Ati i Shenjtë firmos dekretin: Më 4 shtator, shenjtërimi i Nënë Terezës
Nënë Tereza do të cilësohet zyrtarisht si “e shenjtë” ditën e dielë, më 4 shtator 2016.
Kjo pasi Papa Françesku ka firmosur sot dekretin e shenjtërimit të saj, event ky që do të mbahet në bazilikën e Shën-Pjetrit në Vatikan. Ndryshe nga sa kishte kërkuar Kisha Katolike Indiane, ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës do të jetë eventi kryesor i Viti Jubilar të Mëshirës në Vatikan.
Dhe data 4 shtator do të shënohet në Kalenderin Apostol, pikërisht si Dita e Shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës.
Kujtojmë se në 17 dhjetorin e kaluar, Papa Françesku ka firmosur dekretin për njohjen e mrekullisë së kryer nga Nënë Tereza në shërimin e plotë nga një tumor në tru, në gjendje mjaft të avancuar të një besimtari nga dioqeza e Santos, në San Paolo të Brazilit.
Kurse më 19 tetor të vitit 2003, Papa Gjon Pali II e shpalli Nënë Terezën si “E lume” dhe sipas rregullave të së drejtës kanonike, festa e saj kremtohet çdo vit më datën 5 shtator, pikërisht në ditën e saj të lindjes.