Ardit Gjebrea flet për herë të parë për intervistën me Marjan Rrokun
Nëse do të nevojitej të shpjegoheshin ngjyrat në një tablo, atëherë jo domosdo është faji i pikturës. Nëse do të duhej të shpjegohej ritmi i një zhanri muzikor, si rregull ky nuk do të ishte faji i muzikës. Nëse do të duhej të shpjegoheshin njëra pas tjetrës arsyet e marrjes së një interviste, si lindi ideja, pse u zgjodh ai subjekt për t’u intervistuar, çfarë tha, si e tha, pse e tha, atëherë me gjasë vetë intervista ka një problem.
Unë sot nuk dua as të gjej probleme të tilla, as të sajoj probleme edhe aty ku nuk ka dhe as të trajtoj si problem një vorbull të jashtëzakonshme mediatike me të vërteta, me gjysëm të vërteta dhe me gënjeshtra të plota që shpërtheu prej ditësh. Në jetë, si në politikë dhe në shah, nuk shkohet gjatë duke i nisur fjalitë me nëse, por nëse një shërbim gazetaresk do të paragjykohej në këtë formë dhe në këtë mënyrë, atëherë vetë shërbesa nuk do të kishte të bënte shumë me këtë formë të komunikimit njerëzor.
Për kritikët dhe cinikët do të ishte shumë më e lehtë ose të përgjigjesha me heshtje dhe të vijoja punën time, ose të zgjidhja të pranoja gjithë marrëzitë që në forma dhe ngjyra të ndryshme u shfaqën në gjithë ditët e kësaj jave – duke pranuar që në krye të herës se pas intervistës të bërë në burg me një të dënuar me burgim të përjetshëm, në të vërtetë ka një teori konspiracioni – se bashkë me grupin e xhirimit, në këmbim të shumë milionë eurove gërmuam për 24 orë një galeri të nëndheshme për të bërë të mundur arratinë e të dënuarit.
Për kritikët, cinikët dhe të ngeshmit e shumtë të botës sonë të vogël kjo do të ishte lehtësisht e kuptueshme, e pranueshme dhe ndoshta në këtë moment do të më akordonin edhe faljen e tyre.
Nuk dua të flas me ta. Nuk dua të flas për ta. Po them vetëm dy fjalë për shikuesit që më kanë ndjekur dhe i kam ndjekur, me aq sa kam mundur e ditur në shqetësimet apo gëzimet e tyre.
E vërteta ime për çfarë “tronditi” botën tonë të vogël mediatike është shumë më e thjeshtë. Prej më shumë se 10 vjetësh, ekzaktësisht në vitin 2005 pata idenë të bëj një emision të ngritur mbi paradigmën: “24 orë me…”. E kam biseduar fillimisht me kolegen time Afërdita Saraçini Kelmendi, e cila u tregua mjaft entuziaste dhe madje edhe më nxiti ta bëja realitet. Afërdita ishte testi i parë që kalova. Testi i dytë ishte shumë më i komplikuar. Ishte koha e munguar, angazhimet e shumta dhe të ndryshme, fakti që jetësimi i një ideje të tillë ishte shumë i komplikuar, që kërkonte ekip dhe shumë e shumë detaje të tilla. Por çfarë flinte vetëm priste të zgjohej bashkë me listën e gjatë të perosnazheve që kisha menduar. “24 orë me…” një bari, një lypës, një mjek, një mësues, me një edukatore kopshti, një polic, peshkatar, biznesmen, i ngujuar, etj. Në këtë liste ishte edhe një i burgosur.
Eshtë njerëzore që të gjykosh të tjerët. Të flitet për ta. Për jetën e tyre. T’i gjykojmë për mënyrën si flasin, si reagojnë, si sillen në rrethana të caktuara. Por përgjithësisht bëjmë një gabim që na çon në paragjykim: Që ta kuptosh deri në fund Atë, Ti duhet të jesh Ai. Me një fjalë, nuk e kupton asnjë nga këta personazhe që përmenda nëse nuk e “projekton” jetën e tyre qoftë dhe për një çast në lëkurën tënde. Unë e mendova ta zgjas 24 orë këtë çast. Kjo ishte ideja ime modeste, ky është thelbi i “24 orë me…”.
Ndalojmë tek i burgosuri!
Projektova në mendje tipologjinë e këtij të burgosuri, që mundësisht të ishte i privuar nga liria për jetë. Sigurisht pakkush do ta pranonte të bënte publike jetën e tij në ekran. Marjan Rroku e pranoi. E kërkova unë dhe nuk më zgjodhi ai mua.
Kushdo tjetër në vendin e tij dhe në rrethanat e tij, do të kishte kryer një krim të rëndë dhe pas tij do të ishte dhembja e pafundme e familjes së viktimës. Për fat të keq, kjo ishte familja Canaj, trishtimin, pezmin dhe plagën e pangushëllueshme të së cilës intervista e vrasësit Rroku e riktheu sërish në kujtesë. Edhe pse është e paharrueshme.
Por intervista ishte thjesht dhe vetëm jeta e një të burgosuri në 24 orë dhe asgjë më shumë. Kush tha se kisha ndërmend apo kisha mundësi dhe qëllim të fajësoj apo të pafajësoj Rrokun, se shkova të investigoj mbi një histori të mbyllur me dënim të formës së prerë?
Nuk kisha asnjë nga këto synime sepse as nuk mundja dhe as nuk ishte ky qëllimi im. Intervista nuk ishte një ofertë supermarketi brenda të cilit gjendet gjithçka që do të donte “blerësi” edhe cinik, edhe kritik, edhe i ngeshëm, edhe i vetëtitulluar si kriter i së vërtetës.
Nuk dua të përdor të njëjtin kut gjykimi me gjithë ata që më gjykuan publikisht se më mungoi nervi i gazetarit investigativ dhe se nuk zbulova çfarë kishte ndodhur në ngjarjen e 15 vjtëve më parë. Nuk dua ta bëj sepse do të më duhej të vija në pah mungesën e padurueshme të të njëjtit standart gjykimi: po ata, pse nuk “investiguan” në dy emisionet e para të të njëjtit cikël, “24 ore me…” Gianni Overi – Konsulli i nderit i Shqiperise ne Itali apo “24 ore me…” Eneida Hoxha – mjeke e urgjences? I njejti format, i njejti koncept, te njejtat intervista, i njejti intervistues.
Pse nuk investiguan në qëndrimet e mia, sa për të marrë një shembull, kur në programin “Pro dhe Kundër” për dënimin me vdekje, unë “votoja” Pro?! Pse këta puritanë të ligjit, moralit dhe ndershmërisë nuk më gjykuan keq kur shpërtheva live gjatë historisë së një vajze të dhunuar nga i ati duke thënë se tipa të tillë duhen varur. Nuk marr përsipër të them që kam të drejtë, por respektoj ligjin që thotë ndryshe, siç respektoj këdo që do të mendonte ndryshe nga unë. Me përjashtim të atyre që thjesht gënjejnë.
Sepse cinikët, kritikët, të ngeshmit dhe dembelet e kam të vështirë t’i mirëkuptoj kur gënjejnë hapur: kur ose thonë, ose lenë të kuptohet se vajta në burg me idenë për ta nxjerrë jashtë tij Rrokun.
Eshtë njerëzore që çdo njeri i privuar nga liria të shpresojë lirinë. Eshtë njerëzore edhe që çdo fajtor i quajtur i tillë nga shoqëria, të besojë në pafajësinë e tij. Rroku nuk besoj se bën përjashtim nga ky rregull, por në emision ai pohoi për herë të parë vrasjen që për kaq kohë ja kish mohuar familjes në Shqiperi dhe Amerike. Kur e pyeta per familjen e viktimes u shpreh se “…nuk ka te drejte robi te marre jeten e robit”.
Ne ekran u shfaqën vetem 45 minuta të gjithë orëve që me ekipin e Klan kalova ne burg. Duhet ta provosh që të kuptosh se brenda hekurave ekziston një botë paralele, e ndryshme nga bota jonë e zakonshme. Ndaj edhe ndjesia vjen natyrshëm: ajo që mendon kur je jashtë dhe ajo kur je brenda dhe në fund kur del nga skëtera burg, si e gjykon.
Më përmendën një pikë loti në emision. Cinikët dhe gënjeshtarët thanë se u përlota për një vrasës. Për të tjerët dhe jo për ta, po them se mendova për birin e tij, që nuk e zgjodhi të atin, që jetonte deri një javë më parë në një gënjeshtër dhe që e dinte të atin një hero që luftonte për Amerikën. Për herë të parë, ai dhe e ëma do të mësonin të vërtetën për babain dhe bashkëshortin nga një ekran. Do të mësonin të vërtetën e pamëshirshme si vetë jeta. Të pamëshirshme si dhe mënyra me të cilën vetë Rroku kishte marrë dy jetë të pafajshme…
Fati zgjodhi pikerisht atë fëmijë që te behej shembull, per të kuptuar se ai “çeles” i kurdisur prapa trupit, sic e spjegoi Marjani momentin e vrasjes, nuk duhet te “kurdiset”. Ai “çeles” duhet te jete OFF gjithe jeten, sepse nëse e kthen në ON i ke marrë jeten jo vetëm tjetrit, por edhe vetes.
Sepse duke marrë çfarë ka dhënë Zoti, duhet pritur jo vetëm ndëshkimi i shoqërisë, ligjit apo moralit, por mbi të gjitha, edhe ndëshkimi i Zotit. Dhe gjykimit të Tij nuk i shpëton dot askush. Pavarësisht statusit, pavarësisht emrit.
Nuk kam asnjë problem me gjithë ata që nuk mendojnë si unë. Kam parë edhe shumë më keq në jetën time. Por kam kuptuar se e keqja është një standart i pafundëm, është një vijë horizonti të cilën sa më shumë ta ndjekësh, aq më larg ikën. Njëlloj si ligësia.
Kam kaluar “24 orë me…” një njeri që e nxjerr jetesën duke lypur mëshirën njerëzore. Që ta kuptoja vetë më mirë dhe që ta sillja në ekran sa më të vërtetë atë fat njerëzor, lypa dhe vetë. Provova të trokas i maskuar në xhama makinash, në sy indiferentë njerëzish edhe që i njihja, në zemra të akullta brenda makinash të ngrohta, në shpirtra të vjetër brenda kostumesh të markave më të shtrenjta. Provova të mos ekzistoj duke ekzistuar.
E keqja nuk ka fund, kurse koha po. Dhe tani është koha që të kthehem në punë. Ndjesë për këtë kohë që ju morra duke ju bërë të më lexoni diçka që nuk do të doja ta shkruaja!