Astrit Patozi: Kandidoj për kreun e PD nëse Basha plotëson këto kushte

Deputeti i PD-së, Astrit Patozi ka shpallur sot kandidimin për kreun e PD-së, nëse kreu aktual Lulzim Basha do të plotësojë rregullat minimale të garës brenda partisë. Ai paraqiti një listë me rregulla për zhvillimin e zgjedhjeve, ku kryesorja ishte largimi i kreut aktual ‘de fakto’ dhe ‘de juro’ nga drejtimi i PD dhe garantimi i rregullave të barabarta.

“Kërkoj dorëheqje reale të Lulzim Bashës dhe jo ngrirje të funksioneve të tij. Nëse Basha nuk jep kontributin e tij në këtë zhvillim historik, atëherë të gjithë demokratëve u lind e drejta të përdorin të gjitha mënyrat për të mos lejuar që zgjedhjet në PD të jenë një farsë”,- tha Astrit Patozi.

Deputeti i PD-së tha se ringritja e partisë mund të bëhet e mundur vetëm me anë të një gare reale dhe me një konkurrim të ndershëm. Ai tha se Basha dhe stafi i tij duhet të largohen nga zyra për të mos pasur asnjë ndikim në zgjedhje.

Gjithashtu, ai renditi një sërë rregullash që parashikohen nga statuti i PD-së, ku theksohet se për zhvillimin e garës duhet të ngrihen një komision i posaçëm.

Kërkesat  e Patozit për pjesëmarrjen në garë:

1-Dorëheqje të menjëhershme të kryetarit Lulzim Basha dhe jo ngrirje, si përgjegjësi kryesor për rezultatin e zgjedhjeve. Vendosjen e tij si gjithë të tjerët në garë si kushti minimal që ajo të jetë e drejtë. Largimin e tij bashkë me stafin e vet dhe çlirimin e selisë nga prania e të gjithë kandidatëve derisa të përfundoj procesi për zgjedhjen e kreut të PD.

2-Normalizimin statusor të procesit të garës duke bërë nul vendimet e deritanishme të dy nënkryetarëve.

3-Sekretari i Përgjithshëm duhet të marrë nën kontroll databesin e gjithë anëtarësisë duke garantuar rregullin e kahershëm në PD, që të gjitha anëtarësimet e dy muajve të fundit dhe të gjitha anëtarësimet e bëra në kundërshtim me statusin të mos kenë të drejtën e votës.

4- Listat e zgjedhësve duhet t’u jepen kandidatëve jo më vonë se 3 ditë nga shpallja e garës dhe ato duhet të publikohen.

5- Kërkohet kohë e mjaftueshme debati, analize dhe reflektimi, si dhe kohë e të bërit fushatë për të gjithë kandidatët.

6-Komisioni i Operacioneve Elektorale duhet të kryesohet nga një prej sekretarëve dhe duhet të ketë anëtarë me numër të barabartë të kandidatëve në garë.

7- Të ngrihet një komision për auditimin e procesit të garës në të gjithë elementët organizativë të saj. Komisioni përbëhet nga Sekretari i Përgjithshëm dhe do ketë funksione e komisionit të apelimit të ankesave.

https://www.facebook.com/portali.syri.net/videos/1480857325328885/

DEKLARATA E PLOTË E ASTRIT PATOZIT:

I shqetësuar për rezultatin dramatik të PD në këto zgjedhje dhe i bindur se ringritja e saj mund të ndodhë vetëm pas një proces​i të ndershmëm reflektimi dhe nje gare të drejtë, jam ketu sot që të marr të gjitha përgjegjësitë e mia në funksion të këtij qëllimi.

I mbështetur nga një numër shumë i madh anëtarësh dhe drejtuesish të Partisë Demokratike në vite dhe i vendosur në kushtet e mosdaljes së një  kandidature tjetër të vërtetë dhe serioze, deklaroj se jam i gatshëm të kandidoj për kryetar te Partisë Demokratike, në rast se do të ketë garanci të mjaftueshme për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pandikuara.

Në emër të mijëra demokratëve, që më mbështesin në këtë sfidë, kërkoj, as më shumë dhe as më pak, por rregulla të pastra loje:

1-Dorëheqje të menjëhershme dhe jo ngrirje të kryetarit Lulzim Basha, si përgjegjësi kryesor për rezultatin zhgënjyes në këto zgjedhje. Vendosjen e tij në pozitën e cdo kandidati tjetër, që do të futet në garë, si kushti minimal për paritet. Largimin e tij nga zyra bashkë me stafin e vet dhe çlirimin e selisë nga prania e të gjithë kandidatëve deri sa të përfundojë procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD.

2. Normalizimin statutor të procesit të garës, duke bërë nul veprimet e deritanishme jolegjitime, përmes vendimit të dy nënkryetarëve. Kryesia është i vetmi organ statutor që ka të drejtë të deklarojë garën dhe të garantojë barazinë në të. (neni 30, pika 2 e Statutit);

3. Sekretari i Përgjithshëm duhet të marrë nën kontroll database-n e antarësisë, duke garantuar rregullin e kahershëm në PD që të gjitha anëtarësimet e 2 muajve të fundit (nga data 1 qershor 2017) si dhe të gjitha anëtarësimet e bëra në kundërshtim me statutin ( pa një vendim të mbledhjes së seksionit apo kryesisë së degës apo kryesisë qëndrore, Neni 13 i Statutit) të mos kenë të drejtën e votës në këto zgjedhje. Listat e zgjedhësve duhet t’u jepet kandidatëve, jo më vonë se 3 ditë nga shpallja e garës, Ato duhet të publikohen e afishohen në mënyrë elektronike në web-in e kryesisë së degës e në hard copy në ambjente publike të selisë së degës së PD;

4. Kërkohet kohë e mjaftueshme debati, analize dhe reflektimi, si dhe të bërit fushatë për të gjithë kandidatët.

5. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (neni 46 i Statutit) duhet të kryesohet nga një prej sekretarëve funksionalë (Organizim apo Burime Njerëzore) dhe duhet të ketë anëtarë në numër të barabartë në përbërje prej kandidatëve në  garë. Ky komision duhet të hartojë dhe publikojë rregulloren e fushatës elektorale, e cila mungon për shkak të mosmiratimit nga Këshilli Kombëtar (Neni 37 i Statutit). Kjo rregullore duhet të garantojë akses të barabartë të kandidatëve në administrimin dhe vendimmarrjen e procesit të zgjedhjeve.

6.  Në bazë të nenit nr. 30, pika 2 e statutit, kryesia duhet të ngrejë  një komision për auditimin e procesit të garës në të gjitha elementet organizative të saj. Ky komision, i kryesuar nga Sekretari i Pergjithshëm, duhet të ketë në përbërje të tij një numër të njëjtë anëtarësh nga kandidatët e mundshëm në  garë.

KomisionI duhet të autorizohet nga kryesia, që të ushtrojë edhe atributet e Komisionit Qëndror  të Apelimit (neni.47) përderisa  ky komision nuk ekziston, sepse nuk është zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.

Sipas nesh, këto kërkesa janë garancitë minimale që të shkohet në një proces të drejtë dhe gjithëpërfshirës në zgjedhjet e brendshme në PD.

Ndaj pas këtij parashtrimi,

ftoj zotin Lulzim Basha që të dalë mbi ambiciet personale dhe të vendosë fatin dhe të ardhmen e Partisë Demokratike mbi interesat e tij të momentit. Jam gati të punoj me të për një garë reale që synon rimëkëmbjen e shpejtë të Partisë Demokratike.

Por, në rast se kërkesat tona të drejta për një garë reale nuk do të plotësohen, ai do te marrë të gjithë përgjegjësinë për hedhjen në erë të së vetmes mundësi për nxjerrjen nga kriza të Partisë Demokratike, për shkak të atij vetë.

Nëse kjo ndodh, çdo anëtari të Partisë Demokratike i lind e drejta të refuzojë dhe të mos lejojë me të gjitha mjetet demokratike një farsë elektorale, e cila synon grabitjen në tavoline të mandatit të kryetarit nga zoti Lulzim Basha.

SHKARKO APP