Arta Dade: Rama të largohet nga detyra e kryeministrit, por jo direkt nga politika aktive

Ish-ministrja e Jashtme dhe një zë kritik ndaj Edi Ramës, ikona e PS-së, Arta Dade deklaron se është koha që kryeministri Edi Rama të largohet nga drejtimi i qeverisë. Në një intervistë për “ABC News” dhënë gazetarit Mustafa Nano, Dade shprehet se Kryeministri duhet të largohet për dy arsye, për menaxhimin e keq të fondeve publike dhe për përceptimin që publiku ka për të si të korruptuar.

Ish-ministrja dhe ish-anëtarja e Kryesisë së PS propozon dhe një variant për zgjidhjen e krizës, duke i sugjeruar Edi Ramës një dalje të butë dhe pa kosto për vendin dhe atë vetë nga pushteti.

Unë kohët e fundit në daljet e mia kam pasur një version timin edhe për zgjidhjen e krizës, në të cilën mbetemi të mbërthyer, që Rama nëse vërtetë mendon për Shqipërinë, për integrimin, për të mos penalizuar edhe PS-në, forcën që e ka zgjedhur dhe krijuar mund të bënte një dalje të butë taktike. Një largim të vetin nga politika. Le të rrijë në politikë si kryetar i PS-së, por të zgjidhte një kryeministër tjetër socialist.

Të bëhej një kabinet që do të emetonte siguri. Të qetësohej situata, të hapej dialogu. Sigurisht të merremi edhe me reformën në drejtësi, por edhe elektorale. Sepse mesa duket ky sistem që ndryshuam prodhoi këtë lloj parlament. Ka zëra që të rikthejmë në një farë mënyre jo sistemin që kishim, por mazhoritarin, i cili i bën liderit e partisë dhe strukturat të mendohen 10 herë për të kandiduar një person që do të garojë direkt. Në fakt deputetët tani janë no name, no face. Shoh ndonjëherë aty ca thinjoshë dhe them ky thinjoshi, ç’është ky, nga erdhi ky”, tha Dade.

Ish-ministrja shprehet se aktualisht Edi Rama nuk po qeverisë vendin, pasi është kapur. “Rama në këto dy vite nuk po qeveris, Rama është i kapur nga një klientelë, që ka qenë edhe më parë se të vijnë në pushtet, e kam thënë edhe më parë këtë në Parlament. Një kryeministër që e ka të vështirë të menaxhojë ministrat, dhe ua drejton gishtin gjithnjë atyre, atëherë nuk di të bësh detyrën. Rama nuk mund t’i shpëtonin këto afera, kanabizimi apo tenderat e frikshme, siç ishte rasti i Unazës së Re, por edhe në koncesione në shëndetësi, por edhe të tjera”,- deklaroi Dade.

Ish-ministrja shprehet se arsyet opozita nuk mund të marrë të gjitha ato që kërkon, por e cilëson të drejtë kërkesën për largimin e Edi Ramës.

Jam e zhgënjyer që kam votuar Ramën, por jo e penduar. Unë mendoj se Rama duhet të ikë, nuk e them se e do opozita, sepse ata nuk kanë ende personalitet që t’u bashkohet pjesa gri e elektoratit, por Rama duhet të largohet për menaxhimin e keq të fondeve publike dhe për perceptimin që publiku ka për të si të korruptuar. Opozita nuk mund të marrë çdo gjë. Zgjedhje të parakohshme nuk mundet ti marrë tani, por të marrë një pjesë të asaj që ka kërkuar, largimin e kryeministrit. Për ta relaksuar situatën, të largohet Rama, por jo nga politika”,- shprehet Arta Dade.

PROVOKACIJA - Arta Dade - 22 Mars 2019

SHKARKO APP