Arkiva e Koha Jone/Me 31 tetor 1992, Ben Blushi: Heqja e imunitetit, Ilir Meta fli e kompromisit Berisha-Nano. PS-së nuk i duhen më eurosocialistët

Nga Ben Blushi, botuar në KOHA JONE, me 31 tetor 1992-

Pas nxjerrjes jashtë ligjit të Partisë Komuniste Shqiptare, PS-ja mbeti në rolin e “fundit të Mohikanëve”. E mobilizuar maksimalisht, më tepër për të ruajtur llojin se sa për të fituar zgjedhjet, PS korri në një rezultat të përafërt me PD me 26 korrik, gjë që e bind përfundimisht se lufta për ekzistencë i përkiste tashmë një të shkuare. Deri sa Partia Komuniste kishte ekzistuar duke mbushur cepin më “lindor” të spektrit, kjo e fundit shërbente dhe si një mburojë, që me kokën e Enverit dhe dafinat prej golgothaje të marksizëm-leninizmit, amortizonte indirekt sulmet ndaj PS dhe socializmit të saj. Pas 26 korrikut duket se ka filluar një etapë tjetër për PS dhe në përgjithësi për krejt politikën shqiptare. Megjithëse PD është betuar në emër të gjithë shenjtorëve demokratë se kurrë nuk do të bëjë kompromis me PS, pas zgjedhjeve pra, ajo është e detyruar të bisedojë me një kundërshtar pothuajse të barabartë (kam parasysh rezultatet e 26 korrikut). Nga ana e vet, PS ka dalë nga llogoret mbrojtëse dhe është ulur në shesh të luftës. Që ka një afrim ose konvergim jo aq mjeshtërisht të fshehur nga të dy forcat, kjo është evidente, dhe së paku duket në përplasjen e sfungjertë të dy gazetave ndërsa së shumti në takimin e pakonfirmuar por edhe të papërgënjeshtruar nga të dy palët, Berisha-Nano. Përfaqësuesit më të denjë të politikës personale që po realizohet në Shqipëri, Berishën dhe Nanon, i bashkon e njëjta biografi ish-komuniste. Tani që spektri partiak po ristrukturohet ata, të dy duket se janë konservatorë të ndërgjegjshëm që ta pengojnë edhe me gërryerjen perspektive të elektoratit. Kështu që përveç biografisë dy udhëheqësit sigurisht që i bashkojnë edhe interesat e momentit. S’ka disa ditë që Nano foli në Parlament me rastin e heqjes së deputetit socialist Ilir Meta. Megjithëse ishte takuar vetëm disa ditë më parë me Berishën, Nano i bëri atij thirrje nga salla e parlamentit “që të ngrihet realisht mbi partitë dhe konfliktet politike të ditës dhe të marrë iniciativa konkrete për të nxitur dialogun politik në dobi të normalizimit të jetës në vend”. E përkthyer në gjuhë të përditshme, dialog politik do të thotë takime të ngjashme si ai Nano-Berisha e si pasojë ndarje e përgjegjësisë. Duket se ky është mesazhi i gjithë fjalimit të kryetarit socialist me rastin e heqjes së imunitetit të një deputeti të Partisë së tij. Ndërsa ky deputet, Ilir Meta, ashtu siç rrodhën ngjarjet rezultoi të ishte kurbani i ditës së paqes dhe kompromisit. Mesazhi i qartë dhe pa shumë ekuivok i Nanos megjithëse de jure i drejtohet Presidentit de fakto, i drejtohet gjithë Parlamentit e gjithë shqiptarëve. Por le të kthehemi edhe një herë te çështja Meta, qëndrimi i PS, ndaj të cilit, zbuloi “politikën e jashtme” dhe politikën e brendshme të kësaj partie. Ilir Metës deputet socialist, 23 vjeç një nga eurosocialistët e  parë, iu hoq imuniteti disa ditë pas heqjes së imunitetit të Azem Hajdarit dhe të dyve bashkë pas “heqjes së imunitetit” të prokurorit të përgjithshëm Maks Haxhia. Ky i fundit ishte shkalla e parë që pushtetarët dhe klanet mbipartiake duhet të kalonin për t’u ngjitur në tempullin e të plotfuqishmit, në tempullin e atij që ka edhe gurin edhe arrën. Azem Hajdari duke qenë gjithnjë në mes të dy krahëve në PD u çimunizua për të frikësuar atë vetë bashkë me gjithë të përjashtuarit nga PD. Po Ilir Meta? Te ky i fundit gjërat kanë evoluar ndjeshëm por edhe eksperienca gjithashtu dhe këtë të fundit mund ta përdorim. Ilir Meta është shembulli më adapt për t‘i shkuar deri në fund fillimit të spastrimeve në Parlament dhe në parti. Ai e mbyll trekëndëshin. Ilir Meta ishte një fli që i duhej edhe PD edhe PS ose më saktë të dy klaneve të tyre. PD, me Metën donte të tregonte se ajo e zbaton drejtësinë mbi këdo qoftë. I joni apo i juaji, artificialisht PD mendoi që me anë të I.M. të qepte vellon e grisur të drejtësisë, të ligjit, të cilën vello e grisi vetë dy herë në rastin e M.Haxhisë dhe A.Hajdarit. Nga ana e vet, PS iu përgjigj PD dhe kjo përgjigje ishte realizuar jo si komunikim shpirtrash por realisht, në zyrën e Presidentit Berisha. Si rezultat partia e tij socialiste e tradhtoi Ilir Metën. Megjithëse shumë deputetë folën kundër heqjes së imunitetit, farsën, ishte vetë Nano dhe klani i tij që e nxorën në shesh. Në fjalën e tij me ç’rast të cituar edhe më parë kryetari socialist thotë: “Në rastin e Poliçanit nuk ka alternativë tjetër përveç trajtimit të barabartë të palëve”. Kjo është pra alternativa e Fatos Nanos i cili në stilin e PD duket se mbi ligjin dhe drejtësinë nuk ve as edhe partinë e dashur. Por a është ai vërtet i bindur se deputeti i tij është po aq fajtor sa Kopliku apo Zhulali të cilët më poshtë Nano i fton t’i nënshtrohen gjykimit? Djallëzisht, duke operuar me termat dhe metodat e të drejtës kryetari e paragjykon I.Metën duke e krahasuar me dy ministrat dhe duke e barabitur me ta. Për çudi, pas ngjarjeve në Poliçan kryetari i partisë nuk vajti as edhe një herë në zonën ku fitoi vota më shumë se kudo gjetkë. Ai ka tentuar që në emër të rendit dhe qetësisë të pengojë protestat e kërkuara dhe të përsëritura të poliçanësve që kërkuan madje të vinin në Tiranë për të mbrojtur deputetin e zonës. Gjatë kohës që pritej të shtrohej në Parlament çështja Meta, gazeta socialiste “Zëri i Populli” i frynte kësaj çështje përditë dhe ishte ajo që botoi akt-akuzën duke i dhënë shkas edhe RD të ndizej. Për të kaluar përsëri në sallën e Parlamentit, të cilën Nano nuk e braktisi ashtu siç kishte vepruar në mënyrën më absurde edhe kur ishte vënë përballë artikujve të pafaktuar siç ishte ai i Luan Pobratit, PS gjithashtu nuk ngulmoi në dhënien në TV të seancës parlamentare e cila sigurisht që vetëm në dëm të Ilir Metës nuk do të ishte. Grupi parlamentar i PS ra dakord me grupin parlamentar të PD që deputeti Ilir Meta të mos dilte në TV para spektatorit dhe elektoratit shqiptar për të thënë se heqja e imunitetit të tij ishte një hakmarrje politike që u udhëhoq për tërë natën me telefon. Klani Nano në frekuencë me klanin në PD i shkuan deri në fund skenarit kur pranuan që votimi të zhvillohej hapur ose në mënyrë burrërore sipas propozimit të Pjetër Arbnorit. Më tepër, PS kish bërtitur kur për A.Hajdarin u vendos të votohej fshehurazi. Një votim i fshehtë normalisht do të ishte në favor të Ilir Metës, i cili me vota të ekspozuara humbi “votat e frikës” në PD. Megjithëse Nano ishte shumë i kujdesshëm për të ruajtur unitetin e partisë së tij pas ndodhisë Meta, kjo bëhet e vështirë. Inskenimi i fundit në parlament e ka nxjerrë në pah se PS në ndjekje të skemave të PD dhe të dyja bashkë në ndjekje të skemave të fosilizuara të PPSH i kanë qejf grupet armiqësore dhe përjashtimet nga radhët. Duke qenë inferior për biografinë e vet dhe atë të partisë, këtë radhë Fatos Nano kërkoi t’i nxirrte gështenjat nga zjarri me duart e PD. Ai nuk është akoma aq i fortë sa të bëjë skenar më të lexueshëm politik të cilët do t’i minonin përfundimisht elektoratin. Kështu që kërkon ndihmë jashtë partisë duke ofruar sigurisht diçka. Por konkretisht çfarë? Më e para gjë që mund të mendohet është aleancë e fshehtë në dëm të forcave të reja në krijim, por ndoshta Nano mund të ofrojë edhe mocione për qeveritarët që duhen larguar dhe në këtë rast do të ishte dikush tjetër që do t’i nxirrte gështenjat nga zjarri me duart e kuqe të PS. Sa për PS, qoftë edhe me frikën e përjashtimit dhe heqjes së imunitetit, ajo mund të ruhet. Kriza mund të fshihet. Kushdo që del jashtë vijave të bardha, (të kuqe), ka fatin e Ilir Metës, therja e të cilit ruan delet e tjera. Pasi e nxorën PS nga dimri i ftohtë, tashmë Ilir Meta bashkë me shokët e vet eurosocialistë, nuk duheshin dhe në logjikën e gatshme të PPSH, ata duheshin eklipsuar ose evituar sepse konkurencën e novitetit dhe garën e biografive s’mund ta fitonin veç ata. Aktualisht eurosocialistët që u servirën si moda e fundit socialiste gati një vit më parë tani janë paralizuar dhe nuk ndihen më. Por mbase Nano nuk e kupton se duke aplikuar skemat e vjetra, ai po futet në një dimër tjetër, dhe atëherë ç’invencion do bëjë? Ndoshta nga takimet me opozitarët ai po e gjen formulën/Ben Blushi/

SHKARKO APP