Arrestimi i Habilajt/ Akuza nga PD-LSI. Reagon Tahiri: Dënim maksimal për këdo
Arrestimi i një grupi të madh trafikantësh droge në Itali ka bërë që në Tiranë të shpërthejnë akut direkt ndaj politikë. Moisi Habilaj, një person që është përmendur shpreh si i afërt i Tahirit u arrestua sot në Itali. Habilaj dyshohet se është pjesë e një bande që ka trafikuar rreth 3.5 tonë hashash drejt Italisë. Ish-oficeri i policisë, Dritan Zagani 3 vjet më parë ka akuzuar hapur Habilajt si trafikant të mbështetur nga ministri Saimir Tahiri.
Pas publikimit të lajmit të arrestimit të Habiljat, kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi se kjo është prova e qartë e bashkëpunimit të Tahirit me krimin. Basha tha se arrestimet në Itali implikojnë direkt edhe Edi Ramën.
“Policia italiane arrestoi sot kreun e nje grupi te trafikut te droges nga Shqiperia, Moisi Habilaj. Partia Demokratike ka denoncuar per 4 vite lidhjen e qeverise me kete klan, lidhjen e afert te Tahirit me kete bande. Audi i famshem i ministrit, perdorej pikerisht nga ky qe sot u arrestua ne Itali. Edi Rama arrestoi Dritan Zaganin, oficerin e policise qe e denoncoi kete lidhje dhe sulmoi opoziten pareshtur. Po sot cfare do te thote? Vetem ngarkesa e kapur prej policise italiane vlen 20 milione euro. Po ne 4 vite, sa para qarkulloi narkomafia me mbeshtetjen e Tahirit dhe mbrojtjen e Rames??? Kjo eshte mafia dhe keto jane lidhjet e saj me Edi Ramen!”,- deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Pas qëndrimi të PD, ka ardhur reagimi i ish-ministri i Brendshëm. Saimir Tahiri thotë se drejtësia duhet të veprojë njëlloj për të gjithë, përfshi dhe ata që Basha i quan si kushërinj të tij.
Deklarata e Tahirit në Facebook: “Lulezim Basha e jo vetem, paska perseritur akuzat meje. Nuk me kane bere pershtypje atehere, nuk me bejne as sot. Nuk pastrohesh dot Lulezim sado te te rritet karrigia. Vodhe e vrave e ia ke hedhur deri me sot, per te sherbyer si kujtesa me e fresket e drejtesise qe nuk kemi e qe nuk u be dot kurre. Sa per keta qe i quan kusherinjte e mi, DREJTESI DERI NE FUND E DENIM MAKSIMAL. Per kedo, pa dallim e pa përjashtim”.
Reagon LSI: Pse hesht Rama
Deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari ka reaguar për aksionin e policisë në Itali, ku u arrestua një grup shqiptarësh që trafikonin sasi të mëdha droge. Mes të arrestuarve është dhe Moisi Habilaj, një i afërt i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ndaj të cilit opozita ka folur edhe më parë për përfshirje në trafik droge. Deputeti i LSI thotë se arrestimi i Habilajt është prova e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar.
Deklarata e plotë në Facebook e Endrit Braimllarit: “Pse hesht kryeministri pas arrestimit të Habilaj. Policia italiane raporton për shkatërrimin e një grupi të strukturuar që merret me trafikun e lëndëve narkotike dhe armëve. Ndër të arrestuarit është dhe një i afërm i ish-ministrit të Brendshëm, besnik i Edi Ramës. Gjithë shqiptarët i kanë të freskëta fotot e Habilaj me drejtorët e Policisë së Vlorës. Kjo është prova e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar. Ishin këto grupe të strukturuara kriminale që me paratë e krimit dhe pjesëmarrjen e tyre deformuan vullnetin e shqiptarëve. Krimi i organizuar e mban peng kryeministrin. Ai nuk ndahet dot nga këto grupe kriminale sepse është i zhytur kokë e këmbë. Kjo është lidhja e Rilindjes me krimin e organizuar”.
Sali Berisha: Pritet arrestimi i Tahirit
Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha, në një status në Faceook parashikon arrestimin e ish-ministrit Tahiri pas goditjes së bandës shqiptare në Itali. Zhvillim klamoroz, kapet banda e Saje qorrit. Vet Saje drejt arrestit nderkombetar!
Miq! Arrestohet ne Itali famozi Moisi Habilaj, tezaku qe transportoi 3.5 ton droge me skafin e Saje qorrit ne Itali.
Po ju rikujtoj ketu se Habilajt, sipas kontrollit te TIMS kane transportuar dorge jashte vendi 27 here me makinen e kushos-bandit minister Saje qorri, dhe ky trafik, i denoncuar nga Zagami, i kushtoi postin ketij te fundit, pasi Saje qorri e shkarkoi ate dhe e dha per ndjekje.
Atij, Konfederata Helvetike i dha azil politik pikerisht diten e vizites se Edi Rames ne Berne. Gjithashu, 3,5 ton droge ne Itali, sipas burimeve te sigurta te vendit mik, eshte transportuar me skafin e Saje qorrit, te cilin ai e bleu dhe e la ne “ruajtje” tek Habilajt dhe pas disa denoncimeve qe kemi bere ne parlament Saje qorri u detyrua te beje nje akt shitje fallco te skafit te tij, po tek Habilajt! Priten zhvillime klamoroze! sb.
Itali/Shkatërrohet banda e Habilajve
Policia italiane ka zbuluar një organizatë kriminale italo-shqiptare për trafikun e marijuanës, duke arrestuar 11 anëtarë të saj. Organizata, sipas policisë italiane në muajt e fundit ka mundur të trafikojë drejt Italisë mbi 3500 kilogramë marijuanë dhe një ndër drejtuesit kryesorë të saj përmendet shqiptari, Mosi Habilaj dhe italiani Antonio Riela. Policia italiane ka identifikuar drejtuesit kryesorë të organizatës, që janë italianët: Antonio Riela, Vincenzo Spampinato, Gianluca Passavanti, Angelo Busacca dhe shqiptarët: Moisi Habilaj, Maridian Sulaj, Fatmir Minaj.
Organziata kriminale ka realizuar edhe trafikun e një armatimi të rëndë të përbërë nga armë automatike kallashnikov. Ajo kishte vendosur sundimin në shpërndarjen e marijuanës në qytetin e Katanias dhe veçanërisht në provincat e Raguzës dhe Sirakuzës. Sasia e drogës që kjo organizatë ka mundur të dërgojë nga Shqipëria në Itali e kalon vlerën e 20 milionë eurove.
Metodat speciale të hetimit me përgjime telefonike dhe ambientale kanë bërë që gjatë kohës së hetimit kësaj organizate t’i jenë arrestuar 20 korrierë dhe disa ngarkesa droge, si dhe mijëra euro kesh. Nga hetimet ka rezultuar se nga anëtarët shqiptarë të kësaj organizate, fitimet kryesore i merrte Moisi Habilaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Maridian Sula dhe Fatmir Minaj. Ndërkohë, për anëtarët italianë të organizatës, kryesor është cilësuar. Antonio Riela, i cili ka patur edhe precedentë të mëparshëm penalë me klane mafioze të trafikut të ilaçeve.