Artistët: Rama do shembë Teatrin Kombëtar, do e mbrojmë me gjak!
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka akuzuar Ministrinë e Kulturës për urdhërimin e zbrazjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Në një qëndrim të publikuar në llogarinë e saj zyrtare në ‘Facebook’, Aleanca ka publikuar disa foto, ku duken një grup punëtorësh që po nxjerrin materialet e fundit të mbetura në brendësi të godinës.
Ky aksion i papritur ka zënë në befasi aktorët, regjisorët dhe aktivistët e shumtë, që kanë mëse një vit që protestojnë çdo ditë kundër shembjes së Teatrit. ‘Sot në mëngjes, Ministria e Kulturës ka urdhëruar zbrazjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Duket se dyshja Rama-Veliaj po hedhin hapat e parë konkret për shembjen e kompleksit teatror dhe grabitjes së truallit publik”,- njofton aleanca.
Artistët e këtij forumi bëjnë me dije se do të mbrojnë me çdo kusht godinën e historike të Teatrit Kombëtarë. “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka deklaruar prej kohës qëndrimin e saj të prerë në lidhje më këto hapa: TEATRI NUK DO TË SHEMBET!!! Pushtetit politik mund ti trimërojë hajdutët, por nuk ka për ti shpëtuar përgjithmonë. Teatri do mbrohet, edhe me gjak po të jetë nevoja, dhe kushdo që do guxojë të ngrejë dorën ndaj tij do të gjykohet e do të paguajë shumë shpjet pasojat e vendimeve të marra sot. Hiqni dorë nga kjo marrëzi para se te jetë vonë për Ju! #MoxGuxo’, thekson Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”,- thuhet në deklaratën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Menjëherë pasi është bërë publik lajmi, se ministria e Kulturës nëpërmjet një urdhri ka nisur zbrazjen e godinës së Teatrit Kombëtarë dhe reagimit të ashpër të grupit të artistëve që prej më shumë se një viti janë në mbrojtje të tij, Zëri i Amerikës është futur live nga ambientet përpara godinës.
Në një prononcim për VOA, regjisori Edmond Budina i revoltuar ka deklaruar, se ky veprim i pabesë i qeverisë nuk do të ketë sukses, pasi Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe qytetarët e shumtë që e mbështesin do ta mbrojnë godinën, edhe nëse është e nevojshme përplasja fizike.