg.
Analisti Ergys Mërtiri, thotë se “Komisioni për Sterilizimin nuk ka çfarë të nxjerrë. Ky Komision është nul, pasi këtë çështje po e heton SPAK, që është institucion më serioz. Këta në atë Komision po pyesin Ilir Beqajn, që e ka arrestuar SPAK. E gjitha bëhet për zhurmë. Komisioni ishte produkt i marrëveshjes Berisha-Rama, e gjitha kjo është pjesë e spektaklit. Për mua, opozita nuk duhet të kishte dalë nga parlamenti. Opozita bën sikur zihet dhe të krijohet ideja sikur këtu po ndodh gjëma. Nuk ka mosbindje civile, është lojë, është teatër. Mosbindja civile nuk është e dhunshme dhe nuk e bën partia opozitare, por e bën populli. Që të bësh mosbindje civile, duhet që të kesh popullin me vete, duhet që njerëzit mos shkojnë në punë dhe qeveria të ulet në tryezë për marrëveshje. Kjo “mosbindja civile” i ka shërbyer Ramës. Qytetarët kanë halle të tjera e jo hallin e Sali Berishës. Kur opozita del në rrugë, ju krijon probleme me vonesa qytetarëve. PD duhet të kishte prodhuar figura të reja, program të ri. Kjo është qeveria më e keqe që Shqipëria ka pasur ndonjëherë, por populli nuk e mbështet opozitën, sepse oligarkët i kanë njësoj”, tha Mërtiri.
Mosbindja civile u kthye në bindje ndaj kryetarit të PD, kush endërron të futet deputet.