Arta Dade: Ndoshta duhet një Parti Socialiste e re

Ish-ministrja dhe ish-deputetja e PS, Arta Dade është e para politikane e majtë që hedh idenë e rikompozimit të Partisë Socialiste.

E ftuar në emisionin “Mbrëmje Ide” në ABC News, ajo ka theksuar se dëshiron ta shikojë partinë si forcë demokratike, por shpesh edhe ka menduar se ndoshta është koha për të pasur një alternativë të re.

E pyetur nëse ju mungon Partia Socialiste, Arta Dade u përgjigj: “Të them që nuk më mungon ndoshta nuk do isha e sinqertë. Më mungon, por jam munduar t’i shoh gjërat më pak e distancuar. Me miq të mi në parti më ka befasuar një grua nga Krutja. I shoqi i sa ka qenë kryetar i komunës, aktivist i PS, dhe më ka befasuar dhe fliste me kaq nostalgji për vitet ‘96-‘97. Të them të drejtën dhe jam prekur. Jam e lumtur, nuk më pengon asnjëri, iu kam lënë vend vetes për të vajtur dhe për të ndarë një gëzim, apo për të kaluar një drekë të të këndshme, por në mënyrë të veçantë zonjat dhe do mbeten të pashlyeshme kujtimet e periudhave elektorale. Partinë Socialiste dua ta shikoj realisht si një parti demokratike, por shpesh them mos ndoshta duhet nga e para ose ndoshta duhet një alternativë tjetër sepse dikush ka drejtuar me dorë të fortë dhe që ndoshta nuk është më e njëjta parti. Do dëshiroja të evoluohej në krahun pozitiv”,- deklaroi ish-ministrja dhe një nga figurat kryesore të Partisë Socialiste.

Më tej ajo tha se:“Besoj që në politikë mazhorancat janë më të interesuara që të ketë stabilitet në vend. Pikë së pari i takon PS që ta zgjidhë këtë situatë. Nuk shikoj rrugë të tjetër që të kemi qeveri të besueshme dhe hap taktik të kryeministrit për të krijuar një qeveri tjetër të PS-së me njerëz që janë më pak të atakueshëm. Kjo qeveri në vend që t’i shërbente qetësimit të situatës dhe transmetimit të një shprese, apo optimizëm për të vënë gjërat në rrugën e zgjidhjes, por kjo nuk ndodhi për fat të keq”.

Deklarata e fortë e ish-ministres së PS-së reflekton një qëndrim që duket se është pjesë e diskutimeve të mjaft figurave historike të Partisë Socialiste. Drejtimi i PS-së nga Edi Rama dhe qeverisja e tij kanë shkaktuar pakënaqësi jo vetëm në opinion, por edhe të figurat e së majtës që kanë investuar që kjo forcë politike të ishte moderne dhe e hapur. Shumë nga parimet e dikurshme të PS, si zgjedhjet brenda partisë, mendimi ndryshe etj, sot janë standarde që i mungojnë kësaj force politike. Të gjitha tentativat që emra të njohur në PS kanë bërë për modernizmin e partisë, gjatë drejtimit të Edi Ramës kanë përfunduar me përjashtimin e atyre që mbështesin këto parime.

SHKARKO APP