Rama kundër Metës për Listat e hapura: Sistemi zgjedhor nuk ndryshon!

Partia Socialiste ka dalë kundër propozimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme me lista të hapura të kandidatëve për deputetët.

Pas mbledhjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, bashkëkryetari socialist i komisionit, Taulant Balla, deklaroi se PS-ja është kundër ndryshimit të sistemit zgjedhore. Sipas tij, me këtë sistem (listat e mbyllura) janë zhvilluar dy palë zgjedhje dhe nuk është nevoja për ndërhyrje të tilla. “Mandati i këtij komisioni është që të diskutojë çështje të OSBE-ODHIR. Jam kundër çdo forme që ndërhyn në sistem in zgjedhor. Me këtë sistem janë bërë dy palë zgjedhje”,- tha Balla.

Të hënën, LSI-ja dorëzoi një paketë propozimesh me 7 pika për reformën zgjedhore. Pika kryesore ishte ajo e transparencës së financimeve të partive, si dhe aplikimi i listave të hapura. LSI argumenton se listat e hapura do i bëjnë zgjedhjet më demokratike, pasi qytetarë do të janë në gjendje të hedhin votën për kandidatin që duan ata dhe jo sipas listës që kanë vendosur krerët e partive.

Në përfundim të mbledhje së sotme të Komisionit, kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili tha se kërkesa për lista të hapura nuk është e re. Ai tha se LSI-ja e ka pasur këtë propozim që në vitin 2008. “Kjo çështje nuk ka pse të jetë tabu. Listat e hapura janë një qëndrim konsistent i yni. Problemi nuk është i ri. Është ngritur që në vitin 2008”, tha Vasili Sekretari i LSI u shpreh gjithashtu se komisioni i Reformës Zgjedhore ka një frymë përgjëgjshmërie për të ecur më shpejt, por sipas tij, ecuria do tregojë nëse ka vullnet. “Nuk kemi shumë kohë në dispozicion. Kërkova të punojmë me një ritëm më të lartë dhe ka një frymë përgjegjshmërie, por ecuria do tregojë nëse ka vullnet”, tha Vasili

Lidhur me çështjet e tjera që kanë mbetur pezull për reformën, Taulant Balla tha se ka dakordësi me PD për dekriminalizimin, por jo për votën e emigrantëve. “Ka dakordësi të plotë për të dekrliminalizimin e të gjithë ata që bëjnë krime elektorale. Ku është pozicioni unë dhe duhet t’i bashkëngjiten aktorë politikë. Një punë intensive që kemi bërë dhe me KE-në, ne kemi identifikuar një dokument që është i mirë dhe do të minimizojë hapësirat e parave jo të ligjshme. Ky është hapi i parë. Për fat të keq nuk ka dakordësi nga pala tjetër për votën e emigrantëve dhe depolitizimin e pozicioneve”, tha Balla.

PROPOZIMET E LSI PËR REFORMËN ZGJEDHORE

1.TË FORCOHET NDËSHKIMI PËR CILIDO QË BLEN DHE SHET VOTËN.

Propozimi: Blerja me çfarëdo forme (me para në dorë, me premtime për para ose shkëmbim në natyre, dhëna e parave për mos votim, duke i marrë zgjedhësit kartën e identitetit) duhet të konsiderohet Krim dhe jo Kundërvajtje Penale si deri më sot. Ndërsa shitja e votës apo e kartës së identitetit të mbetet Kundërvajtje Penale.

2.TË FORCOHET NDËSHKIMI PËR FOTOGRAFIMIN E VOTËS.

Propozimi: Fotografimi i votës nga ana e votuesit (votës së tij ose të afërmve) duhet të shpallet Kundërvajtje Penale. Dënimi në këtë rast mund të jetë gjoba ose ndalimi i votimit në zgjedhjet e ardhshme. Kur fotografimi i votës bëhet nga komisionerët duhet të jetë e dënueshme me burgim. Kërkesa apo shtrëngimi ndaj zgjedhësit për të fotografuar votën të konsiderohet krim.

3.TRANSPARENCA FINANCIARE E PARTIVE POLITIKE NË ZGJEDHJE.

Propozomi: Mos deklarimi, deklarimi i rremë apo moskthimi i parave në buxhet, që rezulton nga auditimi i KQZ mbi zgjedhjet e shkuara e ndalon partinë të regjistrohet si subjekt zgjedhor. Mos-deklarimi i shpenzimeve të kryera pas çdo aktiviteti politik, brenda 24 orëve nga aktivitetit si dhe burimin e parave, që mbulojnë atë aktivitetet, duhet të dënohet me gjobë deri më ç’regjistrim të partisë nga pjesëmarrja në zgjedhje. Çregjistrimi merret si masë në rastet të përsëritura.

4.KONKURRIMI I PARTIVE ME LISTA SHUMË-EMËRORE TË HAPURA.

Propozimi: Në nenin 163 paragrafi i pestë duhet të ndryshojë si vijon: Menjëherë pas përfundimit të procedurave për ndarjen e mandateve për çdo parti politike, sipas këtij neni, KQZ përcakton mandatet nominale për çdo parti politike, në bazë të renditjes së kandidatëve sipas rezultateve të votimit duke filluar nga kandidati që ka mbledhur më shumë vota. Pika 6 e nenit 163 duhet të shfuqizohet (parashikon të drejtën e kryetarit të partë për të qenë në më shumë se një listë votimi). Këto ndryshime diktojnë amendamentin dhe të dispozitave që parashikojnë fletën e votimit, në mënyrën e votimit, administrimin dhe nxjerrjen e subjektin politik ashtu dhe për kandidatin e listës për çdo subjekt.

5.TRANSFERIMI I VOTUESVE. (LISTA E ZGJEDHËSVE)

Propozimi: Neni 46 pika 1 fjalia e parë duhet të riformulohet si më poshtë: Lista e zgjedhësve hartohet për çdo zonë qendrore votimit dhe përmban të gjithë zgjedhësit që deri në datën e shpalljes së dekretit të Presidentit të Republikës për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare apo vendore) kanë vendbanimin e regjistruar në RKGJC në atë zonë qendre votimit.

6.TË PËRSHPEJTOHET NXJERRJA E REZULTATIT TË ZGJEDHJEVE DUKE SHTUAR GRUPET E NUMËRIMIT.

Propozim: Kodi ka parashikuar 90 ZAZ dhe në çdo ZAZ ka një vend të numërimit të votave. Shtimi i numrit të vendeve të numërimit kondicionin shtimin e numrit të ZAZ pasi ato janë përgjegjës që nga votimi deri në nxjerrjen e rezultatit. Për këtë duhet të ndryshojë aneksi 1 i Kodit Zgjedhor i cili ka parashikuar ndarjen e territorit në 90 ZAZ. Propozojmë krijimin e 200 ZAZ sipas ndarjes përafërsisht 20.000 zgjedhës. Teorikisht për çdo ZAZ të cilave do t’i korrespondohet nga një VNV.

7.HEQJA E KQZ SI SHKALLË E PARË E SHQYRTIMIT TË ANKESAVE ZGJEDHORE.

Propozim: Shfuqizim i pjesës së 10 të Kodit Zgjedhor e cila parashikon ankimin në KQZ për të gjitha llojet e vendimeve. Kjo kërkon mendimin e disa dispozitave të tjera. Qëllimi është shmangia e ankimit administrativ në KQZ dhe ankimi drejtë për drejtë nga çdo subjekt në Kolegjin Zgjedhor.

Prononcimi i Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili pas mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore

 Vasili: Listat e hapura janë kërkuar nga LSI që në 2008-n

Vasili: Dakord me votimin elektronik, ta vendosë OSBE

Vasili: Administrata e re e SHBA-ve dhe BE-së të monitorojnë zgjedhjet

 Vasili, si shkoi mbledhja e komisionit për reformën zgjedhore?

E rëndësishme është që Komisioni rifilloi, pra duhet të bëjmë të pamundurën të fitojmë mjaft kohë të humbur, pasi nuk e kemi kohën në dispozicion, që ka mbetur aleati më të mirë, pasi koha shtrëngon. Ky rifillim ishte i domosdoshëm dhe kërkova edhe në mbledhjen e komisionit, që të punohet me një ritëm shumë të lartë se sa tani, pasi na duhet të shterojmë shumë çështje në një kohë relativisht të kufizuar.

Besoj që ka një frymë përgjegjshmërie për të ecur më shpejt, megjithatë, ecuria në rrugë e sipër do të tregojë që ky vullnet është i vërtetë, ku sigurisht do të duhet që të kemi konstruktivitet të lartë, pasi debati shumë i madh dhe shterp nuk do të na ndihmonte, por do të na fuste në qorrsokake të reja. Kështu që kërkohet ritëm dhe konstruktivitet, pasi përgjegjshmëria ndaj zgjedhjeve dhe kualitetit është një problem madhor. Siç e dini, një nga elementët e rinj të shtuar për vlerësimin e Shqipërisë edhe në të ardhmen e integrimit evropian, është pasja e zgjedhjeve me standarde sa më të larta.

Sigurisht, ne do të shterojmë të gjitha propozimet që janë paraqitur, përfshirë edhe propozimet që LSI-ja ka vendosur në tavolinën e diskutimeve ku aty pastaj do të shikojmë edhe cilat do të jenë edhe dakordësitë dhe mirëkuptimi i duhur.

Balla tha që nuk ështëmomenti për të diskutuar për listat e hapura, një nga propozimet e LSI-së të bërë një ditë më parë dhe tha që nuk është momenti që ky diskutim të bëhet në Komisionin e Reformës Zgjedhore, por ndoshta pas zgjedhjeve elektorale. Si e shihni ju këtë deklaratë të z. Balla?

Çështja e listave të hapura është një problem jo i ri. Është një qëndrim konsistent i yni. Për ata që kanë një memorie të vëmendshme, është një problem i ngritur që në vitin 2008 dhe i mbrojtur fort nga ne, dhe është vendosur mbi principe shumë të shëndetshme, siç është ai i përfaqësimit sa më të drejtpërdrejtë të vullnetit të njerëzve.

Pra, nuk është një çështje që lind sot, paraqitet sot dhe propozohet sot. Kanë qenë raporte të vështira, ka qenë një zgjedhje e rrufeshme. Ju e kujtoni historinë e vitit 2008 ku ne e kemi propozuar dhe rimarrim duke besuar se një klimë e re më konstruktive, më e qetë dhe që lexon se çka ndodhur ndër vite, krijon një hapësirë të re për ta rimarrë çështje.

Ne besojmë se rimarrja nuk ka përse të jetë një tabu dhe nuk besoj se duhet të ketë të shqetësuar nga kërkesa, pasi nuk ka të bëjë me interesin e LSI-së, por ka të bëjë me interesin e një procesi sa më të shëndetshëm dhe sa më përfaqësues lidhur me këtë çështje. Po në këtë klimë ne kemi parë edhe çështjen e votimit elektronik. Një votim të cilin ne e mbështesim dhe e kemi mbështetur edhe kur ky është miratuar si një projekt pilot.

Besoj që gjykatësi më i mirë, më i paanshëm lidhur me këtë çështje, përtej këtij debati të fortë politik, pasi të gjitha palët janë shprehur pro dhe ju e dini që ka pasur një projekt pilot të miratuar, qëllimi ynë është ky; që ekspertiza më e mirë në këtë çështje është OSBE-ODIHR dhe do të ishte shumë e vyer të shpreheshin ata se si duhet të procedonim lidhur me këtë çështje përtej debateve tona politike. Dhe ky propozim apo sugjerim i tyre do të ishte zgjidhja e mundshme. Në rast se ata do të sugjeronin një zgjidhje konkrete për ta aplikuar në nivel kombëtar këtë, patjetër pse jo ta bëjmë. Do të ishte më e mira të ecnim në bazë të një ekspertize tashmë të njohur dhe të paanshme dhe të padiskutueshme edhe për paanshmërinë edhe për nivelin e ekspertizës profesionale.

Gjithashtu, duke u nisur nga sa thashë më lart, është shumë i rëndësishëm që procesi të realizohet dhe kjo reformë të realizojë një proces me standarde, pasi ju e keni parasysh që bëhet fjalë për një proces zgjedhor delikat dhe me shumë rëndësi në procesin e integrimit, dhe në këtë mes ne shohim shumë të rëndësishëm, rolin e të gjithë partnerëve strategjik tanë.

BE është prezent në komision, por do të ishte shumë e rëndësishme që edhe administrata e re amerikane të ishte gjerësisht aktive, qoftë monitorimin, ndjekjen e procesit, vlerësimin e tij përfundimtar, pasi një vlerësim pozitiv i këtyre zgjedhjeve, qoftë nga BE, por në mënyrë të veçantë nga SHBA.

Në mënyrë të veçantë administrata e re amerikane, do të thoshte një plus shumë i madh për vendin tonë dhe do të thoshte një proces integrimi që ecën përpara pa asnjë pengesë dhe pa asnjë koment negativ dhe pa asnjë lloj rezeve. Kështu që ky proces jo vetëm zgjedhor, por edhe politik duhet parë në këtë mënyrë.

 

SHKARKO APP