Analizë e “Europa e Lirë”: Çfarë pritet të bëjë Trump në politikën e jashtme?

Trump ka thënë se mund t’i japë fund luftës në Ukrainë “brenda 24 orëve”.

Me Izraelin të përfshirë në një luftë me dy fronte në Lindjen e mesme kundër grupeve të armatosura të mbështetura nga Irani, Trump i ka bërë thirrje Izraelit “ta kryejë punën”.

Peter Skerry, profesor i shkencave politike në Kolegjin e Bostonit, ka thënë se pret që Trump të “japë shtytje për një lloj zgjidhjeje” ndërmjet Moskës dhe Kievit, të cilat, siç ka parashikuar ai, “nënkuptojnë lëshime të mëdha nga ana e Ukrainës”.

Kryeministri hungarez Orban ka deklaruar se “një fitore e Trumpit detyron Evropën të rimendojë ndihmën për Ukrainën”.

Ajo çfarë Trump do të bëjë në lidhje me Izraelin është më pak e qartë, sipas Skerryt, por ai ka thënë se “do të jetë mbështetës i madh i Izraelit”, ndërsa në të njëjtën kohë do të përpiqet t’i ngjallë Akordet e Abrahamit, që synojnë normalizim arabo-izraelit.

Kina, me të cilën Trump ka nisur një luftë tregtare gjatë mandatit të tij të parë në pushtet, është fushë e paparashikueshme. Trump është zotuar se do të miratojë më shumë tarifa të larta ndaj produkteve të prodhuara në Pekin, nëse Pekini “e okupon Tajvanin”. Ai më herët ka thënë se nuk do t’i duhej ta përdorte forcën ushtarake amerikane për ta parandaluar një bllokadë të mundshme kineze të Tajvanit, për shkak të marrëdhënies së tij me presidentin kinez, Xi Jinping.

Ndikimi global

Në katër vjetët e tij si president, Trump u ka kërkuar anëtarëve të NATO-s që t’i arrijnë nivelet e kërkuara të shpenzimeve për mbrojtje, objektiva që shumica i kanë përmbushur që atëherë.

Trump ka mbikëqyrur, po ashtu, tërheqjen e SHBA-së nga organizmi kulturor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNESCO, nga Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) me Rusinë, nga marrëveshja bërthamore me Iranin e arritur me fuqitë botërore, nga Marrëveshja e Parisit për zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike, dhe ka ndërprerë fondet për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, për shkak të reagimit të saj ndaj shpërthimit të koronavirusit.

Administrata në largim e Bidenit u kujdes që të kthejë ndikimin amerikan në marrëveshjet dhe institucionet e tilla, por shumë njerëz tani parashikojnë një tjetër hap prapa nga Trump.

Skerry ka thënë se Trump është “aktor që ka një qëllim dhe shikon interesat e veta”, i cili është i fokusuar në çështjet e brendshme. Nuk do të ishte befasuese që nga Donald Trump ta shihnim “vazhdimin” e kufizimit të rolit të Uashingtonit në disa institucione globale, ka thënë ai.

Naughton ka thënë se “Trump do të dojë t’i bëjë prapë gjërat vetë”. Por, ai ka shtuar se Kongresi i SHBA-së nuk pritet “të bëjë amin” dhe do të rezistojë ( marrë me shkurtime nga REL).

SHKARKO APP