Dekreti presidencial: Arbeni i shkarkuar, Ahmetaj i paemëruar !
Kryesore E Martë, 20 Prill 2021 02:35
Qeveria “Rama” pritet që sot te mbetet pa dy ministra për njëfarë kohe. Pas largimit të Shkëlqim Canit nga Ministria e Financave dhe zëvendësimit të tij me ministrin Arben Ahmetaj, si dhe emërimin e Milva Ekonomit në ministrinë e Ekonomisë, Kryeministri ka ndjekur procedurën për dekretim të tyre te Presidenti. Dje kreu i shtetit publikoi dy dekrete, ku njoftohej shkarkimi i Shkëlqim Canit nga ministria e Financave dhe po ashtu shkarkimi i ministrit Ahmetaj nga ministria e Ekonomisë. Ndërkohë që mungojnë dekretet për emërimit në detyrën e re si ministër Financash të Arben Ahmetaj dhe të Milva Ekonomit në detyrën e Ministres së Ekonomisë. Ditën e sotme pritet që Kuvendit të kalojë në seancë dy dekretet e kreut të shtetit. Por nëse votimi kryhet dy ministri të qeverisë do të mbeten pa ministra deri në dekretet e kreut të shtetit. Në rast se mazhoranca gjykon që nuk duhen votuar sot shkarkimet pa emërimet, Parlamenti ka 10 ditë kohë për të vendosur. Por sipas burimeve presidenciale thuhet se parlamenti duhet të votojë dy dekretet e shkarkimit të dy ministrave dhe më pas Presidenti të ketë mundësine dy vendeve të lira, të cilat i dekreton, gjithnjë nëse nuk kanë ndonjë kleçkë dy emrat e propozuar për ministër.
Ligjërisht Presidenca është brenda afatit kushtetues. Sipas nenit 98 të Kushtetutës kreu i shtetit ka 7 ditë afat për të dekretuar emërimin ose shkarkimin e një ministri, pas propozimit nga kryeministri. Por nëse u referohemi rasteve të mëparshme, si dekretimi dhe shkarkimi i ministrave kanë kaluar në grup nga kreu i shtetit. Rastet e vonesave në dekretim nga kreu i shtetit kanë të bëjnë me verifikimin e figurës së një zyrtari që merr postin e ministrit. Ministri Ahmetaj është një nga anëtarët e kabinetit “Rama” më të akuzuar nga ana e opozitës. Gjatë ditës së djeshme, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi betejë në Parlament për emërimin e Arben Ahmetajt nga Rama në krye të financave. Vetë kreu i PD-së ka denoncuar një rast për landfillin në Elbasan ku sipas tij, Ahmetaj përfiton 10 mijë euro në ditë. Ndërsa pjesë e akuzave të përditshme të opozitës është dhe roli i ministrit Ahmetaj në projektin për ndërtimin e Hidrocentralit të Skacivës. Të gjitha këto akuza e bëjnë Ahmetaj një nga ministrat më të sulmuar për korrupsion nga Partia Demokratike, ndërsa selia rozë e quan si një nga ministrat me praktikë e më rezultativ pas ministrit Tahiri.
Duke parë replikat e ditëve të fundit mes Presidentit dhe Kryeministrit bllokimi i ministrave, sipas selisë rozë, shënon një tjetër tension mes dy institucioneve. Gjatë vizitës të Sekretarit të Shtetit Amerikan, John Kerry kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Nishani shkëmbyen replika të ashpra për çështjen e protokollit të vizitës. Replikat mes Nishanit dhe Ramës vijuan në media ku nuk munguan dhe batutat ironike te Kryeministrit. Kjo situatë tensioni mes Presidentit dhe Kryeministrit është reflektuar dhe në marrëdhëniet institucionale shtetërore duke lënë bosh dy karrige në kabinetin “Rama”. Sigurisht ministritë funksionojnë dhe me zëvendësministra, por loja me dekretet është një shenjë që lufta mes Presidentit dhe Kryeministrit ka arritur në pikën kritike ku duket se libohoviti nuk tërhiqet para kreut të PS-së.
Pavarësisht kësaj situata është e pakëndshme për qeverinë dhe për vetë Arben Ahmetaj. Dje ishte ministër që ju dha miratimi nga Rama për të drejtuar financat, por tashmë është vetëm një ish-ministër, derisa Presidenti të publikojë dekretin, nëse nuk ka ndonjë dosje nga prokuroria.
Mundet qe e gjitha të jetë një lojë nervash mes presidencës dhe kryeministrisë, porse në këtë rast firmën duhet ta hedhë Numri Një i Shtetit.
Ndërkohë duhet shkarkuar ministri Arben që të firmoset ministri Ahmetaj!