Arma në protestë, prokuroria nis hetimet për deputetin Gent Strazimiri

Prokuroria e Përgjithshme, në bazë të materialeve të ofruara nga Policia e Shtetit, po kryen hetime në ngarkim të Gent Strazimirit, nën dyshimin se deputeti demokrat mund të ketë kryer vepër penale gjatë protestës së javës së kaluar tek Parku i Liqenit. Sipas një njoftimi për shtyp të organit qendror të akuzës, deputeti Strazimiri dyshohet për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

Në të njëjtën dosje hetimore është përfshirë edhe deklarata e shtetasit me inicialet P.N, i cili pak ditë pas protestës deklaroi se Strazimiri kishte dorëzuar në polici një pistoletë tjetër nga ajo që mbante gjatë manifestimit.  Në njoftimin zyrtar thuhet se, shtetasi në fjalë është paraqitur si përfaqësues i një firme prodhimi armësh në Gjermani dhe ka deklaruar se, kompania që përfaqësonte i kishte dhuruar disa vite më parë një sasi armësh Ministrisë së Brendëshme, një prej të cilave zotërohet ende sipas tij nga Strazimiri, ish-zv.ministër i Brendshëm.

Prokuroria njofton më tej se, ndërkohë po vijon hetimet edhe për persona të tjerë që morën pjesë në protestën e 28 marsit, si dhe për ligjshmërinë e projektit të ndërtimit të këndit të lojrave tek kodrat e liqenit artificial.

Njoftimi i Prokurorise

Në bazë të materialit të referuar nga ana e Policisë së Shtetit, ka regjistruar proçedimin penal nr.2/2016, për veprat penale :

  • ”Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetësore apo një shërbim publik”, parashikuara nga neni 235 i K.Penal, dhe
  • ”Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, të parashikuar nga neni 262  të Kodit Penal, për ngjarjen e datës 28.03.2016, ndodhur në zonën e Liqenit Artificial, Tiranë.

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme, në bazë të referimit të Policisë së Shtetit, po kryen hetime në ngarkim të deputetit Gent Strazimiri edhe për ekzistencën e dyshimeve për kryerjen e veprës penale: ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.

Emri i deputetit Strazimiri është shënuar në Regjistrin e Proçedimeve Penale të Prokurorisë së Përgjithshme në bazë të akteve paraprake të dorëzuara nga ana e Policisë Gjyqësore.

Ndër të tjera, në këtë material është edhe deklarimi i shtetasit P.N., i paraqitur si ish-përfaqësues i një firme prodhimi armësh në Gjermani.

Sipas deklarimit të tij, kompania që përfaqësonte, i ka dhuruar disa vite më parë një sasi armësh Ministrisë së Brendshme, një prej të cilave pretendon se është në posedim të deputetit Gent Strazimiri dhe ekspozuar prej tij në ngjarjen e datës 28.03.2016, në zonën e Liqenit Artificial, Tiranë.

Ndërkohë, Prokuroria po vijon hetimet për persona të tjerë të përfshirë në ngjarjen e datës 28.03.2016, ashtu edhe për ligjshmërinë e projektit të ndërtimit të këndit të lojërave në zonën e Liqenit Artificial, në bazë të kallëzimit të dorëzuar nga përfaqësues të Shoqërisë Civile.

SHKARKO APP