Arrestohet në studion e televizionit kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj

Nga “Zëri i Amerikës”-

Policia e Kosovës arrestoi të martën mbrëma, Dardan Molliqajn, kryetar i Partisë Socialdemokrate, një parti opozitare jo parlamentare, nën dyshimin për “sulm ndaj personit zyrtar”. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur me 29 janar, gjatë një proteste të organizuar nga kjo parti kundër propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Gjatë protestës pati përplasje me policinë, e cila dyshon se zoti Molliqaj goditi njërin nga pjesëtarët e saj.

Swiss Digital Desktop Reklama

Policia e arrestoi zotin Molliqaj në oborrin e studios së televizionit T7, ku ishte ftuar në një debat.

Swiss Digital Mobile Reklama

Policia tha se e kishte kërkuar zotin Molliqaj në adresat e banimit dhe “nuk e kishte hasur” ndërsa shtoi se “i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare por i dyshuari nuk e kishte përfillur”.

Partia Socialdemokrate mohon të jetë bërë ftesë në adresën e kryetarit të saj, ndërsa e cilësi arrestimin “politikisht të motivuar” dhe të jashtëligjshëm. Sipas kësaj partie zoti Molliqaj gjatë dy ditëve të fundit ishte në selinë e saj dhe nëpër takime të ndryshme në Prishtinë prandaj arrestimi ka mundur të ndodhë në çdo kohë.

Partia Socialdemokrate tha se “organet e drejtësisë, duke arrestuar në mënyrë të jashtëligjshme e skandaloze Dardan Molliqajn, janë vënë në shërbim të pushtetit të (Albin) Kurtit”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, shkroi në rrjetet sociale se arrestimi “ka shije të një hakmarrjeje të pastër politike; prandaj ky akt, për mua dhe LDK-në është i papranueshëm dhe kundër standardeve bazike të demokracisë”.

Më herët gjatë ditës policia arrestoi edhe një anëtar tjetër të Partisë Socialdemokrate nën dyshimin për “sulm ndaj personit zyrtar” gjatë protestës së të shtunës.

Dardan Molliqaj, një ish aleat i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ishte ndarë nga lëvizja Vetëvendosje bashkë më një grup veprimtarësh në vitin 2018 për t’u bashkuar më pas me Partinë Socialdemokrate të Kosovës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?