Arrin në 12 numri i të vrarërve në Mali të Zi, mes tyre dhe dy fëmijë

-Radio “Europa e Lirë”-

Dymbëdhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë të mërkurën pasdite më 1 janar në Cetinjë të Malit të Zi, ndërsa katër persona të tjerë janë plagosur, njoftoi prokurorja Andrijana Nastiq pas ekspertizës.

I dyshuari për këtë vrasje të shumëfishtë dhe plagosje, Aco Martinoviq, ka tentuar vetëvrasjen. Ai ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

Vrasjet kanë ndodhur në pesë lokacione të ndryshme – në lokacionin e parë dhe të dytë janë vrarë katër persona, në të tretin dy fëmijë, ndërsa në lokacionin e katërt dhe të pestë nga një person.

Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, tha në një konferencë të jashtëzakonshme në mesnatë se motivi i vrasjeve është i panjohur, pasi viktimat ishin miq dhe kumbara të Martinoviqit.

Ai i vrau katër personat e parë në një lokal, pas një zënke që kishte paraprirë një shoqërim disaorësh.

Katër persona janë dërguar në Qendrën Klinike të Podgoricës në gjendje kritike, sipas drejtorit të këtij institucioni Aleksandar Radoviq.

Sipas deklaratës së Policisë, në mesin e të vrarëve janë disa anëtarë të familjes së Martinoviqit.

Kryeministri malazez, Millojko Spajiq është parë jashtë spitalit, dhe e ka përshkruar rastin si tragjedi të tmerrshme. Ai ka njoftuar ashpërsimin e kritereve për mbajtjen e armëve.

“Do të shqyrtojmë ndalimin e plotë të mbajtjes së armëve,” tha Spajiq.

Martinoviq ishte dënuar me kusht në vitin 2005 për sjellje të dhunshme me një vit burg, por nuk është konsideruar si person me interes për sigurinë, tha ministri Sharanoviq.

Ai shtoi se në vitin 2022 tek ai u gjetën armë dhe eksploziv, për çka është dënuar në shkallën e parë me tre muaj burg.

Qyteza e Cetinjes është rreth 30 kilometra larg Podgoricës.

Qeveria e Malit të Zi i ka shpallur tri ditë zie, më 2,3 dhe 4 janar, për shkak të këtij rasti.

Koncertet për shënim të Vitit të Ri janë anuluar në Podgoricë, Budvë dhe Kotor, ndërsa kryeministri Spajiq u ka bërë thirrje edhe komunave tjera që t’i anulojnë organizimet e jashtme.

SHKARKO APP