Arta Marku debat me prokurorët: Ulu ose dil, këtu drejtoj unë

Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Prokurorëve, mes Kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku dhe një grupi prokurorësh, pati debat. Asambleja e Përgjithshme u mblodh sot për zëvendësimin e Antoneta Sevdarit, ish-anëtare e KLP-së, ndërsa kandidati i vetëm në këtë garë është Vate Stakaj.

Kur Marku ftoi kandidatin e vetëm Vate Staka që të paraqesë platformën për në KLP, prokurori Sokol Malaj, e ndërpreu duke marrë fjalën dhe tha se në emër të 45 prokurorëve që kishin firmosur kërkonte ndryshim të rregullores. ”Të thuhet në fletë votimi: votë pro, kundër dhe të pavlefshme. Dhe kandidati duhet të bëhet anëtar nëse mer 50+1% të votive”, ka kërkuar prokurori Malaj, në emër edhe të kolegëve të tij.

Kërkesa e tij, ka shkaktuar debat në mbledhje, pasi Marku në replikë me të, u shpreh se kërkesa në fjalë duhet të ishte bërë më herët dhe jo tani. ”Ne do të vijojmë me votimin, kush nuk do të marrë pjesë është i lirë të largohet. Uluni ose dilni jashtë, mbledhjen këtu e drejtoj unë”,-është shprehur Kryeprokurorja.

Pjesë nga debati

Arta Marku: Nuk lejohen replikat, megjithatë ju mund të jepni qëndrimin tuaj, mbledhja do vazhdojë

Sokol Malaj: Ne jemi këtu për një proces që ka të bëjë me përzgjedhjen e një anëtari jo të paracaktuar. Ju e dini mirë që nga fjalori shqip-shqip, termi përzgjedhje do të thotë të zgjedhësh midis 2,3,5,7 kandidaturave ose të japësh pëlqimin për një kandidaturë që votohet apo nuk votohet. Ky është një parim i mirënjohur demokratik dhe kushtetues. Mos përmend tani bazën ligjore, sepse Prokuroria e Përgjithshme e Përkohshme tha është në kundërshtim me frymën e ligjit. Me kë frymë ligji? Dhe prokurorët që u votuan, të prokurorisë së përgjithshme që ishin kandidatë Kosta Bejluri dhe Arben Dollapaj me Buajr Sheshin morën shumicën dërmuese të votave. Në këto kushte unë çmoj që ta hedhim atë propozimin në votë pasi Asambleja vendos. Këtu është trupa e prokurorëve ajo ka fatin në dorë të zgjedhjeve dhe fatin në dorë të prokurorisë.

Arta Marku: Zoti Malaj gjej dispozitën ligjore dhe vendos ku parashikohet që votomi parashikohet të jetë 50+1 dhe e hedhim në votë.

Sokol Malaj: Më gjeni dhe ju dispozitën ligjore kundër. Unë po të them parimet kushtetuese dhe demokratike për një votim dhe për përzgjedhje.

Arta Marku: Për fletën tim të votimit e përcakton Prokurori i Përgjithshëm. Neni 114 paragrafi 2 i ligjit për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë.

Sokol Malaj: Ne kemi të drejtë të ndryshojmë atë pikën 15.

Arta Marku: Ne vazhdojmë me votimet, kush nuk do të marri pjesë është i lirë të largohet.

Sokol Malaj: Ne bëjmë propozimin shtesë  që themi, propozim për ndryshim të rregullores. Kuorumi është 1 e 10, atëherë ta propozojmë këtë rregullore për ndryshim. Përderisa është lënë e drejta që kjo rregullore mund  të ndryshohet me shumicën e anëtarëve pjesëmarrës këtu atëherë ndryshohet. Është vullneti i shumicës dhe vullneti i shumicës nuk dhunohet.

Arta Marku: Propozimi është nga 1 e 10-ta, por propozim në kundërshtim me ligjin nuk mund të ketë.

Sokol Malaj: Nuk është në kundërshtim me ligjin. Ta vendosi shumica

Arta Marku: Do vazhdojmë me rendin e ditës, kush nuk do të marri pjesë të largohet dhe pastaj bëhen ankimet ne Gjykatën Administrative të Apeit.

Sokol Malaj: Unë ftoj prokurorët që të ngrenë dorën kush është dakord që të votohet me 1 të 10-tën për mënyrën e përzgjedhjes dhe unë ngre dorën.

Arta Marku: Mbledhjen e drejtoj unë zoti Malaj. Ju lutemi se përndryshe do dilni jashtë.

Sokol Malaj: Dilni jashtë…Nuk jemi në fillore

Arta Marku: Mbledhjen e drejtoj unë, nuk e drejtoni ju.

Sokol Malaj: Mbledhjen e drejtoni ju, por unë po bëj një propozim që duhet respektuar.

Arta Marku: Uluni ose vazhdoni.

SHKARKO APP