Astrit Patozi: Antikomunistët e vonuar të PD, merren me Topallin dhe Ruçin

Ditët e fundit Partia Demokratike ka premtuar disa protesta me tone antikomuniste. Shkak është bërë, sipas PD, zgjedhja e Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit. Gramoz Ruçi prej vitit 1991 qenë në poste drejtuese në PS dhe në Kuvend dhe asnjë herë më parë PD-ja nuk është kujtuar për të reaguar në këtë mënyrë.

Kundër kësaj nisme të PD ka dalë edhe vetë deputeti i PD-së, Astrit Patozi. Ai i cilëson demokratët si antikomunistë të vonuar, duke u kujtuar që Gramoz Ruçi është deputet i përjetshëm i PS-së prej vitit 1991.

Por veç kësaj, Patozi vë në dukje dhe një kontrast të madh në kauzën e fundit të PD. Ai kujton përjashtimin e Jozefina Topalli nga PD, një ikonë e se djathtës dhe ish-të përndjekurve politikë.

Patozi shtron pyetjen se kush është më i rëndë si fakt, që socialistët zgjedhin Ruçin në Krye të Kuvendit, apo që demokratët përjashtojnë Topallin nga partia dhe e quajnë spiune.

Postimi i plotë i Astrit Patozit në Facebook:

“NJË PYETJE TË THJESHTË PËR ANTIKOMUNISTËT E 2017-ËS

Një pyetje e thjeshtë kam për të gjithë antikomunistët e tërbuar, që thuhet se mezi po presin datën 9 shtator për të shprehur dhe shpalosur revoltën e tyre: Kush është më e rëndë për ju, fakti që Gramoz Ruçi, me propozim të drejtpërdrejtë të Edi Ramës, nga deputet i përjetshëm i së majtës, që nga viti 1991, dhe së paku në 8 vjetët e fundit kryetar i grupit parlamentar te Partisë Socialiste, do të bëhet kryetar i Kuvendit të Shqipërisë?

Apo që Jozefina Topalli, me propozim të kryetarit të ngrirë (shkrirë) të Partisë Demokratike, nga deputete e përjetshme e së djathtës, që nga 1996-a e këtej (8 vjet prej tyre kryetare parlamenti), të shpallet armike e popullit, spiune e Sigurimit të Shtetit, e korruptuar, etj… etj…, se nuk dua t’i përmend të gjitha çfarë janë thënë e shkruar për të, në mungesë dhe me porosi të fitimtarit plebishitar të 22 korrikut?”.

SHKARKO APP