Arrestohet në lokal gjyqtari Ibrahim Hoxha duke marrë para në dorë
Një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës është ndaluar së bashku me djalin e tij në orët e vona të mbrëmjes së 2 majit 2016 në një lokal. Gjyqtari Ibrahim Hoxha së bashku me të birin Ledian Hoxha akuzohen për korrupsion.
Nga informacionet e para mësohet se në bashkëpunim me prokurorinë e Krimeve të Rënda po kryhen procedurat e arrestimit.
Informacionet e para bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një proces gjyqësor civil që po gjykonte gjyqtari Hoxha, vendimi i të cilit do të jepej nesër (3 maj 2016).Ka pasur informacion se njëra palë do të paguante një shumë të caktuar lekësh për një vendim në favor të saj. Jo zyrtarisht flasin për një shumë prej 600 mijë lekësh.
Sipas burimeve gjyqtari ka dërguar të birin të merrte lekët në emër të tij dhe në këtë moment është bërë dhe arrestimi në flagrancë, fillimisht i djalit më pas i të atit. Më pas ata janë shoqëruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Burimet nga grupi hetimor bëjnë të ditur se gjyqtari po bënte gati vendimin për prishjen e vendimit të trashëgimisë në favor të Dritan Jazenxhiut, i cili ishte në gjyq me të motrën pasi e ëma i kishte lënë pronën (shtëpi e dyqane) me trashëgimi të motrës. Vendimi do të shpallej nesër.
Gjithashtu janë kapur dhe po kryen veprimet për arrestimin e Dritan Jazenxhiut dhe Novruz Gajdës.
Kishte indicie per korrupsion
Gjyqtari I.Hoxha ka qenë në hetim prej disa kohësh pas një indicie për korrupsion.
Hoxha pezulloi ekstradimin e Paro Laçit
Në dhjetor të 2013 Nasip Naço në atë kohë mbante postin e ministrit të Drejtësisë i propozoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë masën shkarkim nga detyra për gjyqtarin Ibrahim Hoxha, në atë kohë gjyqtar në dhomën penale të gjykatës së Tiranës. Sipas Naços, kjo masë disiplinore vjen pasi Ibrahim Hoxha, gjyqtar pranë Gjykatës së Tiranës ka kryer shkelje të rënda procedurale,pasi pezulloi ekstradimin e Paro Laçit.
Biznesmeni Laçi, i njohur edhe si një nga aksionerët e Futboll Klub “Partizani”, u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar me kërkesë të Drejtësisë italiane.
KLD e hodhi poshtë kërkesën duke mos e pranuar si masë.