Arben Malaj, kryeministrit: Ju, po të kishit mundësi, shkarkonit edhe Papën!

Postim i plotë i Arben Malajt në Facebook si reagim për nismën e deputetëve të PS për shkarkimin e tij nga anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Në të vertetë kërkesa për shkarkim nga parlamenti nuk lidhet me “shkeljen e etikës” nga Arben Malaj por me ato çka ai di dhe po kërkon të hetohen për transfertat mafioze të disa bankave të nivelit të dytë në llogari të fshehta jashtë shtetit.

Dhe të tjera probleme të Bankës së Shqipërisë! Kjo është e verteta e nismës për shkarkim.

Ja postimi i Arben Malajt:

Të dashur inicues realë të kërkesës për shkarkimin tim!

Integritetin njerëzor dhe kredibilitietin profesional (timin) as e blini dhe as e cënoni dot, sot dhe deri në fund të angazhimeve të mia publike, profesionale apo politike. Kjo u ka bërë të hidhni poshtë fasadat dhe të tregoni thelbin e kësaj hakmarrje, jo vetëm politike.

Ju ribëj publikisht të qartë se aspak nuk dënohet reputacioni Bankës së Shqipërisë, i cili deri në të shkuarën shumë të afërt është tronditur shpesh nga dështimi i keq-qeveries së saj deri në vjedhjet e përsëritura nga brenda dhe jashtë saj.

Këtë shqetësim kam ngritur që në ditën e parë të mandatit plotësues të KMBSH.

Aktualisht edhe Banka e Vatikanit, më e errëta dhe sekrete në botë, po bëhet më transparente dhe po dënohen abuzuesit e saj.

Falenderoj Zotin që ju, inicuesve realë që hidhni gurin dhe fshihni dorën, nuk ju ka dhënë fuqi mbihyjnore të kërkoni edhe shkarkimin e Papa Franceskut, që po inicion këtë proces historik për të hedhur dritë në skutat më të errëta të bankes më sekrete të botës.

SHKARKO APP