Arben Ahmetaj: Nuk ka kthim pas! Të gjitha lojërat e fatit do të mbyllen deri në 31 dhjetor 2018!

Pas miratimit në Komisionin e Ekonomisë të projektligjit për mbylljen e lojërave të fatit, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj deklaron se nuk ka më kthim pas për heqjen e lojërave të fatit.

Në një postim në Facebook, Ahmetaj shprehet se qytetarët shqiptarë nuk do të vuajnë më nga pasojat shkatërruese të kumarit.

Gjithashtu, Ministri deklaron se qeveria do të ketë një plan për trajnimin dhe kualifikimin e personave që do të mbeten pa punë nga mbyllja e këtij aktiviteti.

Postimi i plotë i Ahmetaj në Facebook:

Nuk ka më kthim pas! Lojërat e Fatit do mbyllen deri në 31 dhjetor 2018!

Sot në Komisionin e Ekonomisë, miratuam projektligjin që i hap rrugën c’rrënjosjes përfundimtare të fenomenit të lojërave të fatit, e hap një faqe të re për shumë familje, gra, të rinj e të reja shqiptare, që në vite e vite provuan në kurrizin e tyre e të familjeve të tyre pasojat e rënda sociale të lojërave të fatit.

Nga 1 janari 2019, në Shqipëri:

– Nuk ka më kompani bastesh sportive;
– Nuk ka më baste për garat në pistë;
– Nuk ka më salla bingosh;
– Nuk ka më lojëra elektronike në distancë;
– Nuk ka më kazino elektronike

Në të njëjtën kohë, ne do të marrim të githa masat që përmes një programi të mirë-menduar trajnimi dhe kualifikimi, të adresojmë shqetësimin e atyre individëve që do mbeten pa një punë nga mbyllja e këtyre bizneseve, e nga ana tjetër, përmes rritjes ekonomike dhe konsolidimit fiskal, të mund të menaxhojmë efektin financiar në buxhetin e shtetit. #EGjitheVemendjaTekQytetaret.

 

SHKARKO APP