Arrestohet në SHBA Cary Lee Peterson “miku” i deputetit të PS Kokëdhima
Një lobist amerikan i cili është i lidhur me deputetin shqiptar Koço Kokëdhima, u arrestua të dielën më datën 13 Mars në SHBA.
Cary Lee Peterson, një 36 vjeçar që bënte lobistin dhe pretendonte se kishte ndikim dhe lidhje në Uashington, në fakt rezulton sipas një hetimi të FBI-së, një mashtrues klasi. Ai akuzohet për mashtrim dhe vjedhje.
HashtagAL ka siguruar dosjen e plotë hetimore ndaj tij ku rezulton se z.Peterson kishte ndërtuar një ‘perandori gënjeshtrash dhe mashtrimesh’ nëpërmjet një OJF-je për mjedisin të quajtur ECCO2. Peterson pretendonte se OJF-ja punonte nën autoritetin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Nga ana tjetër z.Peterson rezulton se ka ardhur disa herë në Shqipëri, i ftuar nga deputeti Kokëdhima, ndërsa nëpërmjet disa deklaratave të bujshme mediatike, ata kishin premtuar se do të ndërtonin tregun e ri të shitjes së kanabisit mjekësor.
Por Peterson tashmë përveçse i arrestuar rezulton se OJF-në e vetë të quajtur ECCO2 e ka një organizatë fiktive dhe mashtruese, ndonëse ai u prit në Shqipëri si personalitet i lartë që punonte nën ombrellën e OKB-së, shkruan lapsi.
FBI-ja ka zbardhur mashtrimin dhe manipulimin që Peterson kishte bërë me OJF-në e tij.
Faksimile e dosjes së FBI-së ndaj Cary Lee Peterson
Në dosjen hetimore shkruhet:
Peterson pretendonte se shoqata e tij ECCO2, kishte pronësi intelektuale mbi kompaninë RVPlus dhe se kjo shoqatë vepronte nën autoritetin e Organizatës së Kombëve të Bashkuara, OKB-së.
Peterson pretendonte se ky status i tij nën ombrellën dhe garancitë e OKB-së i kishte mundësuar atij nënshkrimin e kontratave me disa qeveri, që në totalin e tyre arrinin vlerën e 100 miliardë dollarëve si mbështetje financiare për zhvillimin e projekteve nga shoqata e tij ECCO2.
Verifikimet zbuluan se shoqata ECCO2 nuk ka qenë asnjëherë një shoqatë e lidhur me OKB-në dhe gjithçka ishte një mashtrim.
Madje në tre raste OKB-ja i ka shkruar dhe paralajmëruar zyrtarisht shoqatën e Petersonit ECCO2 që të hiqte dorë nga pretendimet mashtruese sikur përfaqësonte OKB-në.
Peterson tashmë rrezikon 20 vite burg dhe një gjobë prej 5 milionë dollarësh për krimet e mashtrimit dhe të vjedhjes.
Nëpërmjet kësaj OJF-je dhe filialeve të saj Peterson kishte pretenduar dhe mashtruar duke u hequr si një sipërmarrës i suksesshëm që kishte lidhur kontrata disa qindra milionë dollarëshe me qeveritë e Nigerisë, Haitit, Liberisë etj.
E gjithë skema u zbulua nga FBI-ja, së cilës i rezultoi se Peterson vetëm spekulonte, mashtronte dhe vidhte.
Por disa kërkime të HashtagAL zbulojnë se të njëjtën skemë spekulative z.Peterson e ka aplikuar dhe në Shqipëri, ku pritës dhe partner kishte deputetin Koço Kokëdhima.
Njoftimi i Bashkisë së Fierit, Dhjetor 2013
z.Peterson erdhi për herë të parë në Shqipëri në Dhjetorin e vitit 2013 i ftuar dhe i shoqëruar nga deputeti Kokëdhima. Më datën 23 Dhjetor 2013, OJF-ja e Petersonit lidhi një memorandum bashkëpunimi me Bashkinë e Fierit, pjesë e memorandumit ishin dhe tre OJF të tjera anonime.
Ish-kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqo, një mik i Kokëdhimës, e shpalli publikisht memorandumin e bashkëpunimit, por në njoftimet mediatike ndërkombëtare rezulton se ky memorandum i lidhur me Bashkinë e Fierit ishte shitur si një marrëveshje bashkëpunimi me qeverinë shqiptare.
Edhe agjencia Reuters e kishte shpallur në faqen e lajmeve-marketing nënshkrimin e këtij memorandumi.
Njoftimi i marrëveshjes në agjencinë Reuters
Nga ana tjetër, Kokëdhima më vonë shpalli nismën e tij për legalizimin e kanabisit mjekësor. Nisma u bazua mbi këtë memorandum të Bashkisë së Fierit sepse shoqata e Petersonit, e paraqiste këtë memorandum si një marrëveshje në parim me qeverinë shqiptare për ngritjen e biznesit të kanabisit mjekësor.
Kokëdhima i ofroi më vonë Petersonit dhe një shëtitje ekzotike në bregdetin shqiptar. Ai e prezantoi atë dhe me kryebashkiakun e Himarës Robert Goro.
Ndërsa Petersoni shëtiste Rivierën shqiptare, mediat pranë Kokëdhimës i bënin jehonë planit të tij “largpamës” për të ndërtuar tregun dhe eksportet shqiptare të kanabisit mjekësor drejt Shteteve të Bashkuara.
Por ndonëse z.Peterson shfaqej thjesht si kryetar i një shoqate të dyshimtë, në mediat pranë Kokëdhimës ai prezantohej me një status pompoz. Këto media e shmangnin faktin që ai ishte një individ privat dhe nuk kishte asnjë valencë zyrtare.
Njoftim i gazetës Shekulli, 8 Gusht 2015
Kulmi arriti gjatë një takimi mes Petersonit dhe kryetares së Bashkisë së Sarandës Florjana Koka më 8 Gusht 2015. Zonja Koka është një kryebashkiake nën ndikimin e Kokëdhimës, ndërsa gazeta “Shekulli” pranë Kokëdhimës, e paraqiste Petersonin si një senator amerikan, kur në fakt ai ishte thjesht kryetar i një OJF-je që tashmë po hetohet për mashtrim dhe vjedhje në SHBA.
Aq entuziaste u shfaq znj.Koka nga ky takim sa shprehu me një deklaratë dhe besimin e saj se ‘senatori’ Peterson do mundësonte sjelljen e 2 mijë turistëve amerikanë çdo vit.
Peterson ishte pika e kontaktit në SHBA për nismës e Kokëdhimës me qëllim legalizimin e kanabisit mjekësor.
Kjo nismë pati shumë kundërshtime dhe ngriti shumë dyshime, ndonëse Kokëdhima e mbrojti në çdo dalje publike. Por sot rezulton se deputeti rilindës, e ka bazuar këtë nismë tek një partner personal amerikan që përpiqej ta shiste dhe si senator, por që në fakt FBI-ja e konstatoi thjesht si një mashtrues që kishte manipuluar dhe OKB-në por dhe disa kontrata me qeveritë afrikane me qëllim përfitimin e paligjshëm.
Rasti Peterson është shembulli konkret se si Kokëdhima ka vënë në dispozicionin e interesave të tij dy kryebashkiakë, Baftjar Zeqajn e Fierit dhe Florjana Kokën e Sarandës duke i bërë ata që të nënshkruanin marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi me një OJF mashtruese, me të cilën Kokëdhima kishte shpresë se do ndërtonte linjën e eksportit të kanabisit mjekësor.